Pandemia covid-19 reduktoi numrin e shtrimeve spitalore në Shqipëri,por me c’kosto?

Të dhëna të përgjithshme

Me shfaqjen për herë të parë në Dhjetor 2019 e der më sot, gati 2 vite më pas, virusi SARS-CoV-2 duket se ka infektuar rreth 600 milionë njerëz, 35% nga të cilët kanë humbur jetën. Përvec humbjeve të mëdhaja që shkaktoi, kjo pandemi arriti të ndryshonte shumë nga veprimtaritë tona të përditshme, marrëdhëniet me njerëzit dhe nuk la pas as sistemin shëndetësor. Një zinxhir i gjatë dhe kompleks mbi të cilin qëndron shëndetësia u ndikua në shumë prej hallkave të tij, duke nisur që te aksesi për ndihmën e parë i dhënë nga qëndrat shëndetësore, e deri te spitalet rajonale e terciare sic është dhe QSUT.

Shtrimet në Spital, shpeshtësia dhe grup-diagnozat

Nga një raport mbi menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme në kushte emergjencash shëndetësore të hartuar nga ekspertët e shëndetit publik, rezulton se shtrimet spitalore përgjatë vitit pandemik 2020, kanë rënë në mënyrë të rëndësishme prej 50% në të gjitha grup diagnozat. Megjithatë duket se dhe ndërmjet këtyre grup-diagnozave ka diferenca, ku reduktimin më të lartë të shtrimeve në spital duket ta kenë sëmundjet jo-të transmetueshme të mushkërive, diabeti, sëmundjet e traktit gastro-intestinal, ato të SNQ dhe hipertensioni me 70%. Ulje të numrit të shtrimeve në spital raportojnë dhe shtetet e huaja ku sipas OBSH shkak për këtë është kufizimi i shërbimeve për sëmundjet jo të transmetueshme deri në 75% pergjate pandemise.

Është e vërtetë se pandemia COVID-19 ka pasur një mortalitet mjaft të lartë në vendin tonë me 3.576 vdekje për 326.000 raste, por gjithashtu e kanë dhe sëmundjet kardio vaskulare. Sipas një raporti të INSTAT, në vendin tonë sëmundjet e aparatit kardio-vaskular kryesojnë si grup-sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë me 53.2%, duke u ndjekur nga sëmundjet tumorale me një prevalencë shumë më të ulët prej 16.9%. Le të shikojmë se si kanë bashkëekzistuar këto dy grup sëmundjesh gjatë periudhës së pandemisë dhe si kanë ndikuar ato te njëra tjetra.

Sa u përmend më lart, ulja e përgjithshme e shtrimeve spitalore vërtetohet edhe njëherë nga një tjetër studim i kryer nga mjekët e pavionit të kardiologjisë. Sipas këtij observimi konstatohet reduktim në numrin e pacientëve përgjatë periudhes 1 mujore të karantinës, që nga raportimi i rastit të parë të infektuar me COVID-19, 9 Mars 2020 deri në 30 Prill 2020, krahasuar kjo me të njëjtin interval kohor një vit para pandemisë 2019 si dhe një vit pas saj 2021. Specifikisht sindromat koronare akute dhe infarkti akut i miokardit janë reduktuar me 28% krahasimisht me vitin pararendës. Nuk dihet me siguri përse ka ardhur ky reduktim dhe si ka ndikuar virusi SARS, por mendohet të jenë pak a shumë të njëjtët faktorë që kanë ndikuar gjithashtu në uljen e frekuencës së shtrimeve edhe në pavionet e tjera. Po i njëjti studim evidenton se krahas uljes së pranimeve në pavionin e kardiologjisë, mortaliteti nga shkaqe kardiake është rritur. Shkaqet më të mundshme që kanë krijuar këtë situatë mendohet të lidhen me masat kufizuese të karantinës të cilat vështirësonin lëvizjen, dhënia prioritet e rasteve të infektuara me COVID si dhe njëkohësisht frika e infektimit nga virusin pranë ambjenteve spitalore i zmbraps pacientët kronikë të paraqiten për ndihmë. Ndërkohë që para pandemisë procedurat e kontrollit të tipit të koronaroangiografisë dhe ndërhyrjet koronare perkutane parësore kanë qenë më të larta dhe si rrjedhojë kanë mundur të paraprijnë përfundimet fatale në shumë pacientë. Përvec këtyre dy elementeve, variabla të tjerë të marrë në studim duket se nuk kanë ndryshuar në krahasim me periudhën jashtë karantinës. Këtu mund të përmendim mbizotërimin e infarktit të degës së majtë përgjatë të dyja periudhave kohore.

