Llojet e Kanabisit
Kanabisi (Cannabis sativa, ose kërpi) dhe përbërësit e tij, në veçanti kanabinoidet, kanë qenë fokusi i kërkimeve të gjera kimike dhe biologjike për gati gjysmë shekulli që nga zbulimi i strukturës kimike të përbërësit kryesor aktiv të tij, tetrahydrocannabinol- THC. Efektet e sjelljes dhe psikotrope të bimës i atribuohen përmbajtjes së kësaj klase përbërjesh, kanabinoideve, të cilat prodhohen kryesisht në gjethet dhe sythat e luleve të bimës. Përveç THC, ka edhe kanabinoide jo psikoaktive me disa funksione mjekësore, si kanabidioli (CBD), kanabikromeni (CBC) dhe kanabigeroli (CBG), së bashku me përbërës të tjerë jo-kanabinoidë që i përkasin klasave të ndryshme të produkteve natyrore. Sot, janë identifikuar më shumë se 560 përbërës në kanabis.
Pak histori për përdorimin e kanabisit
Bima e kanabisit dhe derivatet e saj janë shfrytëzuar me shekuj për qëllime rekreative dhe mjekësore, duke pasur miliona përdorues të rregullt në mbarë botën. Përdorimi rekreativ i kanabisit reflekton efektet e tij neuropsikiatrike, të tilla si ulja e ankthit dhe euforia. Megjithatë, kanabisi duket se ka edhe një rol terapeutik, veçanërisht në sëmundjet kronike dhe si një ndihmës gjatë trajtimit të kancerit. Dëshmitë në rritje mbështesin kanabisin në menaxhimin e të përzierave dhe të vjellave të shkaktuara nga kimioterapia dhe po ashtu për menaxhimin e dhimbjes; megjithatë, studimet janë të kufizuara, veçanërisht nga vështirësitë që lidhen me vlerësimet e standardizuara të dozimit dhe paaftësia për të vlerësuar me saktësi aktivitetet biologjike të përbërësve në kanabis dhe derivative të tij. Po ashtu është studiuar përdorimi i kanabisit në sëmundje të tjera si: si glaukoma, depresioni, neuralgjia, skleroza multiple, Alzeimer dhe zbutja e simptomave të HIV/AIDS, gjë që i ka dhënë vrull kërkimit për të kuptuar më tej kiminë, biologjinë dhe vetitë medicinale të kësaj bime.
Kanabisi mbetet droga e paligjshme më e përdorur dhe më e trafikuar në botë. Përdorimi i tij është kryesisht i përqëndruar tek të rinjtë (nga 15 deri në 34 vjeç). Ka një shumëllojshmëri modelesh përdorimi të kanabisit, duke filluar nga përdorimi eksperimental deri tek varësia. Meshkujt kanë më shumë gjasa se femrat të raportojnë fillimin e hershëm dhe përdorimin e shpeshtë të kanabisit. Për shkak të prevalencës së lartë të përdorimit të kanabisit, ndikimi i kanabisit në shëndetin publik po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, duke u identifikuar një sërë problemesh shëndetësore akute dhe kronike të lidhura me përdorimin e kanabisit.
Ajo çfarë një pjesë e madhe e njerëzve në botë perceptojnë duket të jetë se marihuana është një bimë relativisht e padëmshme, aksesi ndaj të cilës nuk duhet të rregullohet nga shteti, apo të konsiderohet e paligjshme. Aktualisht, marihuana është droga ilegale më e përdorur në Shtetet e Bashkuara, me rreth 12% të njerëzve 12 vjeç e sipër që raportojnë përdorim gjatë vitit të fundit dhe veçanërisht norma të larta të përdorimit tek të rinjtë.
Kanabisi në Shqipëri
Në anketën e parë të përgjithshme të popullsisë mbi përdorimin e substancave në Shqipëri në vitin 2014 rezultatet treguan se ashtu si në Shtetet e Bashkuara, kanabisi ishte substanca kryesore e paligjshme e konsumuar; rreth 1 nga 10 të rritur të moshës 15 deri në 64 vjeç në Shqipëri kishin përdorur kanabis të paktën një herë gjatë jetës së tyre, ku rreth gjysma e tyre e kishin përdorur atë vitin e fundit. Cannabis Sativa ishte droga më e konsumuar në Shqipëri, e pranishme në 62,58% të rasteve edhe në studimin e publikuar në 2019 me të dhëna nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IFM), Shërbimi i Toksikologjisë Klinike dhe Varësive, Spitali Universitar “Nënë Tereza” Tiranë (CTS) dhe Qendrat e Trajtimit të Mirëmbajtjes me Metadon. Ndërkohë që nga të dhënat për përdorimin e drogave tek nxënësit 15 -16 vjeç të raportuar nga Projekti i Shkollës Europiane për Alkoolin dhe Barna të tjera (ESPAD) rezultoi që përdorimi tek të rinjtë të ishte rritur thuajse dyfish deri në 2015 (nga 4% në 2011 në 7% në 2015).
