Pak stres mund të ndihmojë të rinjtë që të mësojnë të përballen me të.

Një studim i kryer te majmunët përforcon idenë se stresi në nivel mesatar mund të na bëjë mirë

Vështirësite e jetës në fëmijëri, për shembull të qenit i pastrehë ose humbja e prindit janë ngjarje të tmerrshme. Edhe më keq akoma është kur mendon se çfarë vështirësish të presin më tej. Një jetë pa stres do duhet të ishte mundësia më e mirë. Por kjo e fundit jo domosdoshmërisht është mundësia më e mirë, sipas asaj që tregojnë disa studime në ditët e sotme. Një sasi e vogël stresi mund të ndihmojë fëmijët që të ndërtojnë një shëndet mendor më të fortë e të qëndrueshëm.

“Ne mësojmë ta përballojmë stresin duke u përballur me të,” thonë psikobiologët e zhvillimit të cilët merren me studimin e mënyrave sesi trupi ynë përballet me stresin.

Të ndihesh i dërrmuar nga një faktor stresues i fuqishëm, si abuzimi apo vdekja e një prej prindërve, mund të krijojë një ndjesi pafuqie. Kjo i bën njerëzit të frikësohen se mund të ndodhë përsëri, pasi një përvojë stresuese na tregon se “bota është e egër. Por njeriu mund t’ia dalë mbanë, sidomos kur ka ndihmën e familjes dhe miqve, duke bërë që të ndjehen më të fortë për herën tjetër.

Puberteti mund të ndryshojë trurin dhe sjelljet

Ripërtëritja është aftësia për t’u ringritur pas një përvoje të keqe. Në një studim të 2010-ës studiuesit donin të kuptonin se si dhimbja dhe stresi ndikonin në aftësinë ripërtëritëse. Ata intervistuan 2398 të rritur në SHBA. Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me shëndetin e tyre mendor dhe mirëqënien në tërësi, si dhe përcaktuan nëse kishin fatkeqësi të ndryshme dhe në c’shkallë. P.sh., një sëmundje të rëndë ose një divorc në familje.

Ky studim tregoi se të rriturit që kishin përjetuar ndonjë fatkeqësi raportuan për më pak simptoma psikologjike stres-shkaktuese se sa ata që nuk kishin përjetuar ndonjë fatkeqësi. Gjithashtu ata ia kishin dalë më mirë në jetë, se sa ata që e kishin kaluar fëmijërinë me shumë më pak vështirësi.

Universiteti i Standfordit në Kaliforni raportoi disa të dhëna në një artikull të botuar në 2019-ën në revistën Scientific Reports në lidhje me hipotezën e mësipërme. Nuk ishte etike që të përzgjidhje në mënyrë rastësore njerëz që të përjetonin ngjarje të tilla stresuese ndaj këto sjellje u studiuan te majmunët, të cilët ende nuk kishin arritur pubertetin. Këta majmunë përjetuan nivele të ndryshme stresi.

Majmunët “pa stres” shijuan një jetë të zakonshme në laborator. Ata ishin vendosur në kafaz së bashku me mamanë e vëllezërit. Kishin mjaftueshëm ujë dhe ushqim. Ata kishin gjithashtu edhe lodra. Grupi i dytë u përball me një farë stresi. Ata kaluan një orë në ditë larg vëllezërve për 10 ditë rresht. Stresi u rrit ca për grupin e tretë. Këta majmunë u ndanë çdo ditë prej vëllezërve dhe nuk mund të takonin as mamanë përgjatë asaj ore. Dy grupe të tjerë përjetuan ndarjen çdo ditë si nga vëllezërit ashtu edhe e ëma. Atyre gjithashtu iu bë edhe nga një injeksion si një faktor stresi shtesë.

Stresi përgjatë viteve të hershme të jetës ndikon në aftësitë ripërtëritëse

image (28)

Grupi i majmunëve në laborator, të ekspozuar ndaj stresit të lehtë ose mesatar (pikat e verdha ose të kuqe) shfaqën vlera më të ulëta të ankthit krahasuar me majmunët që nuk ishin ekspozuar ndaj stresit ose ishin ekspozuar ndaj niveleve të larta të stresit (pikat e zeza dhe të bardha)

Dhjetë javë më vonë, secili nga majmunët u zhvendos së bashku me të ëmën në një kafaz të panjohur. Studiuesit vlerësuan gadishmërinë e majmunëve për t’u larguar nga e ëma dhe për të ekploruar vendin e ri. Studiuesit gjithashtu analizuan nivelet e hormonit të stresit, kortizolit, në gjakun e kafshëve. Gjaku u mor para, gjatë dhe pas çdo here që kalonin kohë në një kafaz të ri.

Në tërësi, majmunët që ishin përballur me një ose dy stresorë (grupi 2 dhe 3) shkëputeshin më lehtë nga mamaja se sa ata të dy grupeve të fundit. Ata ishin gjithashtu më të gatshëm për të eksploruar mjedisin rreth tyre. Në përgjithësi ata treguan nivele më të ulëta ankthi se sa grupet pa ekspozim ndaj stresit ose ata të ekspozuar ndaj nivele të larta të stresit.

Modelet e vlerave të kortizolit te majmunët pasqyronin po këtë prirje. Te kafshët, që ishin ekspozuar ndaj nivele të lehta ose të mesme të stresit, u vu re se piku i nivelit të kortizolit binte më shpejt se sa në grupet e tjera.

Të rritesh i shëndetshëm nënkupton edhe të mësosh si të përballesh me sfidat dhe ngjarjet që kanë ngarkesë të lehtë ose mesatare stresi.

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.