Shëndetin mendor e sēmundjet mendore në Shqipëri sipas INSTAT

Cfarë kuptojmë më shëndet mendor?

Shëndeti mendor përfshin mirëqenien tonë emocionale, psikologjike dhe sociale. Ai ndikon në mënyrën se si ne mendojmë, ndjejmë dhe veprojmë. Ai gjithashtu ndikon mënyrën se si e trajtojmë stresin, si lidhemi me të tjerët dhe si bëjmë zgjedhje në jetë. Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo fazë të jetës, nga fëmijëria dhe adoleshenca deri në moshën madhore.

Shëndeti mendor është më shumë se mungesa e çrregullimeve mendore. Ai ekziston në një vazhdimësi komplekse, e cila përjetohet ndryshe nga një person tek tjetri, me shkallë të ndryshme vështirësie dhe shqetësimi dhe potencialisht rezultate shumë të ndryshme sociale dhe klinike.

Faktorët që ndikojnë në shëndetin mendor

Gjatë gjithë jetës sonë, përcaktues të shumtë individualë, socialë dhe ambientalë mund të kombinohen për të mbrojtur ose dëmtuar shëndetin tonë mendor dhe për të ndryshuar pozicionin tonë në vazhdimësinë e shëndetit mendor.

Faktorët individualë psikologjikë dhe biologjikë si aftësitë emocionale, përdorimi i substancave dhe gjenetika mund t’i bëjnë njerëzit më të prekshëm ndaj problemeve të shëndetit mendor. Ekspozimi ndaj rrethanave të pafavorshme sociale, ekonomike, gjeopolitike dhe mjedisore, duke përfshirë varfërinë, dhunën, pabarazinë dhe privimin mjedisor, rrit gjithashtu rrezikun e njerëzve për të përjetuar kushte të shëndetit mendor.

Rreziqet mund të shfaqen në të gjitha fazat e jetës, por ato që ndodhin gjatë periudhave të ndjeshme të zhvillimit, sidomos në fëmijërinë e hershme, janë veçanërisht të dëmshme. Për shembull, prindërimi i ashpër dhe ndëshkimi fizik dihet se ndikojnë shëndetin e fëmijëve, e po ashtu bullizmi është një faktor rreziku i rëndësishëm për kushtet e shëndetit mendor.

Faktorët mbrojtës janë të pranishëm në mënyrë të ngjashme gjatë gjithë jetës sonë dhe shërbejnë për të forcuar reziliencën. Ato përfshijnë aftësitë dhe atributet tona individuale sociale dhe emocionale, si dhe ndërveprime pozitive sociale, arsim cilësor, punë përmbushëse, lagje të sigurta dhe kohezionin e komunitetit, ndër të tjera.

Cfarë është sëmundja mendore?

Një sëmundje mendore, nga ana tjetër, është një çrregullim i diagnostikueshëm në bazë të disa kritereve të mirëpërcaktuara. Mund të shkaktohet nga faktorë si gjenetika, kimia e trurit apo trauma. Çdokush mund të vuajë nga një sëmundje mendore, pavarësisht nga mosha, klasa socio-ekonomike, gjinia apo raca. Një sërë faktorësh mund të kontribuojnë në rrezikun për sëmundje mendore, si p.sh përvojat e hershme negative të jetës, të tilla si trauma ose një histori abuzimi (për shembull, abuzimi me fëmijët, abuzimi seksual, luftërat, dhuna etj.), përvojat që lidhen me gjendje të tjera mjekësore (kronike), të tilla si tumoret ose diabeti, faktorë biologjikë ose diseikulibrat kimike të trurit, përdorimi i alkoolit ose drogave etj.

Sëmundjet mendore komplikojnë shëndetin mendor duke ndikuar në mënyrën se si një person ndihet, mendon, vepron ose e përjeton botën. Megjithëse termat shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjelltë, shëndeti i varfër mendor dhe sëmundja mendore nuk janë e njëjta gjë. Një person mund të përjetojë shëndet jo të mirë mendor dhe në të njëjtën kohë të mos diagnostikohet me një sëmundje mendore. Po kështu, një person i diagnostikuar me një sëmundje mendore mund të përjetojë periudha të mirëqenies fizike, mendore dhe sociale.