Rruga më e zakonshme e administrimit është inhalimi. Gjethet dhe lulet e grira, në ngjyrë gri në të gjelbër të bimës Cannabis Sativa, tymosen (së bashku me kërcellet dhe farat) në cigare, puro, tuba, tuba uji ose “blunt” (marihuana e mbështjellë në gjethe të duhanit). Hashashi është një produkt i lidhur i krijuar nga rrëshira e luleve të marijuanës dhe zakonisht pihet (më vete ose në një përzierje me duhan), por mund të gëlltitet nga goja. Marihuana mund të përdoret gjithashtu për të prodhuar çaj, dhe ekstrakti i saj me bazë vaji që mund të përzihet në produkte ushqimore.
Përdorimi i rregullt i marihuanës veçanërisht gjatë adoleshencës është kthyer në një shqetësim të veçantë, pasi përdorimi nga kjo grupmoshë shoqërohet me një gjasë të shtuar për pasoja të dëmshme.
Efektet e padëshiruara të kanabisit në organizëm
Përdorimi rekreativ dhe mjekësor i kanabisit si dhe i THC dhe kanabinoidëve të tjerë sintetikë janë shoqëruar gjithashtu me efekte të shumta anësore. Ndër efektet e përdorimit afatshkurtër të cannabis do të renditeshin: dëmtimi i kujtesës afatshkurtër, duke e bërë të vështirë të mësuarin dhe ruajtjen e informacionit, dëmtimi i koordinimit motorik, ndërhyrja në aftësitë e drejtimit dhe rritja e rrezikut të aksidenteve, ndryshime në aftësitë e të gjykuarit, duke rritur rrezikun e sjelljeve seksuale që lehtësojnë transmetimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, si dhe në doza të larta paranojë dhe psikozë.
Ndër efektet që mbeten prej përdorimit afatgjatë janë studiuar: varësia (në rreth 9% të përdoruesve në përgjithësi, 17% e atyre që fillojnë përdorimin në adoleshencë dhe 25 deri në 50% e atyre që janë përdorues të përditshëm), çrregullime në zhvillimin e trurit, rezultate të dobëta akademike, me gjasa në rritje për të braktisur shkollën, dëmtim kognitiv permanent, me IQ më të ulët në mesin e atyre që kanë qenë përdorues të shpeshtë gjatë adoleshencës, kënaqësi dhe arritje të pakësuara nga jeta (përcaktuar në bazë të masave subjektive dhe objektive në krahasim me vlerësime të tilla në popullatën e përgjithshme), simptoma të bronkitit kronik, e rritje të rrezikut të çrregullimeve të psikozës kronike (përfshirë skizofreninë) në personat me predispozicion për çrregullime të tilla.
Kanabisi dhe derivatet e tij biologjikisht aktivë kërkojnë studime shtesë, idealisht prova të kontrolluara në të cilat forca dhe përdorimi i kanabidiolit, tetrahidrokabinolit dhe derivative të tjera të studiohen dhe dokumentohen.
- El Sohly, M. A., Radëan, M. M., Gul, W., Chandra, S., & Galal, A. (2017). Phytochemistry of Cannabis sativa L. Progress in the chemistry of organic natural products, 103, 1–36. https://doi.org/10.1007/978-3-319-45541-9_1
- Karila, L., Roux, P., Rolland, B., Benyamina, A., Reynaud, M., Aubin, H. J., & Lançon, C. (2014). Acute and long-term effects of cannabis use: a revieë. Current pharmaceutical design, 20(25), 4112–4118. https://doi.org/10.2174/13816128113199990620
- Jett, J., Stone, E., Warren, G., & Cummings, K. M. (2018). Cannabis Use, Lung Cancer, and Related Issues. Journal of thoracic oncology: official publication of the International Association for the Study of Lung Cancer, 13(4), 480–487. https://doi.org/10.1016/j.jtho.2017.12.013
- Andre CM, Hausman J-F and Guerriero G (2016) Cannabis sativa: The Plant of the Thousand and One Molecules. Front. Plant Sci. 7:19. doi: 10.3389/fpls.2016.00019
- Volkow ND, Baler RD, Compton ËM, Ëeiss SR. Adverse health effects of marijuana use. N Engl J Med. 2014 Jun 5;370(23):2219-27. doi: 10.1056/NEJMra1402309. PMID: 24897085; PMCID: PMC4827335.
- Albania National Drug Report. (2017). European Monitoring Centre for Drugs and Drug Addiction, 2017. https://doi.org/10.2810/08738IISBN978-92-9497-192-0
- Matua, L., Muharremi, G., Petrela, E., Koçibelli, M., Vyshka, G., & Xhemali, B. (2019). The Use of Psychoactive Substances and Illegal Drugs in the Albanian Society. https://doi.org/10.2174/1874473711666180719141731
- World Drug Report 2021. United Nations: Office on Drugs and Crime. (n.d.). Retrieved August 2, 2022, from https://www.unodc.org/unodc/en/data-and-analysis/ëdr2021.html
- Key Substance Use and Mental Health Indicators in the United States: Results from the 2018 National Survey on Drug Use and Health. SAMHSA.gov. (n.d.). Retrieved August 2, 2022, from https://www.samhsa.gov/data/
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.