Fakte nga bota
- Çdo foshnjë dhe fëmijë ka të drejtën të ushqehet në mënyrë te shëndetshme sipas “Konventës për të Drejtat e Fëmijës”.
- Nënushqyerja lidhet me 45% të vdekjeve të fëmijëve.
- Në nivel global në vitin 2020, 149 milionë fëmijë nën 5 vjeç u vlerësuan “të mbetur prapa në rritje’’ të shkurtër për moshën), 45 milionë u vlerësuan “të dobët” (shumë të dobët për gjatësinë) dhe 38.9 milionë ishin në mbipeshë ose obezë.
- Rreth 44% e foshnjave 0–6 muaj ushqehen ekskluzivisht me gji.
- Pak fëmijë marrin ushqime plotësuese të përshtatshme dhe të sigurta nga pikëpamja ushqimore; në shumë vende më pak se një e katërta e foshnjave të moshës 6-23 muaj përmbushin kriteret e shumëllojshmërisë të dietës dhe frekuencës së të ushqyerit që janë të përshtatshme për moshën e tyre.
- Mbi 820 000 jetë fëmijësh do të mund të shpëtoheshin çdo vit nga fëmijët nën 5 vjeç, nëse të gjithë fëmijët 0-23 muajsh do të ushqeheshin në mënyrë optimale me gji. Ushqyerja me gji përmirëson IQ-në e fëmijës , përmirëson frekuentimin e shkollës gjë e cila shoqërohet me të ardhura më të larta në të ardhmen (1)
- Përmirësimi i zhvillimit të fëmijëve dhe ulja e kostove shëndetësore nëpërmjet ushqyerjes me gji rezulton në përfitime ekonomike jo vetëm për familjet por edhe në nivel kombëtar.
Nënushqyerja shoqërohet me 2.7 milionë vdekje të fëmijëve në vit ose 45% të të gjitha vdekjeve të fëmijëve. Ushqyerja e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël është një pikë kyçe për të përmirësuar mbijetesën e fëmijëve dhe për të nxitur rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të tyre . 2 vitet e para të jetës së një fëmije janë veçanërisht të rëndësishme, pasi ushqimi optimal gjatë kësaj periudhe ul sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kronike dhe nxit zhvillimin e fëmijës në përgjithësi.
Ushqyerja optimale me gji është aq e rëndësishme sa mund të shpëtojë jetën e mbi 820 000 fëmijëve nën moshën 5 vjeç çdo vit.
Fakte nga Shqipëria për ushqyerjen me gji
Sipas studimit të fundit kombëtar demografik dhe shëndetësor shqiptar ( ADHS viti 2008-09):
Vetëm 43 % e fëmijëve të lindur në 5 vitet e fundit para studimit, dhe që kishin marrë ushqim gjiri, kishin filluar ushqyerjen me gji brenda një ore nga lindja
88% e fëmijëve nën moshën pesë vjeç kishin filluar ushqimin me gji brenda një dite nga
19 % e fëmijëve të ushqyer me gji kishin marrë një ushqim para qumështit të gjirit.
Fëmijët ushqehen me gji për një periudhë mesatare prej 14,6 muaj.
39% e fëmijëve nën moshën 6 muaj janë ushqyer ekskluzivisht me gji.
Rreth 30 % e vdekjeve tek fëmijët nën 5 vjeç në Shqipëri lidhet me kequshqyerjen, dhe 18 % prej tyre mund t’i atribuohen ushqyerjes nënoptimale me gji.
Rekomandimet:
- Qumështi i gjirit të nënës është i shëndetshëm, i sigurt dhe praktik, është në dispozicion në çdo moment dhe në çdo vend, është në temperaturën dhe me përmbajtjen e duhur, dhe është falas!
- Çdokush në shoqëri duhet ta konsiderojë ushqyerjen me gji si një nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit dhe të ushqyerjes, dhe duhet nxitur, promovuar dhe mbështetur!
Përbërja e Qumshtit të Gjirit
Qumështi i njeriut nuk është një lëng i njëtrajtshëm trupor, por një sekretim i
gjëndrave të qumështit në përbërje të ndryshme. Qumështi i parë ndryshon nga qumështi i dytë ose I mëpasshëm , dhe kulloshtra është jashtëzakonisht e ndryshme nga qumështi tranzitor dhe ai matur. Qumështi ndryshon në kohë gjatë ditës dhe gjatë laktacionit. Qumështi I njeriut përbëhet jo vetëm nga lëndë ushqyese, të tilla si proteina, lipide, karbohidrate, minerale, vitamina dhe mikro elemente që janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për t’ë përmbushur jo vetëm nevojat ushqimore të foshnjave por dhe sigurimin e rritjes dhe zhvillimin normal të tyre. Qumështi i njeriut gjithashtu përmban komponentë të shumtë të lidhur me imunitetin si sIgA, leukocitet, oligosakaride, lizozima, laktoferinë, interferon-g, nukleotide, citokina dhe të tjera. Disa prej këtyre komponentëve ofrojnë mbrojtje pasive në traktin gastrointestinal dhe deri diku në pjesën e sipërme traktit respirator, duke parandaluar aderimin e patogjenëve në mukozën përkatëse dhe në këtë mënyrë mbrojtjen e foshnjës që ushqehet me gji ndaj infeksioneve invazive. Qumështi i njeriut gjithashtu përmban acidet yndyrore esenciale, enzimat, hormonet, faktorët e rritjes, poliaminat dhe komponime të tjera biologjikisht aktive, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në përfitimet shëndetësore të lidhura me ushqyerjen me gji.
