Termi delikuencë i referohet ose diçkaje që është bërë në shkelje të rregullave që nga bërja e një pagese me vonesë deri te sjelljet e pahijshme ose kriminale. Në një kontekst ligjor, delikuenca përdoret më shpesh në lidhje me veprimet e çrregullta ose të paligjshme të kryera nga një i ri.
Në legjislacionin e Shqipërisë çdo vepër penale që ka subjekt të përgjithshëm dhe është e parashikuar si e tillë nga kodi penal, mund të konsumohet edhe nga të miturit.
Por duhet thënë se kodi penal në masën e dënimit, parashikon si masë dënimi për të miturin, jo me shumë se 1/2 e maksimumit që parashikon dispozita.
P.sh. Neni 51 thotë:
Dënimi me burgim për të miturit
Për të miturit, që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç, dënimi me burgim nuk mund të jetë më shumë se gjysma e dënimit që parashikon ligji për veprën penale të kryer.
Po në lidhje me moshat më të vogla? Kodi i Drejtesisë Penale për të mitur, Neni 7 i ligjit 37/2017 thotë: 1. Për qëllime të përgjegjësisë penale për krimet, konsiderohet i mitur, personi i cili ka mbushur moshën 14 vjeç, por jo 18 vjeç në kohën e kryerjes së krimit. 2. Për qëllime të përgjegjësisë për kundërvajtjet penale, konsiderohet i mitur, personi i cili ka mbushur moshën 16 vjeç, por jo 18 vjeç në kohën e kryerjes së kundërvajtjes penale.
Një çështje e rëndësishme për tu adresuar është përqasja nga këndvështrimi I shëndetit mendor të të tilla sjelljeve delinkuente. A ka situate mjekësore që favorizojnë sjellje të tilla tek të rinjtë? A ka prediktorë të mundshëm që duhen njohur për të gjykuar mbi gjasat që mund të ketë një fëmijë më një sjellje të caktuar që të bëhet një adoleshent delinkuent?
Le të shohim shkurtimisht disa diagnoza të shëndetit mendor të fëmijëe me pasoja në ecurinë e jetës së tyre, në termat e delinkuencisë apo kriminalitetit.
Lidhja midis çrregullimit të hiperaktivitetit të deficitit të vëmendjes (ADHD) dhe kriminalitetit është njohur gjithnjë e më shumë si një shqetësim i rëndësishëm shoqëror. Studimet e kryera në mjedise të ndryshme kanë zbuluar shkallë të lartë të ADHD në mesin e shkelësve të ligjit në adoleshencë. Rreziku për sjellje kriminale te individët me ADHD rritet kur ka komorbiditet psikiatrik, veçanërisht çrregullim të sjelljes dhe çrregullim të përdorimit të substancave. Një kërkim sistematik i literaturës së bazave të të dhënave elektronike (PubMed, EMBASE dhe PsycINFO) u krye për të identifikuar studimet potencialisht relevante të botuara në anglisht, në revista të rishikuara nga kolegët. Studimet e kryera në mjedise të ndryshme brenda sistemit gjyqësor dhe në shumë vende të ndryshme sugjerojnë se shkalla e të burgosurve adoleshentë dhe të rritur me ADHD e kalon shumë atë të raportuar në popullatën e përgjithshme; megjithatë, nëndiagnoza është e zakonshme. Në mënyrë të ngjashme, studimet vijuese të fëmijëve me ADHD kanë zbuluar shkallë të lartë të sjelljeve kriminale, arrestimeve, dënimeve dhe burgosjeve në adoleshencë dhe në moshë madhore. Vlerësimi i ADHD dhe gjendjes komorbide kërkon një proces të vazhdueshëm dhe të kujdesshëm. Kur trajtohen shkelësit ose të burgosurit me ADHD, të cilët zakonisht paraqesin çrregullime të tjera shoqëruese psikiatrike komplekse, ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe të përshtatura, ka të ngjarë të nevojiten kombinime të strategjive farmakologjike dhe psikosociale.
C’është ADHD-ja?
Thelbi i diagnozës së çrregullimit të pamjaftueshmërisë së vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) është prania e sjelljeve të papërshtatshme, me nivel të lartë të pavëmendjes, aktivitet i tepruar dhe impulsivitetit. Ndërkohë që nga studimet e prevalencës në SHBA rezulton se ADHD-ja në intervlin moshor 4-17 vjec është 11%. Në adoleshencë afërsisht 2/3 e fëmijëve të diagnostikuar me ADHD, vazhdojnë të kenë probleme. Sjellje impulsive tipike përfshijnë dështim në ruajtjen e marrëdhënieve ndërpersonale, sjellje me rrezik, si përdorimi i drogës apo alkoolit, hyrja në marrëdhënie seksuale të shthurura, zënka dhe përdorim dhune. Shumë adoleshentë me ADHD kanë probleme aq të theksuara me disiplinën, sa mund të shkaktojnë përjashtim nga shkolla e mesme (McCracken, 2000a). Komplikimet sekondare të ADHD-së si vetëvlerësimi i ulët ose mospranimi prej bashkëmoshatarëve, vazhdojnë të sjellin probleme serioze.
Në moshën adulte ADHD-ja mund të vazhdojë, madje vlerësimet tregojnë se 30%-50% e fëmijëve me ADHD kanë simptoma që vazhdojnë në moshën e rritur. Adultët te të cilët ADHD-ja ka qenë e diagnostikuar që në moshën fëminore, kanë një shkallë të lartë impulsiviteti, probleme me drogën, alkoolin, ligjin dhe çrregullime të personalitetit.
