Identiteti gjinor dhe seksualiteti – rëndësia e të folurit me të rinjtë, çështje “Tabu”për shoqërinë Shqipëtare

Identiteti gjinor dhe seksualiteti janë terma që në jetën e përditshme shpesh përdoren në vend të njëra tjetës, por në realitet ato janë koncepte të ndryshme dhe shumë të dallueshme nga njëra tjetra. Në thelb, si identiteti gjinor ashtu edhe orientimi seksual janë pjesë të rëndësishme të ndjesisë që një individ ka për veten.

Gjinia është një konstrukt shoqëror dhe është koncepti më i brendshëm i dikujt për veten si burrë, grua dhe/ose person jobinar. Shoqata Amerikane e Psikologjisë (APA) e përkufizon identitetin gjinor si “ndjenja e thellë e një personi për të qenë djalë, burrë ose mashkull; një vajzë, një grua ose femër; ose një gjini alternative, e cila mund ose mund të mos korrespondojë me gjininë që një personi i është caktuar në lindje”. Identiteti gjinor është i brendshëm dhe mund të mos jetë gjithmonë i dukshëm për botën e jashtme. Kjo për shkak se shprehja gjinore, mënyra se si dikush e prezanton veten përmes pamjes dhe sjelljes së jashtme me elemente të tilla si veshjet, modelet e flokëve, zëri dhe gjuha e trupit, mund ose mund të mos përputhet me identitetin e tyre gjinor.

Termat “seksi” dhe “gjinia” shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjelltë, dhe njerëzit shpesh supozojnë se seksi i caktuar në lindje dikton se cila është gjinia. Megjithatë, në realitet, identiteti gjinor dhe seksi i referohen gjërave të ndryshme. Ndërsa identiteti gjinor i referohet mënyrës se si dikush e përcakton veten, seksi është biologjik dhe diktohet nga anatomia, hormonet dhe kromozomet e një personi.

Ashtu si identiteti gjinor, seksi është një vazhdimësi që nuk kufizohet vetëm tek meshkujt apo femrat, pasi njerëzit mund të lindin edhe interseks, që do të thotë se trupat e tyre nuk janë biologjikisht mashkull apo femër.

Koncepti I orientimit seksual dhe zhvillimi I tij

APA e përcakton orientimin seksual si “një komponent të identitetit që përfshin tërheqjen seksuale ose emocionale të një personi ndaj një personi tjetër dhe sjelljen që mund të rezultojë nga kjo tërheqje”. Pra, seksualiteti i referohet se nga kush/çfarë tërhiqet një person dhe mund të përfshijë më shumë se një orientim. Ndërsa të qënit homoseksual, heteroseksual dhe biseksual janë ndoshta orientimet seksuale më të njohura, ka shumë të tjera, si aseksualiteti apo panseksualiteti.

Si identiteti gjinor ashtu edhe orientimi seksual janë pjesë të rëndësishme të identitetit të përgjithshëm të një personi. Megjithatë, shpesh, konstruktet sociale që rrethojnë gjininë dhe seksualitetin vazhdojnë të rezultojnë në paragjykime që ndikojnë negativisht individët, e sidomos ata më të rinjtë. Kjo mund të jetë një arsye pse këto konstrukte vazhdojnë të ngatërrohen.

Ndërgjegjësimi për tërheqjen romantike/seksuale zakonisht fillon para pubertetit. Tërheqja seksuale, shprehja dhe identiteti gjinor nuk janë gjithmonë në një linjë: një person i tërhequr kryesisht nga gratë mund të ketë gjithashtu kontakt seksual me burra dhe mund ose mund të mos identifikohet si homoseksual, biseksual ose heteroseksual. Ky fluiditet mund të ndodhë si për adoleshentët ashtu edhe për të rriturit dhe raportohet më shpesh nga femrat sesa te meshkujt.

Të qenit konfuz në lidhje me identitetin apo orientimin seksual nuk shkakton probleme të shëndetit mendor. Por për shkak se fëmijët dhe të rinjtë nga njëra anë janë në një periudhë kritike të zhvillimit, e nga ana tjetër shpesh përballen me faktorë si refuzimi, ngacmimi, diskriminimi dhe dhuna në ambientet sociale, ata janë në një rrezik më të lartë të shqetësimeve të shëndetit mendor duke përfshirë depresionin, ankthin apo tentativat vetëdëmtuese. Kjo thekson rolin e prindërve dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë që punojnë me të rinjtë për të mbështetur dhe edukuar në lidhje me këto tematika.

Si mund t’I ndihmojnë prindërit fëmijët në lidhje me identitetin gjinor

Nodh shpesh që fëmijët të vënë në dyshim identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual, dhe proçesi mund të jetë konfuz dhe i frikshëm për ta. Të rinjtë që vuajnë nga këto dyshime, ia dalin më mirë kur familjet e tyre i mbështesin.