Nënat që e ushqejnë fëmijën me gji
Dieta e nënës mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në prodhimin dhe/ose në përbërjen e qumështit të gjirit kur nëna është e kequshqyer ose përdor një dietë jashtëzakonisht të kufizuar. Nënat e kequshqyera kanë afërsisht proporcioni të njëjtë të proteinave, yndyrave dhe karbohidrateve si nënat e ushqyera mirë, por ato prodhojnë më pak qumësht. Sigurimi i ushqyerjes suplementare mund të përmirësojë prodhimin e qumështit dhe kohëzgjatjen e ushqyerjes ekskluzive me gji tek gratë e nënushqyera . Në të kundërt, gratë e ushqyera mirë nuk kanë ndonjë përfitim nga suplementet e proteinave. Por përmbajtja për disa lëndë ushqyese në qumështin e gjirit pasqyron dietën e nënës. Ky është rasti për disa vitamina, për shembull, vitaminë D, vitaminë A dhe vitamina të tretshme në ujë, për jodin dhe përbërjen e acideve yndyrore. Foshnjat të ushqyer me gji nga nëna që ndjekin një dietë të rreptë vegane psh. kanë nivele të larta rrisku për anemi të rëndë megaloblastike dhe anomali neurologjike për shkak të mungesës së vitaminës B12.
Këshilla për nënat që ushqejnë fёmijёt me gji
- Përdorni sa më shumë ujë dhe ushqime të lëngshme, pasi 87 % e qumështit të gjirit përbëhet nga uji
- Për të prodhuar 700-800 ml qumësht në ditë duhet të shtoni 500 kkal.
- Dieta juaj duhet të jetë e shumëllojshme dhe e ekuilibruar.
- Ju duhet të ushqeheni shpesh dhe pak, sa herë ushqeni fëmijën tuaj, 6-7 herë.
- Kujdes higjienën e duarve, të cilat duhet të lahen me ujë dhe sapun, dhe atë të gjinjve që duhet të lahen vetëm me ujë.
- Shmangni pirjen e duhanit, nikotina e irriton dhe e lë pa gjumë fëmijën.
- Pakësoni konsumin e alkoolit, kafesë dhe pijeve të tjera eksituese; ato kalojnë në qumështin e gjirit dhe japin efekte negative te fëmija.
- Kujdes me përdorimin e medikamenteve; edhe në sasi minimale ato kalojnë në qumështin e gjirit.
OBSH dhe UNICEF rekomandojnë për ushqyerjen me gji :
- fillimin e hershëm të ushqyerjes me gji brenda orës së parë pas lindjes;
- ushqyerje ekskluzive me gji për 6 muajt e parë të jetës;
- futja e ushqimeve plotësuese (të ngurta) të përshtatshme nga pikëpamja ushqimore dhe të sigurta në moshën 6 muaj, së bashku me vazhdimin e ushqyerjes me gji deri në moshën 2 vjeç ose më shumë.
Megjithatë, shumë foshnja dhe fëmijë nuk marrin ushqyerje optimale. Për shembull, rreth 44% e foshnjave të moshës 0-6 muaj në mbarë botën janë ushqyer ekskluzivisht me gji gjatë periudhës 2015-2020.
Rekomandimet janë rafinuar për të adresuar gjithashtu nevojat për foshnjat e lindura nga nëna të infektuara me HIV. Ilaçet antiretrovirale tani i lejojnë këta fëmijë të ushqehen ekskluzivisht me gji deri në moshën 6 muaj dhe të vazhdojnë ushqyerjen me gji deri të paktën 12 muajsh me një rrezik të reduktuar ndjeshëm të transmetimit të HIV-it.
Ushqyerja me Gji pse?