Prevalenca e sëmundjeve mendore

Sëmundjet mendore janë ndër problematikat më të zakonshme shëndetësore të botës së sotme. Sipas Our World in Data, më shumë se 1 në 10 njerëz në botë vuan nga një çrregullim i shëndetit mendor, ndonëse ato mbeten ende gjerësisht të nën-raportuara. Ankthi është sëmundja më e zakonshme mendore në botë, që prek 284 milion njerëz, dhe globalisht, sëmundjet mendore prekin më shumë femra (11.9%) sesa meshkujt (9.3%). Sipas një studim të botuar nga Lancet Psychiatry , kostoja totale e trajtimit të çrregullimeve të ankthit dhe depresionit në 36 vende të botës vlerësohet të jetë 147 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

Prevalenca botërore e çrregullimeve të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët vlerësohet të jetë 13.4%, duke përbërë një nga shkaqet më të zakonshme të vuajtjes, vdekshmërisë dhe paaftësisë tek të rinjtë. Përveç kësaj, çrregullimet mendore tek të rinjtë kanë një ngarkesë të madhe ekonomike në shoqëri.

Të dhënat e INSTAT për shëndetin mendor në Shqipëri

Botërisht shëndeti mendor ka qenë dhe mbetet tejet i nënvlerësuar krahasuar me shëndetin fizik dhe atë ekonomik, kjo ngase perceptohet si i paprekshëm dhe i padukshëm, por në fakt është ai në sajë të të cilit çdo gjë tjetër (keq/mirë) funksionon. Situata nuk paraqitet shumë më ndryshe në vendin tonë, e mungesa e të dhënave të sakta në këtë sektor nuk e ndihmon situatën. Në faqen online të INSTAT (2019) gjenden disa të dhëna të lidhura me shërbimin spitalor, mbi numrin e shtretërve për këtë shërbim (635), e po ashtu numrin e mjekëve që punojnë në shërbimin spitalor të shëndetit mendor, i cili duket të jetë ende shumë i ulët (25 të tillë). Më pak dihet për nivelet e tjera të shërbimeve, shërbimet e ofruara nga tregu privat apo masat e marra në nivel popullate në lidhje me ndërhyrjen në faktorët e drejtëpërdrejtë impaktues të shëndetit mendor.

E gjithë kjo nxjerr në pah nevojën për më shumë vëmendje në fushë. Shpenzimi i 2% të buxheteve kombëtare të shëndetit për shëndetin mendor duket se nuk mjafton. Sistemet shëndetësore në të gjithë botën ende nuk i janë përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave të popullatës për burime të ndihmës në lidhje me shëndetin mendor. Hendeku midis nevojës për trajtim dhe ofrimit të tij është i gjerë në të gjithë botën, ndërkohë që nevoja nuk kufizohet vetëm te burimet e profesionistëve dhe institucioneve për ata që vuajnë nga një çrregullim. Ato shtrihen në nevoja më të gjera që targetojnë grupe më të mëdha, si mbështetje sociale, duke përfshirë mbështetjen në zhvillimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve personale e familjare, mbështetje për programe arsimore e edukuese, këshillin e psikoterapi, punësim, strehim apo pjesëmarrje në aktivitete të tjera kuptimplota.

Parandalimi I crregullimeve mendore dhe promovimi I mirëqenies mendore

Gjithë këto fakte nxjerrin në pah rëndësinë e parandalimit të çrregullimeve mendore, por edhe të promovimit të shëndetit të mirë mendor. Ndërsa parandalimi i çrregullimeve mendore ka marrë tashmë rëndësi klinike në psikiari, promovimi i shëndetit mendor ka pasur pak vëmendje kërkimore, duke pasur studime të fragmentuara deri në vitet e fundit.

Drejtimet kryesore të cilat lidhen me një shëndet të mirë mendor janë përcaktuar kohët e fundit dhe përfshijnë 14 fusha: qëndrimin ndaj çrregullimeve mendore, perceptimi ndaj vetes dhe vlerat personale, aftësitë njohëse, performanca akademike/profesionale, emocionet, sjelljet, strategjitë e vetë-menaxhimit, aftësitë sociale, marrëdhëniet familjare dhe marrëdhëniet e tjera të rëndësishme, shëndeti fizik, shëndeti seksual, kuptimi i jetës dhe cilësia e jetës.

