Ndryshimet klimatike dhe ndikimi në shëndetin mendor

Gjendja klimaterike përgjatë dy dekadave të fundit

Ndryshimet klimatike përbëjnë një nga sfidat më të mëdha të kohëve tona, e sidomos përgjatë këtyre 20 viteve të fundit konsiderohet si një emergjencë globale. Sipas Kombeve të Bashkuara ndryshimet klimatike i referohen ndryshimeve afatgjata të temperaturave dhe modeleve të motit. Këto ndryshime apo zhvendosje mund të jenë natyrale, sikurse ndodh përmes ndryshimeve të ciklit diellor. Por, që prej vitit 1800, veprimtaria njerëzore është shndërruar në shkaktarin kryesor të ndryshimeve klimatike, kryesisht përmes lëndëve djegëse fosile, si qymyri, nafta e gazi.

Djegia e lëndëve fosile prodhon efektin serë përmes emetimit të gazrave, i cili më pas vepron si një batanije e mbështjellë përreth Tokës, duke penguar nxehtësinë e diellit dhe duke rritur temperaturat. Shembuj të gazrave që shkaktojnë efektin serë përfshijnë dioksidin e karbonit dhe metanin. Këta prodhohen nga përdorimi i naftës kur ngasim makinën ose qymyrin për t’u ngrohur. Po ashtu prerja e pyjeve është një tjetër faktor që ndikon, si dhe landfillet e djegies së mbeturinave mbeten burimi kryesor i emetimit të metanit në atmosferë.

Përqëndrimi i gazrave që shkaktojnë efektin serë janë në nivelet më të larta të këtyre 2 milionë vjetëve.

Dhe emetimi i këtyre gazrave vazhdon të rritet. Si pasojë, Toka, tani është rreth 1,1°C më e ngrohtë se sa ishte në fund të viteve 1800. Dekada e fundit (2011-2020) ka qënë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.

E ndërkohë që shumë njerëz mendojnë se ndryshimet klimatike kanë të bëjnë vetëm rritjen e temperaturave. Por, rritja e temperaturave është vetëm fillimi i historisë. Toka është një system, ku cdo gjë është e ndërlidhur, ndryshimet në një fushë ndikojnë në të gjithë të tjerat. Tashmë pasojat e ndryshimeve klimatike përfshijnë, ndër të tjera, thatësira ekstreme, tharje të lumenjve, zjarre të shumta, përmbytje, rritje të nivelit të detrave, shkrirje të akullnajave, stuhi shkatërrimtare dhe pakësim të biodiversitetit, shumëllojshmërisë së gjallesave.

Strategjia Kombëtare për Ndryshimet Klimatike në Shqipëri 2020-2030 është një iniciative e mbështetur nga Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD). Nga kërkimet e MIA-s rezulton se është duke u realizuar Plani Kombëtar i Veprimit, PKV për Shqipërinë është konceptuar si proces afat-gjatë dhe ndër-sektorial. Ai konsiderohet dhe njihet si Plani Kombëtar i Përshtatjes (PKP), i cili u shpall zyrtarisht nga Zv/Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në shkurt 2015. Kjo strategji ka planifikuar ndërhyrje e përshtatje në disa sektorë si në turizëm, bujqësi e zhvillim rural, në menaxhimin e ujrave, në territor infrastrukturë dhe energjitikë, si edhe në shëndetësi, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve të këtyre fushave në kuadrin e ndryshimeve klimaterike globale.

Më shumë informacion në këtë strategji Shqipëtare jep linku https://www.wfd.org/Albania

Ndryshimet klimaterike e ndikimi në shëndet

Njerëzit janë duke i përjetuar këto ndryshime klimatike në mënyra të ndryshme. Këto ndryshime mund të ndikojnë në shëndetin tonë, në aftësinë për të prodhuar prodhime bujqësore e rrjedhimisht ushqim, mund të ndikojë në sigurinë e jetës dhe të punës sonë. Disa prej nesh janë tashmë më të prekur dhe më të rrezikuar nga ndikimi i këtyre ndryshimeve, si njerëzit që jetëojnë në ishuj të vegjël apo ata që jetojnë në vende në zhvillim. Gjëndje si, rritja e nivelit të detit dhe depërtimi i ujit të kripur ka përparuar aq shumë në disa vende sa komunitete të tëra njerëzish janë detyruar që të zhvendosen nga vendbanimet e tyre, ndërkohë që thatësirat e zgjatura po i përballin njerëzit gjithmonë e më tepër me krizën e urisë. Në të ardhmen numri i “refugjatëve të klimës” mendohet që të jetë në rritje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH-ja, i konsideron ndryshimet klimatike si rrezikun më të madh të shëndetit me të cilin po përballet njerëzimi. Profesionistët e shëndetit kudo nëpër botë kanë nisur që të reagojnë ndaj kësaj dukurie dhe të japin përgjigje për problemet e mundshme shëndetsore që rrjedhojnë nga kjo krizë e re që po shpërfaqet.

Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) ka arritur në përfundimin që për të shmangur ndikime katastrofike në shëndetin e njerëzve dhe për të parandaluar miliona vdekje që mund të vijnë si pasojë e këtyre ndrysimeve, bota duhet ta kufizojë rritjen e temperaturës në 1,5°C. Emetimet e mëparshme kanë bërë ndryshime në rritjen e vlerës së temperaturës në botë dhe kanë shkaktuar ndryshime të parikthyeshme. Rritja e temperaturës me 1,5°C nuk konsiderohet e sigurt, e megjithatë, cdo shtesë me 0,10°C e temperaturave mund të shkaktojë dëmtime serioze në jetët dhe shëndetin e njerëzve.

Ndonëse askush nuk është i sigurt ndaj këtyre rreziqeve, shëndeti i njerezve që po dëmtohet më së shumti dhe më rëndë, i përket atyre njerëzve që kanë kontribuar më pak në shkaktimin e kësaj krize dhe që janë më pak të aftë për të mbrojtur veten dhe familjarët e tyre nga këto ndikime – njerëzit e vendeve me të ardhura të pakta dhe shtete e komunitete me vështirësira të shumta.

Faktorët mjedisorë duket se po marrin gjithmonë e më tepër rëndësi në psikiatri për shkak se ata mund të ndikojnë në krijimin e defekteve kongenitale, të dëmtojnë neurozhvillimin e fëmijëve, madje mundet edhe që të nxisin shfaqjen e çrregullimeve të ndryshme psikiatrike, apo sikurse mundet që të ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve psikosomatike e atyre neurologjike. Klima mund të prodhojë dukuri të fuqishme me një ndikim shkatërrimtar në shoqërinë njerëzore. Fatkeqësitë natyrore krijojnë një lloj tjetër shqetësimi psikologjik dhe psikopatologjik krahasuar me ndryshimet normale klimatike sezonale, sikurse është parë kur kanë ndodhur tornado, përmbytje apo edhe thatësira. Psikiatria vetëm kohët e fundit ka nisur që të përballet me ndryshimet klimatike, ndonëse ende studimet rreth ndikimit të këtyre ndryshimeve në shëndetin mendor duket të jenë të pakta dhe disi të vonuara në kohë.

Ndryshimet klimaterike dhe shëndeti mendor

Një artikull i botuar në revistën Frontiers in Psychiatry në vitin 2020 ka arritur të bëjë një përmbledhje të artikujve e studimeve të ndryshme që kërkonin të gjenin një lidhje ndërmjet ndryshimeve klimatike dhe ndikimit që kanë patur në shëndetin mendor. Artikujt që u shqyrtuan ishin pjesë e PubMed, EMBASE dhe librarisë Cochrane, të botuar deri në fund të vitit 2019.

Ajo që u vu re në përfundim të rishikimit të këtyre artikujve ishte se pasojat në shëndetin mendor nga ndryshimet klimatike nisnin që nga një periudhë e shkurtër stresuese, në shqetësime të ndryshme psikologjike e deri në shfaqjen e çrregullimeve psikiatrike, duke filluar nga ankthi dhe çrregullimet e gjumit e deri te depresioni, stresi pas traume dhe mendime për vetëvrasje. Pasoja të tjera mund të përfshijnë ndikimin që mund të ketë te njerëzit apo komunitete të ndryshme në jetën e tyre të përditshme, në mënyrën e të perceptuarit dhe të kuptuarit të ndryshimeve, nevojën për t’u përballur dhe për t’u përgjigjur në mënyën e duhur ndaj këtyre dukurive dhe pasojave që sjellin.

Një numër i madh njerëzish, që ekspozohen ndaj fatkeqësive natyrore klimatike përjetojnë nivele të larta të stresit si dhe mund shqetësime të rëndësishmë të shëndetit mendor. Si pasojë e ndryshimeve klimatike disa fatkeqësi natyrore do jenë përherë e më të shpeshta. Për fat të keq, reagimi ndaj këtyre ngjarjeve që përfshin ndërprerjen e përditshmërisë, humbjen e jetëve të njerëzve, pakësimin e burimeve financiare, natyrore, humbjen e mbështetjes sociale apo edhe të ndërveprimit social, zhvendosjet massive të njerëzve, do të jetë shfaqja e çrregullimit të stresit pas trauma, depresionit, ankthit të përgjithësuar, rrijte e abuzimit me substance dhe mendime vetëvrasëse.