Ushqyerja ekskluzive me gji për 6 muaj ka shumë përfitime për foshnjën dhe nënën. Kryesorja ndër to është mbrojtja ndaj infeksioneve gastrointestinale, e cila vërehet jo vetëm në vendet në zhvillim, por edhe në vendet e industrializuara. Fillimi i hershëm i ushqyerjes me gji, brenda orës së parë të lindjes , mbron të porsalindurin nga infeksionet duke ulur vdekshmërinë e të porsalindurve. Rreziku i vdekshmërisë për shkak të diarresë dhe infeksioneve të tjera mund të rritet tek foshnjat që ushqehen pjesërisht me gji ose nuk ushqehen fare me gji.
Qumështi i gjirit është një burim i rëndësishëm energjie dhe lëndësh ushqyese për fëmijët e moshës 6-23 muaj. Mund të sigurojë gjysmën ose më shumë të nevojave energjetike të një fëmije midis moshës 6 dhe 12 muajsh dhe një të tretën e nevojave për energji midis 12 dhe 24 muajsh.Po ashtu mbetet një burim energjie dhe lëndësh ushqyese I pazëvendësueshëm gjatë sëmundjeve duke ulur vdekshmërinë sidomos tek fëmijët që janë të kequshqyer.
Fëmijët dhe adoleshentët që janë ushqyer me gji në fëmijërinë e hershmë kanë më pak gjasa të jenë mbipeshë ose obezë. Për më tepër, ata performojnë më mirë në testet e inteligjencës dhe kanë frekuentim të shkollës së lartë. Ushqyerja me gji shoqërohet me të ardhura më të larta në jetën e rritur. Përmirësimi i zhvillimit të fëmijëve dhe ulja e kostove shëndetësore rezulton në përfitime ekonomike për familjet individuale, si dhe në nivel kombëtar.(1)
Kohëzgjatja e ushqyerjes me gji kontribuon gjithashtu në shëndetin dhe mirëqenien e nënave: zvogëlon rrezikun e kancerit të vezoreve dhe atij të gjirit .Po ashtu ndihmon nënat duke kryer një lloj planifikimi familjar pasi ushqyerja ekskluzive me gji e foshnjave nën 6 muaj ka një efekt hormonal që shkakton mungesë menstruacionesh. Kjo është një metodë e natyrale (edhe pse jo e sigurt) e kontrollit të lindjeve e njohur si Metoda e Amenorrhesë gjatë Laktacionit.Ndihmon uterusin të kthehet në madhësinë e mëparshme duke shmangur hemorragjinë dhe parandalimin e anemisë që pason .
Nënat dhe familjet duhet të mbështeten që fëmijët të ushqehen me gji .Kjo lidhet me miratimin e politikave të tilla si :
- “Konventa 183 për Mbrojtjen e Maternitetit” dhe “Rekomandimi Nr. 191” e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, e cila plotëson “Konventën Nr. 183” duke sugjeruar një kohëzgjatje më të gjatë pushimi dhe përfitime më të shumta;
- Miratimi i “Kodit Ndërkombëtar I Marketimit të Zëvendësuesve të Qumështit të Gjirit” dhe rezolutat përkatëse të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë;
- Zbatimi i “Dhjetë hapave për një ushqyerje të suksesshme me gji ” të specifikuar në : “Baby-Friendly Hospital Initiative “ duke përfshirë:
- kontaktin lëkurë me lëkurë ndërmjet nënës dhe foshnjës menjëherë pas lindjes dhe fillimit të ushqyerjes me gji brenda orës së parë të jetës;
- ushqyerja me gji sipas kërkesës (d.m.th., aq shpesh sa dëshiron fëmija, ditë e natë);
- qëndrimi në dhomë (duke i lejuar nënat dhe foshnjat të qëndrojnë së bashku 24 orë në ditë);
- mos dhënia e ushqyerjes shtesë apo pije shtesë, madje edhe ujë, përveç rasteve kur është e nevojshme mjekësore;
- ofrimi i shërbimeve shëndetësore mbështetëse , këshillim për ushqyerjen e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël , kontaktet me kujdestarët e fëmijëve të vegjël, si gjatë kujdesit antenatal dhe pas lindjes, vizitave të fëmijëve të shëndetshëm dhe të fëmijëve të sëmurë dhe imunizimit të tyre
Ushqyerja Plotësuese (Komplementare )
Rreth moshës 6 muaj, nevojat e foshnjës për energji dhe lëndë ushqyese fillojnë të tejkalojë atë që sigurohet nga qumështi i gjirit dhe ushqimet plotësuese janë të nevojshme për të plotësuar këto nevoja. Një foshnjë e kësaj moshe është gjithashtu e gatshme “ të presë” ushqime të tjera , pasi edhe sistemi tretës është maturuar mjaftueshëm për t’a bërë këtë gjë . Nëse ushqimet plotësuese nuk futen rreth moshës 6 muaj, ose nëse ato jepen në mënyrë të papërshtatshme, rritja e foshnjës mund të ngadalësohet. Parimet bazë për ushqimin e duhur plotësues janë:
- Vazhdoni ushqyerjen me gji në mënyrë frekuente, sipas kërkesës së fëmijës , deri në moshën 2 vjeç ose më shumë;
- praktikoni të ushqyerit “e përgjegjshëm” (për shembull, ushqeni foshnjat drejtpërdrejt dhe ndihmoni fëmijët më të mëdhenj. Ushqeni ngadalë dhe me durim, nxitini të hanë por mos i detyroni, flisni me fëmijën dhe mbani kontaktin me sy);
- praktikoni higjenën e mirë dhe trajtimin e duhur të ushqimit;
- filloni në moshën 6 muaj me sasi të vogla ushqimi dhe rriteni gradualisht me rritjen e fëmijës;
- rrit gradualisht konsistencën dhe shumëllojshmërinë e ushqimit;
- rrisni numrin e herëve që fëmija ushqehet: 2–3 vakte në ditë për foshnjat 6–8 muajsh dhe 3–4 vakte në ditë për foshnjat 9–23 muajsh, me 1–2 vakte shtesë sipas nevojës. ;
- përdorni ushqime plotësuese të fortifikuara ose suplemente vitamino-minerale sipas nevojës
- gjatë sëmundjeve , rrisni marrjen e lëngjeve duke përfshirë më shumë ushqyerjen me gji dhe ofroni ushqime të buta e të preferuara.
