Çfarë nënkupton kriminaliteti i të miturve
Kriminaliteti i të miturve është një term që përdoret në literaturën akademike për t’iu drejtuar një indivividi të ri në moshë që ka kryer një vepër penale, pavarësisht se ky përkufizim ndryshon në varësi të ligjeve të çdo shteti. Termi “I mitur” në këtë kontekst i drejtohet një individi, i cili është ligjërisht i aftë që të kryejë një vepër penale, duke qënë në këtë mënyrë mbi moshën e përcaktuar si minimumi për të ndërmarrë përgjegjësi kriminale, por është nën moshën që quhet mosha madhore për të marrë tërësisht përgjegjësitë ligjore të të rriturit. Minimumi i moshës për të marrë përgjegjësi kriminale ndryshon në shtete të ndryshme të botës duke filluar nga mosha 6 deri në moshën 18 vjeç, ndërkohë që mosha ligjore për të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë si i rritur është mbi moshën 18 vjeç.
Me kriminalitet do të kuptojmë një tërësi sjelljesh, të cilat përbëjnë shkelje ligjore në varësi të legjislacionit që kanë shtete të ndryshme, të cilat janë gjithashtu të ndryshueshme në kohë në varësi të miratimit ose ndryshimeve ligjore që kryhen në çdo shtet. Disa vepra, sikurse vjedhja apo dhuna ndaj të tjerëve, janë vepra penale që dënohen thuajse në çdo shtet në botë, ndërkohë që vepra të tjera, sikurse pirja e pijeve alkolike në moshë të mitur apo edhe sjellje të ndryshme seksuale, kanë qasje të ndryshme në shtete të ndryshme. Ndonjëherë të tilla dallime mund të lindin si pasojë e faktorëve historikë apo kulturorë si dhe mund të ndikohen nga ligje fetare tradicionale, si në rastin e vendeve në Lindjen e Mesme.
Vendet me moshë minimale të lartë për përgjegjësinë kriminale, si Belgjika që e ka moshën minimale 18 vjeç, priren që të mos “kriminalizojnë” disa sjellje te të rinjtë, për të cilat në shtete të tjera mund të ndiqen penalisht dhe marrin edhe damkën “kriminel”.
Jo të gjithë të rinjtë ë burgosur janë “kriminel”, duke qënë se një pjesë e tyre mundet edhe të jenë në paraburgim në pritje të një gjykimit dhe në fund mund të jenë të pafajshëm. Por edhe nëse ata dënohen, do të ishte e gabuar që të merrnin të mirëqënë që çdo i ri që ka kryer një vepër penale të shihet si një njeri i dhunshëm ndaj të tjerëve sepse veprat penale janë të larmishme.
Gjendja në Shqipëri dhe legjislacioni
Në Shqipëri përcaktohet zakonisht si i mitur, individi që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa legjislacioni penal përcakton nga ana tjetër se përgjegjësia penale për të miturin lind kur ai arrin moshën 14 vjeç. Kur bëhet fjalë për kriminalitetin e të miturve, termi i referohet tërësisë së veprave penale të kryera nga individët e grupmoshës 14 deri 18 vjeç
Në Shqipëri përgjatë vitit 2019-2020, kriminaliteti në rang kombëtar, është rritur në masën 2,2 % sipas INSTAT. Por më alarmues është fakti se numrin më të madhe të krimeve përgjatë kësaj periudhe dhe normën më të lartë të të burgosurve e kapin moshat 21-29 vjeç. Ndërkohë që 36% e veprave që kanë marrë dënim të formës së prerë të jenë kryer nga të rinj e të reja të grupmoshës 16-30 vjeç.
Sipas analizës së kryer nga MIA, bazuar në shifrat e INSTAT-it, rreth 8% e autorëve të veprave penale në të gjithë territorin e Republikës gjatë vitit 2020 ishin të mitur, nën 18 vjeç, kundrejt 5,66% e totalit të veprave penale të të miturve në vitin 2018. Pra, mund të thuhet se periudha e pandemisë u shoqërua me rritje të kriminalitetit ndër moshat e mitura, ku gjithsej bëhet fjalë për 3308 të mitur autor të veprave penale, nga totali prej 40956 për çdo grupmoshë.
Tirana mbetet qarku me kriminalitetin më të shprehur ndër të miturit e më pas vijnë rrethet e tjera siç janë paraqitur në grafikun 1.
Grafiku 1: Shpeshtësia e veprave penale nga të miturit, sipas rretheve, të dhënat e mara nga INSTAT për vitin 2020.
Kriminaliteti dhe prania e çrregullimeve të shëndetit mendor
Kriminaliteti te të rinjtë përbën një problem të rëndësishëm të shëndetit publik ndaj edhe studime të shumta janë drejtuar drejt gjetjes së faktorëve që ndikojnë në këtë rritje dhe në kërkimin e mënyrave për parandalimin, trajtimin dhe rehabilimitimin e këtyre individëve për t’u përshtatur më pas në shoqëri.