Pasoja të mëvonshme do të ketë edhe për të mbijetuarit, sikurse mund të jetë pakësimi i veprimtarive të përditshme dhe humbja e ndjësisë së “përkatësisë” me vendin e tyre. Këto gjëndje mund të ndikojnë dhe të rrisin rrezikun për probleme të shëndetit mendor. Nga ana tjetër, lajmet rreth ndryshimeve klimatike e ngrohjes globale iu shkaktojnë njerëzve ndjesi pasigurie dhe stresi, madje edhe depression e ndjesi të të qënit i pafuqishëm për të bërë diçka. Impakti konkret i këtyre ndryshimeve në jetë sjell me vete lloje të ndryshme të reagimeve psikopatologjike ndaj këtyre ndodhive.

Në mënyrë të përmbledhur, ndikimi i menjëhershëm lidhet me gjithë dukuritë natyrore ekstreme (si përmbytjet, uraganet, zjarret e pyejeve, etj), të cilat në mënyrë të menjëhershme ekspozojnë njerëz të pambrojtur dhe të pashpresë ndaj dëmtimeve si fizike ashtu edhe mendore. Ndikimi subakut përfshin emocionet e fuqishme të përjetuara nga njerëzit, të cilët dëshmojnë dhe vëshgojnë këto ndryshime klimatike në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, si ankthi i lidhur me pasigurinë për mbijetesën e njerëzimit dhe gjallesave të tjera dhe në fund, ndjesinë e të ndjerit në kurth dhe pamundësisë për të vepruar. Pasojat afatgjata përshfaqen në një trajtë tjetër, në atë të ndikimit në një shkallë më të gjerë në shoqëri dhe komunitete të caktuara, që marrin formën e dhunës, vështirësive përballë burimeve të kufizuara, zhvendosjeve drejt vendeve të tjera dhe detyrimit për të migruar diku më larg, çrregullime të përshtatjes pas fatkeqësive dhe stresi kronik mjedisor.

Ndikimet e ndryshimeve klimatike mund të jenë të drejtëpërdrejta ose jo, të menjëhershme ose afatgjata, e duket se deri më tani po sjellin ndryshime që vijnë me të njëjtin mekanizëm sikurse ndryshimet që ndodhin në çrregullimin e stresit pas traume. E megjithatë mbetet ende shumë për t’u studiuar e shumë të panjohura nap resin.

Kriza klimatike po kërcënon jetët tona në të gjithë drejtimet ndaj edhe masat për ta ndagalësuar sa më shumë ritmin e këtyre ndryshimeve duken të jenë një emergjencë botërore.

Referenca

Cianconi P, Betrò S and Janiri L (2020) The Impact of Climate Change on Mental Health: A Systematic Descriptive Review. Front. Psychiatry 11:74. doi: 10.3389/fpsyt.2020.00074

United Nations 2022, Climate Change

WHO. Mental health action plan 2013-2020. Geneva: WHO Document Production Services (2013).

World Health Organization, Climate change and health, 2021

Nogués-Bravo D, Rodríguez-Sánchez F, Orsini L, de Boer E, Jansson R, Morlon H, et al. Cracking the Code of Biodiversity Responses to Past Climate Change. Trend In Ecol Evol (2018) 33:765–76. doi: 10.1016/j.tree.2018.07.005

Abel GJ, Brottrager M, Cuaresma JC, Muttarak R. Climate, conflict and forced migration. Global Environ Change (2019) 54:239–49. doi: 10.1016/j.gloenvcha.2018.12.003

Wight J, Middleton J. Climate change: the greatest public health threat of the century. BMJ (2019) 365:I2371. doi: 10.1136/bmj.l2371

Bourque F, Willox AC. Climate change: The next challenge for public mental health? Int Rev Psychiatry (2014) 26:415–22. doi: 10.3109/09540261.2014.925851

Berry HL, BoWen K, Kjellstrom T. Climate change and mental health: A causal pathWays framework. Int J Public Health (2010) 55:123–32. doi: 10.1007/s00038-009-0112-0

Padhy SK, Sarkar S, Panigrahi M, Paul S. Mental health effects of climate change. Indian J Occup Environ Med (2015) 19:3–7. doi: 10.4103/0019-5278.156997

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.