Diabeti dhe llojet e tij
Diabeti është një sëmundje metabolike kronike e karakterizuar nga nivele të larta të glukozës në gjak (ose sheqerit në gjak), e cila me kalimin e kohës çon në dëmtime të rënda të zemrës, enëve të gjakut, syve, veshkave dhe nervave.
Më i zakonshmi është diabeti i tipit 2, zakonisht tek të rriturit, i cili shfaqet kur trupi bëhet rezistent ndaj insulinës ose nuk prodhon mjaftueshëm insulinë. Në 3 dekadat e fundit prevalenca e diabetit të tipit 2 është rritur në mënyrë dramatike në botë pavarësisht nivelit të të ardhurave që kanë si shtete. Diabeti i tipit 1, i njohur edhe si diabeti i të miturve ose diabeti i varur nga insulina, është një gjendje kronike në të cilën pankreasi prodhon pak ose aspak insulinë në vetvete. Rastet potencialisht të kthyeshme të diabetit përfshijnë prediabetin dhe diabetin gestacional. Prediabeti ndodh kur nivelet e sheqerit në gjak janë më të larta se normalja. Por nivelet e sheqerit në gjak nuk janë aq të larta sa të quhen diabet. Dhe prediabeti mund të çojë në diabet nëse nuk ndërmerren hapa për ta parandaluar atë. Diabeti gestacional ndodh gjatë shtatzënisë. Por mund të largohet pas lindjes së foshnjës.Për njerëzit që vuajnë nga diabeti, sigurimi i trajtimeve të përballueshme, duke përfshirë insulinën, është kritike për mbijetesën e tyre.
Sa I përhapur është diabeti në adultë dhe fëmijë?
Sipas OBSH-së rreth 422 milionë njerëz në mbarë botën vuajnë nga diabeti, shumica jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Rreth 1.5 milionë vdekje vijnë si pasojë e drejtpërdrejtë e diabetit çdo vit. Si numri i rasteve ashtu edhe prevalenca e diabetit janë rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit.
Sipas një raporti të fundit në SHBA të botuar në vitin 2020, 34,2% e popullatës së të gjitha moshave në SHBA deri në vitin 2018 vuanin nga diabeti, ose e thënë ndryshe 10,5% e gjithë popullsisë së SHBA-së. gjithashtu 34.1 milion të rritur të moshës 18 vjeç e lart – ose 13.0% e të gjithë të rriturve në SHBA – vuanin nga diabeti. Prej tyre 7.3 milionë të rritur të moshës 18 vjeç e lart që plotësonin kriteret laboratorike për diabetin nuk ishin në dijeni ose nuk raportonin se kishin diabet (diabet i padiagnostikuar). Ky numër përfaqëson 2.8% të të gjithë popullsisë së rritur të SHBA-së dhe 21.4% e të gjithë të rriturve me diabet në SHBA. Përqindja e të rriturve me diabet rritet me moshën, duke arritur në 26.8% tek ata të moshës 65 vjeç.
Ndërkohë sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit numri i fëmijëve dhe adoleshentëve (deri në 19vjeç) që jetojnë me diabet rritet çdo vit në të gjithë rajonet e botës. Në vitin 2019, mbi një milion fëmijë dhe adoleshentë në botë kishin diabet të tipit 1. Rritja e konsumit të ushqimeve me energji të lartë, përqafimi i jetës sedentare dhe urbanizimi, pritet që të ndikojnë në rritjen e numrit të personave me DMT2 dhe mosha e diagnozës të ulet.
Diabeti në Shqipëri
Të dhënat lidhur me diabetin në Shqipëri po përditësohen falë sistemet të survejancës të ngritur nga Instituti i Shëndetit Publik, si dhe duke u plotësuar nga të dhënat e marra nga burime të tjera. Sipas ISHP, në buletinin e botuar në vitin 2022, diabeti është një nga sëmundjet kronike më të shpeshta në vendin onë dhe i pranishëm në shumicën dërrmuese të popullatës. Në vendin tonë prevalenca e diabetit është në rritje. Meshkujt jane në risk më të lartë, si për tu prekur nga diabeti, gjithashtu kanë një nivel vdekshmërie pak më të lartë sesa femrat.
Incidenca e diabetit në Shqipëri, bazuar në regjistrin e ri kombëtar të diabetit, në Institutin e Shëndetit Publik, shfaq një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Nga viti 2014 në 2018 vërehet një trend rritës i numrit i rasteve të reja me diabet, për rrjedhojë të incidencës nga 23.2 në 26.3 për 10,000 banorë. Ndërsa në vitin 2019 vërehet një rënie e lehtë e incidencës në nivelin e vitit 2015 dhe 2016. Vitet 2017 dhe 2018 shënojnë dhe incidencën më të lartë të diabetit gjatë kësaj periudhe gjashtë vjeçare.
Nga viti 2014 në 2019, nëzonat urbane incidenca e diabetit ka ardhur në rënie, ndërsa vërehet një rritje e incidencës në zonat rurale, ndonëse gjatë gjithë periudhës gjashtë vjeçare, në përgjithësi incidenca e diabetit është më e lartë në zonat urbane se ato rurale
Grup mosha 60-79 vjeç regjistron incidencën më të lartë të diabetit krahasuar me grup moshat e tjera dhe incidencën më të ulët e kanë grup moshat 0-19 dhe 20-39 vjeç. Në vendin tonë prevalenca e diabetit ka ardhur në rritje përgjatë gjithë periudhës kohore dhe pothuajse është dyfishuar gjatë dhjetë vjeçarit të fundit.
Rritja e incidencës dhe prevalencës dhe ulja gjithmonë e më shumë e moshës së diagnozës kërkon që të ndërmerren sa më shpejt masat që kjo prirje të zvogëlohet duke mos dëmtuar kështu shëndetin e të rinjve dhe të gjithë popullatës.
Ajo çfarë përfshin parandalimi dhe kontrolli i diabetit mellitus është një dietë e shëndetshme, aktivitet i rregullt fizik, mbajtja e një peshe normale trupore dhe shmangia e përdorimit të duhanit në mënyrë për ta parandaluar ose vonuar shfaqjen e diabetit të tipit 2. Diabeti mund të trajtohet dhe pasojat e tij të shmangen ose të vonohen me dietë, aktivitet fizik, mjekim, ekzaminim dhe trajtim të rregullt për të shmangur komplikacionet.
Referenca
World Health Organization, Improving Health Outcomes of People with Diabetes Mellitus
Instituti i SHwndetit Publik, Përditësim i të dhënave lidhur me hipergliceminë/diabetin mellitus në Shqipëri, 2022
Shin JA, Lee JH, Kim HS, Choi YH, Cho JH, Yoon KH. Prevention of diabetes: a strategic approach for individual patients. Diabetes Metab Res Rev. 2012 Dec;28 Suppl 2:79-84. doi: 10.1002/dmrr.2357. PMID: 23280871.
International Diabetes Federation. IDF Diabetes Atlas. www.diabetesatlas.org. Published 2019. Accessed.
Backholer K, Peeters A, Herman WH, Shaw JE, Liew D, Ademi Z, Magliano DJ. Diabetes prevention and treatment strategies: are we doing enough? Diabetes Care. 2013 Sep;36(9):2714-9. doi: 10.2337/DC12-2501. Epub 2013 May 1. PMID: 23637353; PMCID: PMC3747920.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.