Çrregullimet e sjelljes, prevalenca dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre dhe karakteristikat e tij në Shqipëri

Çfarë janë çrregullimet e sjelljes

Çrregullimet e sjelljes (ÇS) shpesh shfaqen në fëmijëri ose në adoleshencë dhe karakterizohen nga sjellje që dhunojnë të drejtat e të tjerëve. Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve “Çrregullimet e sjelljes” i drejtohen një tërësie problemesh emocionale dhe sjellore të qëndrueshme e të përsëritura kryesisht te të rinjtë. Këta fëmijë dhe adoleshentë kanë vështirësi të theksuara për të ndjekur rregullat, për të respektuar të drejtat e të tjerëve, për të shfaqur empati dhe për t’u sjellë në përputhje me normat shoqërore. Ata shpesh etiketohen nga fëmijët e tjerë apo edhe nga të rriturit e institucionet e ndryshme si “fëmijë të këqinj” ose krimininelë, e jo si individë me probleme të shëndetit mendor. Shpesh sjelljet e tyre arrijnë deri në agresivitet fizik kundrejt njerëzve ose kafshëve, vjedhje, dëmtim të pronës apo edhe thyerje të ligjeve.

Prevalenca e çrregullimeve të sjelljes në botë është përafërsisht 3% në fëmijët e moshës shkollore dhe është shkaku kryesor i referimit të fëmijëve për një vlerësim në institucione të shëndetit mendor. Megjithatë, ashtu sikurse me shumë çrregullime të tjera psikiatrike, prevalenca e ÇS është vlerësuar në vetëm 5% të shteteve në botë, prej të cilave të dhënat kryesore, 35.6% vijnë nga shtetet me të ardhura të larta dhe vetëm 1.6% e të dhënave vijnë nga vende me të ardhura të ulëta ose të mesme ekonomike dhe asnjë e dhënë nuk është arritur të mblidhet nga vende si Afrika nën-sahariane apo shtete të Amerikës Latine. Studimet mbi prevalencën përfshijnë grupmoshat 5-18 vjeç pavarësisht të dhënave se çrregullimi shfaqet edhe në moshë më të hershme.

Çrregullimi i sjelljes në Shqipëri

Shqipëria mbetet të jetë një ndër shtetet ku të dhënat e sakta mbi prevalencën e këtij çrregullimi mungojnë, ndonëse është kryer një studim, i cili heton praninë e sjelljeve eksternalizuese te fëmijët e shkollave 9 vjeçare. Studimi wshtw kryer nga Qendra Kombëtare Terapeutike Rehabilituese për Fëmijë, qendër që ofron shërbim të shëndetit mendor për grupmoshat fëmijë e adoleshentë për të gjithë Shqipërinë. Ajo çfarë u vu re gjatë këtij studimi ishte se problemet me sjelljen ishin shkaku kryesor që mësuesit i referonin nxënësit si problematikë dhe kërkonin një vlerësim të mëtejshëm duke ndjekur hapat institucional. Meshkujt ishin ata që shfaqnin më tepër probleme me sjelljen, hiperaktivitetin dhe në marrëdhënie me bashkëmoshatarët krahasuar me femrat. Ndër diskutimet e kryera për të kuptuar këtë ndryshim në Shqipëri duket se ndikojnë edhe normat tona kulturore, ku sjellja e djemve prej “të forti” lejohet si një mënyrë e të kuptuarit se djali po “burrërohet”, ndërkohë që këto sjellje nuk janë të pranueshme te vajzat, të cilat do duhet të shfaqin imazhin e një vajze të përmbajtur, të edukuar dhe që iu përmbahet rregullave.

Pavarësisht gjithë ndikimit shoqëror dhe ekonomik që ka si çrregullim, në mënyrë paradoksale është një nga çrregullimet mendore më pak të studiuara e të njohura. Çrregullimet e sjelljes përbëjnë një barrë të madhe ekonomike dhe shoqërore, duke ia kaluar edhe çrregullimit të spektrit të autizmit dhe ADHD-së në lidhje me barrën botërore të sëmundshmërisë. Për më tepër, rreth 60% e të rriturve që shfaqin një çrregullim mendor në moshë madhore janë diagnostikuar me ÇS në moshë të vogël. Çrregullimet e sjelljes nuk përbëjnë një çrregullim episodik, sikurse është depresioni, por përngjan më tepër me një çrregullim personaliteti. Ndonëse rreth 50% e individëve me rritjen mund të kenë një lehtësim të simptomatikës, shumë të tjerë shfaqin simptoma kronike dhe zhvillojnë çrregullim personaliteti ose shfaqin sjellje kriminale në moshë të rritur.