Ushqyerja në rrethana të vështira
Familjet dhe fëmijët në rrethana të vështira kërkojnë vëmendje të veçantë dhe mbështetje praktike. Kudo që është e mundur, nënat dhe foshnjat duhet të qëndrojnë së bashku dhe të marrin mbështetjen që u nevojitet për të ushtruar opsionin më të përshtatshëm të të ushqyerit në dispozicion. Ushqyerja me gji mbetet mënyra e preferuar e ushqyerjes së foshnjave pothuajse në të gjitha situatat e vështira, për shembull:
- foshnjat me peshë të vogël ose të lindur para kohe;
- nënat me HIVqë jetojnë në mjedise ku vdekshmëria për shkak të diarresë, pneumonisë dhe kequshqyerjes mbetet e lartë ;
- nënat adoleshente;
- foshnjat dhe fëmijët e vegjël që janë të kequshqyer
- familjet që vuajnë pasojat e emergjencave komplekse
HIV dhe Ushqyerja e Foshnjave
Ushqyerja me gji, dhe veçanërisht ushqyerja e hershme dhe ekskluzive me gji është një nga mënyrat më domethënëse për të përmirësuar normat e mbijetesës së foshnjave. Ndërsa HIV mund të transmetohet nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë me anë të placentës ose gjatë lindjes me anë të gjakut dhe sekrecioneve si dhe përmes qumështit të gjirit, dëshmitë mbi HIV dhe ushqyerjen e foshnjave tregojnë se dhënia e trajtimit antiretroviral (ART) për nënat me HIV redukton ndjeshëm rrezikun e transmetimit përmes ushqyerjes me gji dhe gjithashtu përmirëson shëndetin e saj. Rreth 2/3 e fëmijëve të lindur nga nëna të infektuara me HIV nuk do të infektohen edhe pa I’u nënshtruar ndonjë ndërhyrje si marrja e profilaksisë nga nëna me antiretroviralë ose SC .Ushqyerja me gji në muajt e parë të jetës e ul më shumë rrezikun e transmetimit HIV sesa ushqyerja e përzier .Kërkimet kanë treguar se rreziku I transmetimit në moshën 6 muaj të foshnjave të ushqyer vetëm me gji është më I ulët se I foshnjave të ushqyer me ushqyerje të përzier.
OBSH tani rekomandon që të gjithë të infektuarit me HIV, përfshirë gratë shtatzëna dhe nënat në laktacion me HIV, të marrin ART për jetën që nga momenti kur mësojnë për herë të parë statusin e tyre të infektimit.
Nënat që jetojnë në mjedise ku sëmundshmëria dhe vdekshmëria për shkak të diarresë, pneumonisë dhe kequshqyerjes janë të përhapura dhe autoritetet shëndetësore kombëtare miratojnë ushqyerjen me gji duhet t’i ushqejnë fëmijët e tyre ekskluzivisht me gji për 6 muaj, më pas të prezantojnë ushqimet e duhura plotësuese dhe të vazhdojnë ushqyerjen me gji të paktën deri në ditëlindjen e parë të fëmijës.
Si parim I përgjithshëm ,në të gjitha popullatat pavarsisht nga nivelet e infeksionit ushquerja me gji duhet të mbrohet të nxitet dhe mbështetet
Referenca:
http://www.ishp.gov.al/wp-content/uploads/2015/04/Vellimi-3.pdf
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.