Sipas studimeve të kryera tregojnë se prania e çrregullimeve të shëndetit mendor midis të miturve, që kanë kryer vepra penale, është më e lartë se te të rinjtë e tjerë. rreth 2/3-at e të rinjve meshkuj që kanë kryer vepra penale në SHBA mendohet se përmbushin kriteret për të paktën një çrrregullim të shëndetit mendor. Është vlerësuar se një në 5 të rinj që kanë kryer këto vepra kanë dëmtim të shprehur të funksionimit që ka ardhur si pasojë e çrregullimit të tyre mendor. Por në mënyrë paradoksale është vënë re se nuk është kushtuar rëndësi dhe ata nuk kanë marrë trajtim për këto shqetësime që kanë patur, pavarësisht rritjes së të dhënave shkencore që tregojnë lidhjen ndërmjet kriminalitetit te të miturit dhe problemeve të shëndetit mendor, veçanërisht te ata që kanë kryer vepra penale për herë të parë. Shqetësuese janë të dhënat që tregojnë për lidhjen ndërmjet problemeve të shëndetit mendor dhe vdekshmërisë te të miturit e burgosur, duke përfshirë këtu edhe rritjen e numrit të vetëvrasjeve te meshkujt e kësaj kategorie.
Problemet e shëndetit mendor duhet patjetër të jenë pjesë përbërëse e ndërhyrjeve për rehabilitimin e të miturve që kanë kryer vepra penale, por jo të jenë elementi i vetëm i ndërhyerjes. Studimet tregojnë se trajtimet që përqëndrohen vetëm në problemet klinike të këtyre individëve me pak gjasë mund të sjellin pasoja positive dhe përfitime për shoqërinë. Ndaj lind nevoja e qartë për ndërhyrje efektive që iu drejtohetn si nevojave klinike edhe atyre kriminalistike të këtyre individëve.
Pavarësisht strategjisë së ndërhyrjes që ndërrmerret, një meta-analizë e disa studimeve gjeti tre faktorë kryesorë që ndikonin në një rezultat pozitiv të ndërhyrjve te kjo kategori individësh që ishin: filozofia e ndëhyrjes “terapeutike”, dhënia e shërbimit të rinjve që paraqesin shkallën më të lartë të rrezikut për t’u përfshirë në vepra penale dhe cilësia e implementimit të ndërhyrjes nga stafi i ngarkuar për ta kryer atë.
Këto gjetje janë në përputhje edhe me faktorët që janë provuar që lidhen me rezultate të mira në qendrat rezidenciale për adoleshentët me probleme dhe të miturit që kanë kryer vepra penale: si marrëdhënie të mira staf-adoleshentë, perceptimi i stafit si model pro-social, presioni pozitiv i bashkëmoshatarëve, një qasje drejtuar hartimit të programeve terapeutike individuale, hartimi i programeve dhe veprimtative në përshtatje me zhvillimin e tyre, përcaktimi i qartë i pritshmërive dhe kufijve e qartë dhe përcaktimi i një vendtakimi të përhershëm për takimet me familjarët.
Referenca
- Young, S., Greer, B., & Church, R. (2017). Juvenile delinquency, welfare, justice and therapeutic interventions: a global perspective. BJPsych bulletin, 41(1), 21–29.
- Hughes N, Williams H, Chitsabesan P, Davies R, Mounce L. Nobody Made the Connection: The Prevalence of Neurodisability in Young People who Offend. Office of the Children’s Commissioner, 2012.
- Raporti Kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020”, CRCA/ECPAT Shqipëri, 2020.
- Kinner SA, Degenhardt L, Coffey C, Sawyer S, Hearps S, Patton G. Complex health needs in the youth justice system: a survey of community-based and custodial offenders. J Adolesc Health 2014; 54: 521–6
- Steiner, H., & Cauffman, E. (1998). Juvenile justice, delinquency, and psychiatry. Child and adolescent psychiatric clinics of North America, 7(3), 653–672.
- Penal Reform International, UK Aid The Minimum Age of Criminal Responsibility (Justice for Children Briefing No. 4). Penal Reform International, 2013.
- Bledar Mustafaraj, Aspekte teorike dhe praktike të trajtimit të kriminalitetit të të miturve, Universitetit Europian të Tiranës, 2021
- Wakefield, W. dhe Hirschel, J. D. (1996) “England”, në International Handbook on Juvenile Justice (ed. Shoemaker, D. J.), Westport, CT: Greenwood Press.
- Piquero A, Steinberg L. Rehabilitation Versus Incarceration of Juvenile Offenders: Public Preferences in Four Models for Change States. MacArthur Research Network on Adolescent Development and Juvenile Justice, 2008.
- Hazel AN. Cross-National Comparison of Youth Justice. Youth Justice Board, 2008.
- Stevens A, Kessler I, Gladstone B. Review of Good Practices in Preventing Juvenile Crime in the European Union. University of Kent & European Crime Prevention Network, 2006.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.