Këshilla për të larë bebin në mënyrë të sigurtë

Larja është një moment i veçantë për t’u ndarë me të voglin tuaj. Larja duhet bërë me shumë kujdes. Në vazhdim të artikullit do të gjeni disa këshilla për ta bërë më të thjeshtë procesin e larjes:

  • Rregulli i parë dhe më i rëndësishëm: Mos e shkëpusni asnjëherë vëmendjen nga bebja e vogël. Fëmijët e vegjël mund të mbyten në një thellësi më të vogël se 3 cm. Prandaj para se të filloni larjen sigurohuni të keni gjithë mjetet që ju duhen (sapunin ose shampon, peshqirin, pelenën dhe rrobat e pastra etj). Gjatë kohës që jeni duke e larë,me njërën dorë mbani bebin. Nëse bie dera dhe duhet ta hapni patjetër ose duhet ti përgjigjeni një telefonate, nxirreni bebin nga banja, mbështilleni me peshqir dhe mbajeni në duar.
  • Sigurohuni ta keni ngrohur aq sa duhet banjën ose dhomën ku do të lani bebin (të jetë rreth 25 gradë) sepse bebet e vogla ftohen shumë shpejt.
  • Mos e vendosni beben në një vaskë kur keni lënë ujin të hapur sepse mund të ndryshojë temperatura ujit që vjen nga rubineti dhe mund të ngrohë ose ftohë më shumë sesa duhet ujin e nga ana tjetër mund të rritet niveli i ujit në vaskë. Gjithashtu tingulli që vjen si pasojë e rrjedhjes së ujit nga rubineti mund të jetë i padurueshëm për disa bebe.
  • Kini vëmendjen që vaska të jetë e sigurtë. Vaskat janë tepër të rrëshqitshme prandaj një zgjidhje mund të ishte përdormi i një veshje gome për të mos rrezikur me rrëshqitjen. Në pjesën ku fillon edhe relievi anësor mund të përdorni një peshqir për të mbrojtur. Gjithashtu sigurohuni që dyert rrëshqitëse prej xhami të jenë sigurta.
  • Rregulloni temperaturën e ujit. Provojeni fillimisht në kyçin e dorë ose pjesën e brendshme të bërrylit për tu siguruar se uji me të cilin do të lani të voglin tuaj nuk është shumë i nxehtë. Zakonisht bebet e vogla dhe fëmijët preferojnë të lahen me ujë pak më të freskët sesa ju.
  • Mbusheni vaskën me 5-10 cm me ujë për të larë foshnjen tuaj dhe jo më shumë se lartësia e belit (llogaritet kur fëmija është ulur në vaskë) për fëmijët e vegjël dhe më të rritur.
  • Mësoni fëmijën të mos qëndrojë në vaskë.
  • Mund ta lani të voglin tuaj me ujë të pastër nëse dëshironi, për sa kohë pastroni mirë lëkurën dhe zonën e pelenave. Sapunët apo shampot mund të thajnë lëkurën e butë të bebit dhe të shkaktojnë skuqje. Nëse dëshironi ta pastroni bebin me sapun, zgjidhni me kujdes një produkt të krijuar për bebet ose fëmijët e vegjël. Për të shmangur qëndrimin e bebit për një kohë të gjatë në ujë me sapun, lëreni aplikim e shampos apo sapunit për në fund të procesit të larjes.
  • Shmangni bërjen e banjove me flluska të cilat mund të irritojnë uretrin dhe të rrisin rrezikun e infeksioneve të traktit urinar.
  • Mos e lejoni fëmijën të prekë dorezën e rubinetit edhe nëse është shumë i vogël për të ushtruar forcë mekanike për ta lëvizur atë. Duhen vetëm 2 sekonda në kontakt me ujin në temperaturën 65 gradë Celcius që fëmija të pësojë djegje të shkallës së tretë dhe vetëm 5 sekonda nëse është në kontakt me temperaturën 60 gradë celcius. Kujdesuni që fëmija të jetë me shpinë nga rubineti për të mos e parë apo prekur atë.
  • Mbajini pajisjet elektrike si për shembull tharësen e flokëve, larg vaskës.

Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.