Sa më sipër u pa se masat kufizuese të vendosura për parandalimin e përhapjes së infektimit me COVID-19 patën një ndikim mjaft të madh në pavionin e kardiologjisë. Nga ana tjetër nuk mund të mos përmendim ndikimin e vetë virusit në sistemin kardio-vaskular. Prekja kardiake mund të jetë e vetme ose e bashkëshoqëruar me komplikacione pulmonare apo organeve të tjera. Janë raportuar shumë raste kur pacientë të infektuar me COVID kanë paraqitur më pas disa simptoma karakteristike si shtrëngim apo dhimbje në kraharorin e majtë. Shoqata Kardiovaskulare Amerikane në Cikago ka hulumtuar se si mundet virusi COVID-19 të inflamojë/prekë qelizat e muskulit të zemrës dhe të pasojë në dëmtime të mëtejshme. Mbështjëllja virale e coronavirusit zakonisht përbëhet nga tre proteina: proteina membranore (M), proteina envelope (E), dhe proteina SPIKE (S). Është pikërisht kjo e fundit përgjegjëse për infektimin e miokardit. Kjo përbërje glikoproteinike transmembranore që ndodhet dhe në shumë viruse të tjëra ka në strukturën e saj subunitetin S1 dhe S2, ku i pari është dhe përgjegjës për penetrimin e virusit brenda qelizave bujtëse të të gjitha organeve. Me të njëjtin mekanizën virusi invadon dhe miocitet kardiake duke shkaktuar më pas një process inflamator. Është njëkohësisht kjo proteinë SPIKE e cila targetohet nga vaksinat anti-COVID, prandaj dhe vaksinimi është i rëndësishëm në parandalimin e kësaj sëmundje. Si rezultat shfaqjet klinike kardiake që pasojnë infektimin me COVID mund të jenë sindromi koronar akut, insuficiense kardiake kongjestive, miokardit, aritmi si dhe probleme me koagulimin e gjakut që tashmë janë mirë të njohura. Komplikacionet kardiake janë raportuar përgjithësisht në fazat përfundimtare të dekursit klinik të një pacienti, në ndryshim kjo nga simptomat dhe problemet respiratore që i përkasin fillimit të sëmundjes. Ekzistencën e kësaj marrëdhënie e vërtëton edhe fakti se gati gjysma e vdekjeve nga COVID kanë ardhur për shkaqe të komplikacioneve kardiake.

Si përfundim mund të themi se pandemia e reduktoi numrin e shtrimeve spitalore pothuajse në të gjitha pavionet përfshirë dhe atë të kardiologjisë. Megjithatë sado lajm i mirë të duket ky, nuk është një pasojë e dëshiruar konsideruar sëmundshmërinë dhe mortalitetin i cili vazhdoi të persistojë në shifra të larta. Gjithashtu impakti i pandemisë në sistemin shëndetësor ne tërësi duket se do te jetë afatgjatë, kjo për shkak të rritjes së rasteve që ngelën të pa diagnostikuara gjatë kësaj periudhe, si dhe rritjes së komplikacioneve kardiovaskulare apo respiratore te personat që kaluan COVID.

http://www.instat.gov.al/media/6558/vsr-alb.pdf

https://www.cureus.com/articles/104266-ongoing-covid-19-pandemic-effects-on-admissions-and-in-hospital-outcomes-in-patients-ëith-st-elevation-myocardial-infarction-stemi-an-albanian-observational-study
https://www.cureus.com/articles/33694-effect-of-covid-19-on-the-organs%20-%20references

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.