Nëse një fëmijë i drejtohet prindit me pyetje ose shqetësime në lidhje me identitetin e tij gjinor ose orientimin seksual, gjëja më e rëndësishme është të dëgjohet dhe të ndjejë se familja e do dhe e mbështet pavarësisht të gjithave.

Nëse mendoni se fëmija juaj mund të jetë duke pasur dyshime të ngjashme brenda vetes, bëjini të ditur se jeni gjithmonë aty nëse dëshiron të flasë. E më tej, e lini të marrë drejtimin dhe mos e shtyni të flasë përpara se të jetë gati. Ndihmon gjithashtu t’i tregoni fëmijës se familja juaj i pranon të gjitha identitetet gjinore dhe orientimet seksuale. Jo të gjithë fëmijët që vënë në pyetje identitetin e tyre seksual janë të mërzitur në lidhje me këtë, por fëmijët LGBTQ+ janë në rrezik më të lartë për shqetësime të shëndetit mendor veçanërisht nëse ndihen të refuzuar nga familja ose miqtë. Rreth 20% deri në 30% e individëve në klinikat e shqetësimeve gjinore në Shtetet e Bashkuara plotësojnë kriteret e DSM (Manuali diagnostik dhe statistikor i çrregullimeve mendore) për një çrregullim ankthi.

Cfarë është disforia gjinore?

Fëmijët që janë shumë të shqetësuar për identitetin e tyre gjinor mund të përjetojnë gjithashtu një problematikë të shëndetit mendor të quajtur disforia gjinore. Disforia gjinore është një term që përshkruan një ndjenjë shqetësimi intensive që një person mund të ketë për shkak të një mospërputhjeje midis seksit të tyre biologjik dhe identitetit të tyre gjinor dhe vjen me një rrezik në rritje të të menduarit dhe sjelljes vetëdëmtuese, veçanërisht kur fëmijët nuk ndihen të pranuar. Disforia gjinore shoqërohet gjithashtu me një rrezik në rritje të çrregullimeve të të ngrënit tek të rinjtë transgjinorë. Sipas Fjalorit Mjekësor të Black, disforia gjinore “ndodh në 1/30,000 lindje meshkuj dhe 1/100,000 lindje femra. Studimet që masin statusin transgjinor nëpërmjet vetë-identifikimit zbulojnë nivele edhe më të larta të identitetit gjinor të ndryshëm nga seksi i caktuar në lindje (edhe pse disa nga ata që identifikohen si transgjinorë ose jokonform gjinisë mund të mos përjetojnë shqetësime të rëndësishme klinikisht dhe kështu nuk kanë disfori gjinore). Mbështetja dhe trajtimi profesional mund të ndihmojë shumë. Konsultimi me një psikolog apo mjek psikiatër për të kuptuar më shumë rreth vështirësive të fëmijës apo mënyrave më efektive të menaxhimit të tyre do të ishte sugjerimi më i përshtatshëm.

Kjo çështje merr një rëndësi të veçantë për adoleshentët, duke ditur që në të gjithë botën aktiviteti seksual gjithnjë e më shumë po fillon në moshë më të vogël, ndërsa burimet e informacionit nuk duket se janë të mjaftushme. Adoleshentët shqiptarë duhet të vizitojnë mjekun e familjes (zyrtarisht) për të marrë këshilla për shëndetin riprodhues. Kjo është shqetësuese duke pasur parasysh dëshmitë nga raporti i Health Behavior in School Aged Children-2018, për një rritje të lehtë të prevalencës së marrëdhënieve seksuale tek të rinjtë e moshës 15 vjeç që nga viti 2014 (përkatësisht 21% në 2018 dhe 19% në 2014). Një gjetje positive ishte fakti që vetëm 26% në sondazhin e HBSC 2018 kishin filluar seksin në moshën 14 vjeç krahasuar me 34 për qind në vitin 2014, por 47 për qind e të rinjve kishin filluar seksin në moshën 15 vjeçare krahasuar me 31,2 për qind në 2014.

Si mund të ndihmohet një fëmijë me disfori gjinore?

Seksualiteti njerëzor luan një rol të madh në ekzistencën dhe funksionimin e një individi. Përveç kësaj, seksualiteti i përcaktuar drejtë apo gabim përkufizon individin dhe gjithashtu ndikon në qëndrimet sociale. Këto qëndrime, nëse janë negative, mund të kontribuojnë në stigmë dhe të pengojnë njerëzit që të kërkojnë ndihmë nëse vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. E rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë se për individët, gjinia dhe seksualiteti nuk janë të lidhura në thelb dhe se nuk duhet të bëhen supozime për orientimin seksual të dikujt bazuar në gjininë e tyre ose anasjelltas. Në vend të kësaj, njerëzit duhet të ndihen të lirë të eksplorojnë dhe përcaktojnë identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual në mënyrën që ndihet më mirë për ta. Duke vepruar kështu, ata mund të jenë versioni më i vërtetë i vetvetes.