Po Çrregullimi I Sjelljes? Le të shohim si shfaqet ai në fëmijërinë e hershme:
Shenjat që tregojnë se fëmija juaj mund të vuajë nga çrregullimi i sjelljes janë më poshtë:
Për fëmijët është e zakonshme të shfaqin probleme të sjelljes, si shpërthime inati e zemërimi, sjellje sfiduese, të kthejnë fjalën dhe të mos dëgjojnë. Me shumë gjasa nuk ka prind të mos jetë përballur me këto sjellje të vështira, që fëmijët mund të bëjnë, ndërkohë përgjatë rritjes ata mësojnë si të kontrollojnë impulset e tyre dhe t’u binden kufizimeve.
Por në disa raste, fëmijët mund të shfaqin sjellje, që mund të jenë pjesë e kategorisë së “sjelljeve agresive” ose sic njihen ndryshe sjellje shkatërruese. Këto sjellje, fëmijët mund t`i shfaqin në shtëpi, shkollë apo tjetërkund dhe ashtu sic thotë Edhe termi, ato kanë potencial të prishin rrjedhën normale të situatave.
Shenjat e Çrregullimit të Sjelljes
Fëmijët me çrregullim të sjelljes mund të shfaqin modele të përsëritura dhe të qëndrueshme të inatit, sjelljes sfiduese, kthim të fjalës, vështrësi në menaxhimin dhe kontrollin e emocioneve të tyre, madje edhe sjellje agresive dhe armiqësore kundrejt të rriturve apo fëmijëve të tjerë. Kjo është një sjellje që mund ta shohësh në cdo fëmijë, por në rastin e fëmijëve me crregullim të sjelljes, ato shfaqen me më shumë intensitet, janë më të shpeshta, të përsëritura dhe më të vështira për t’u kontrolluar.
Nuk është çudi që këto sjellje mund të kenë një ndikim të keq në ecurinë e fëmijës në shkollë dhe në shtëpi dhe mund të ndikojnë edhe në marrëdhënien e tij me prindërit, motrat e vëllezërit, mësuesit dhe bashkëmoshatarët.
Fëmijët, që kanë çrregullime të sjelljes zakonisht injorojnë ose abuzojnë me ndjenjat e të tjerëve qëllimisht si dhe injorojnë të drejtat e njerëzve.
- Shenjat e zakonshme të çrregullimit të sjelljes përfshijnë:
- Abuzojnë kafshët, i godasin, i dëmtojnë ato
- Agresivitet kundrejt njerëzve të tjerë (përfshirë bullizmin apo kërcënimet)
- Sulmojnë të tjerët fizikisht
- Lënë orët e mësimit
- Gënjejnë
- Nuk pranojnë të ndjekin rregullat ose limitet në shtëpi dhe në shkollë (si psh lënia e mësimit)
- Vjedhin
- Abuzojnë me substancat
- Shkatërrojnë
Këto çrregullime të shëndetit mendor me fillim në fëmijëri mund të mjekohen dhe të ndihmohen me terapi psikologjike, individuale, në grup apo/edhe familjare. Ndërgjegjësimi mbi aspeketet shëndetësore të këtyre problematikave hap një dritare të re në mënyrën sesi duhet të adresojmë problemet e fëmijëve që janë shkelës të ligjit.
Raporti i UNICEF mbi fëmijët dhe ligjin
Në lidhje me Kodin penal për fëmijët një raport I vitit 2021 të UNICEF përshkruan gjendjen si më poshtë:
“Edhe pse Shqipëria miratoi Kodin e Drejtësisë Penale për Fëmijët në vitin 2017, duke integruar të gjitha parimet dhe standardet ndërkombëtare për drejtësinë miqësore ndaj fëmijëve në legjislacionin kombëtar, si dhe Strategjinë Kombëtare të Drejtësisë për Fëmijët (2018–2021), zbatimi i plotë i tyre është i vonuar.
Normat shoqërore duhet të jenë të favorshme që fëmijët të kenë akses të barabartë në drejtësi, por mungesa e përgjithshme e besimit ndaj institucioneve dhe besimet shoqërore të rrënjosura thellë, që e bëjnë të papranueshme që fëmijët t’i besojnë një të rrituri jashtë shtëpisë për problemet që ndodhin brenda shtëpisë, i pengojnë fëmijët të kenë akses në sistemin e drejtësisë. Fëmijët e varfër kanë më pak gjasa t’i drejtohen sistemit të drejtësisë për të kërkuar të drejtat e tyre dhe kjo shpesh mbivendoset me faktorë të tjerë, të tillë si: aftësia e kufizuar, gjinia dhe origjina etnike. Tarifat gjyqësore, kostot e përfaqësimit ligjor, distanca me institucionet e drejtësisë, njohuritë e kufizuara për të drejtat e fëmijëve dhe kërkimin e dëmshpërblimit, si dhe mungesa e procedurave me në qendër fëmijët i pengojnë akoma më shumë ata dhe familjet të kenë akses në zgjidhjet juridike.
Një raport i vitit 2016 konfirmon se ndërmjet ligjit dhe praktikës vijon të ekzistojë një hendek i konsiderueshëm. Në të theksohet se shoqërimi nga policia, arrestimi dhe paraburgimi, në shumë raste përbëjnë një formë burgosjeje, duke mos marrë parasysh kontekstin, moshën apo interesat më të larta të fëmijës, dhe kryhen në mungesë të vlerësimit profesional të gjendjes psikologjike dhe zhvillimore të fëmijës. Në Raportin e vitit 2019, Ministria e Drejtësisë pranoi se nuk kishte arritur të realizonte sigurimin e ndihmës ligjore pa pagesë ndaj fëmijëve”.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.