Promovimi i shëndetit të mirë mendor dhe trajtimi i sëmundjeve mendore mund të kërkojë shpesh të njëjtat masa. Ndërhyrjet e deritanishme për parandalimin dhe promovimin e një shëndeti të mirë mendor janë kategorizuar në universale dhe selektive, ku ndërhyrjet universale synojnë publikun e gjerë ose një grup të tërë popullsie që nuk është identifikuar në bazë të rrezikut në rritje, ndërsa ndërhyrjet selektive synojnë individë ose nëngrupe të popullsisë, rreziku i të cilëve për të zhvilluar një çrregullim mendor është dukshëm më i lartë se mesatarja, siç dëshmohet nga faktorët e rrezikut biologjik, psikologjik ose social.

Janë provuar ndërhyrje të ndryshme për të promovuar një shëndet të mirë mendor tek individët e shëndetshëm, më shpesh psikoedukimi dhe psikoterapia por gjithashtu edhe terapia fizike, terapia e asistuar nga kafshët apo terapia e artit. Deri më sot, efikasiteti për secilën nga ndërhyrjet e mësipërme mbetet i panjohur, megjithatë janë ndërmarrë studime që kanë synaur të hulumtojnë më shumë mbi çështjen. Kështu një rishikim i literaturës i ECNP në 2020 gjeti që psikoedukimi ishte ndërhyrja më efektive për promovimin e njohurive të shëndetit mendor dhe aftësive njohëse ndërsa terapia fizike, ushtrimet dhe relaksimi ishin më efektive se psikoedukimi dhe psikoterapia për promovimin e shëndetit fizik.

Roli I emergjencave të shëndetit publik në shëndetin mendor

Pandemia nga Covid-19 ka qenë një ndër faktorët më të rëndësishëm reçentë që kanë ndikuar këta faktorë përcaktues të shëndetit mendor. Një studim i viteve të fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2020) realizuar në 130 vende të ndryshme të botës, nxjerr si përfundim se shërbimet e shëndetit mendor kanë pasur një mosfunksionim në shkallë të gjerë, veçanërisht në ofrimin e shërbimeve bazike të shëndetit mendor. Më specifikisht, mbi 60% e vendeve kanë raportuar mosfunksionim të shërbimeve të shëndetit mendor për grupet vulnerabël, përfshirë këtu fëmijët dhe adoleshentët (72%), të rriturit (70%) dhe gratë që kishin nevojë për shërbime para lindjes dhe pas lindjes (61%). Kjo e dhënë globale është mjaft shqëtesuese veçanërisht në rrethanat e pazakonta të krijuara nga situata pandemike, ku grupet më të ndjeshme dukshëm përballen me një pandemi të dyfishtë, ndoshta edhe më të rëndë sesa ajo e virusit të ri.

  1. Centers for Disease Control and Prevention. (2021, June 28). About mental health. Retrieved August 4, 2022, from https://www.cdc.gov/mentalhealth/learn/index.htm
  2. Salazar de Pablo et al. (2020). Universal and selective interventions to promote good mental health in young people: Systematic revieë and meta-analysis. European neuropsychopharmacology:: the journal of the European College of Neuropsychopharmacology, 41, 28–39. https://doi.org/10.1016/j.euroneuro.2020.10.007
  3. World Health Organization. (n.d.). Mental disorders. Ëorld Health Organization. Retrieved August 10, 2022, from https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/mental-disorders
  4. Chisholm, D., Sëeeny, K., Sheehan, P., Rasmussen, B., Smit, F., Cuijpers, P., & Saxena, S. (2016). Scaling-up treatment of depression and anxiety: a global return on investment analysis. The lancet. Psychiatry, 3(5), 415–424. https://doi.org/10.1016/S2215-0366(16)30024-4
  5. World Health Organization. (n.d.). Covid-19 disrupting mental health services in most countries, who survey. World Health Organization. Retrieved August 10, 2022, from https://ww.who.int/news/item/05-10-2020-covid-19-disrupting-mental-health-services-in-most-countries-who-survey
  6. Treguesit e shëndetit publik. (n.d.). Retrieved August 10, 2022, from http://www.instat.gov.al/media/6116/treguesit-e-shendetit-publik-2018.pdf

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.