Normale është që një prind të përjetojë ankth ose trishtim nëse fëmija i tij është i paqartë llidhur me këto çështje. Këto ndjenja janë të kuptueshme, por është e rëndësishme të përballohen ndarazi nga fëmija dhe të vazhdoni ta mbështesni fëmijën pavarësisht se si ndiheni. Në raste të tilla një terapist i fushës do të ishte një ndihmesë e madhe edhe për të menaxhuar emocionet e prindit.

Po ashtu shumë prindër druhen të flasin me fëmijët e tyre për seksin dhe gjithashtu fëmijët mund të ndjejnë të njëjtën gjë. Por fëmijët kanë nevojë për këshillën dhe autoritetin e prindërve më shumë sesa t’i ndjejnë ata shokë, e edhe nëse të flasësh për seksin është e parehatshme, është një bisedë që duhet të ndodhë.

Specialistët sugjerojnë që nuk është kurrë shumë herët apo vonë për të folur me fëmijët në lidhje seksin. Nëse prisni momentin e duhur, ju rrezikoni të humbisni mundësinë për të edukuar fëmijën tuaj sipas vlerave tuaja, ndërkohë që media dhe bashkëmoshatarët e fëmijës nuk do të jenë aq hezitues. Sidoqoftë pavarësisht nëse jeni duke folur me një fëmijë apo një adoleshent, duhet ta bëni atë në një mënyrë të përshtatshme dhe në përputhje me moshën dhe zhvillimin. Gjithmonë përgjigjuni pyetjeve, edhe nëse duhet t’i tregoni fëmijës tuaj se për një çështje apo një tjetër do t’i ktheheni bisedës përsëri, sepse nuk e keni një përgjigje për momentin.

Nëse nuk mund të jeni të qetë dhe të ftohtë kur flisni për seksin me fëmijën tuaj, të paktën jini i sinqertë. Fëmijët mund të shohin drejt çdo përpjekjeje për të mbuluar shqetësimin tuaj, por mos lejoni që ndonjë sofistikim i dukshëm nga ana e fëmijës suaj t’ju ngatërrojë, mos iu përgjigjni pyetjeve që nuk janë bërë ende, dhe mos flisni për seksin si një i rritur derisa fëmija juaj ta kuptojë atë si një i rritur. Qëllimi është ta ndihmoni atë të mësojë me ritmin e tij dhe të mos pengojë. Nuk është në të vërtetë aq e vështirë sa mendohet. Prindërit në fakt i mësojnë fëmijës në mënyrë të vazhduar si të kujdesen për trupin e tyre dhe të respektojnë trupat e njerëzve të tjerë dhe kjo bisedë lidhet vërtetë lehtë me një bisedë rreth seksualitetit. Prindërit në fakt e bëjnë atë bisedë ndoshta dhe pa e ditur.

Shqipëria ka miratuar ligjin kundwr diskriminimit të minoriteteve seksuale që prej marsit të vitit 2020. Studime mbi këto çështje në popullatën shqipëtare deri tani mungojnë.

  1. American Psychological Association Divisions 16 and 44. Key Terms And Concepts In Understanding Gender Diversity And Sexual Orientation Among Students. 2015.
  2. Human Rights Campaign. Glossary of Terms.
  3. Kalra, G., Ventriglio, A., & Bhugra, D. (2015). Sexuality and mental health: Issues and ëhat next? International revieë of psychiatry (Abingdon, England), 27(5), 463–469. https://doi.org/10.3109/09540261.2015.1094032
  4. Saeëyc, E. M. (2011). Research on adolescent sexual orientation: Development, health disparities, stigma, and resilience. Journal of Research on Adolescence, 21, 256-272. doi:10.1111/j.1532-7795.2010.00727.
  5. Liu, G., Hariri, S., Bradley, H., Gottlieb, S. L., Leichliter, J. S., & Markoëitz, L. E. (2015). Trends and patterns of sexual behaviors among adolescents and adults aged 14 to 59 years, United States. Sexually Transmitted Diseases, 42(1), 20-26. doi.org/10.1097/OLQ.0000000000000231
  6. Janssen, Aron; Leiboëitz, Scott (2018-05-22). Affirmative Mental Health Care for Transgender and Gender Diverse Youth: A Clinical Guide. Springer. p. 8. ISBN 978-3-319-78307-9Archived from the original on 2021-10-15.
  7. Coelho, Jennifer S; Suen, Janet; Clark, Beth A; et al. (October 15, 2019). “Eating Disorder Diagnoses and Symptom Presentation in Transgender Youth: A Scoping Revieë”. Current Psychiatry Reports. 21 (11): 107. doi:10.1007/s11920-019-1097
  8. Harvey Marcovitch, ed. (2018). “Gender Identity Disorders”Black’s Medical Dictionary (43rd ed.). Neë York: Bloomsbury.
  9. Zucker, Kenneth J. (2017). “Epidemiology of gender dysphoria and transgender identity”. Sexual Health. 14 (5): 404–411. doi:10.1071/SH17067
  10. Health Behaviour in School-age Children of 11, 13 and 15 years: Main Findings (2018). Tirana

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.