Shumë studime të kohëve të fundit sugjerojnë se Çrregullimet e sjelles bëjnë pjesë në një spektër më të gjerë të sjelljeve eksternalizuese sëbashku me çrregullimin e personalitetit antisocial, çrregullimin e sjelljes opozicionale (kundërshtuese), çrregullimin e abuzimit me substanca, çrregullimin e hiperaktivitetit dhe vëmëndjes së pamjaftueshme.

ÇS janë një çrregullim shumë heterogjen: më shumë se 32 000 profile të ndyshme simptomash mund të të orientojnë drejt diagnozës së ÇS dhe grupe të ndryshme simptomash marrin trajektore të ndryshme zhvillimi në të ardhmen, në veçanti të ndara në dy grupe kryesore, simptoma me shfaqje të agresivitetit dhe simptoma jo agresive.

Pavarësisht se në rrethet shkencore diskutohet në lidhje me rritjen e prevalencës se ÇS nga fëmijëria në adoleshencë, ajo çfarë po vërtetohet nga studimet e kryera është se simptomat ndryshojnë me moshën. Kështu, sjelljet agresive pakësohen në shpeshtësi me rritjen e moshës, ndërkohë që simptomat jo agresive, por që shfaqen përmes lënies së shkollës, pirja e alkolit në adoleshencë, sjellje kundërshtuese etj, janë më të shumta në adoleshencë dhe janë sjellje që shpesh priren të shkojnë drejt kriminalitetit.

Çfarë e shkakton çrregullimin e sjelljes

Etiologjia e çrregullimeve të sjelljes ende mbetet e paqartë, por që në shfaqjen e saj ndikojnë si faktorët mjedisorë dhe ata gjenetikë.

Studimet në binjakë kanë treguar se përreth 50% e larmishmësirë së simptomatikës së ÇS i dedikohen ndikimit mjedior, ndër të cilët faktorët prenatal, perinatal, familjar dhe ata të mjedisit kur rritet fëmija mendohet se janë më të rëndësishmit. Ndër faktorët prenatal do mund të rendisnim duhanpirjen, përdorimin e alkolit, përdorimin e drogërave dhe stresin përgjatë shtatzanisë te nëna. Studimet e fundit tregojnë se ndikimi që ka stresi i përjetuar nëna gjatë shtatzanisë në zhvillimin e korteksit prefrontal te femija mund të jetë një nga faktorët që më pas shpjegon lidhjen e stresit me simptoma të ÇS.

Për më tepër, ankthi i përjetuar nga nëna përgjatë tre mujorit të fundit të shtatzanisë është i lidhur me shfaqjen e problemeve të sjelljes që në fëmijërinë e hershme e që më pas janë të pranishme dhe në adoleshencë. Përdorimi i alkolit në sasi të moderuar (1-6 gota verë/birrë në javë) përgjatë shtatzanisë rrit rrezikun për shfaqjen e problemeve të sjelljes me fillim në fëmijërinë e hershme, por jo për problemet e sjelljes me fillim në adoleshencë, te fëmijët të cilët janë gjenetikisht të prirur për t’u ndikuar nga efektet e dëmshme të alkolit.

Rreziku perinatal për të shfaqur ÇS lidhet me komplikacionet gjatë lindjes, kequshqyerjen dhe ekspozimin ndaj metaleve të rënda. Komplikacionet gjatë lindjes të shoqëruara këro me refuzimin nga ana e nënëns në muajt e parë të jetës janë të lidhur ngushtë me rritje të madhe të rrezikut për shfaqje të hershme të sjelljeve të dhunshme nga ana e fëmijës. Komplikacionet gjatë lindjes mendohet se ndikojnë në zhvillimin e trurit që më pas shfaq probleme në jetë, në veçanti hipoksia dëmton strukturat subkortikale dhe traktet e lëndës së bardhë, të cilat janë t lidhura me çrregullimet e sjelljes, gjë që mund të shpjegojë edhe lidhjen ndërmjet ÇS dhe komplikacioneve gjatë lindjes. Në vazhdimësi të të njëjtit arsyetim duket se niveli i ulët i inteligjencës të ndërmjetësojë lidhjen ndërmjet komplikacioneve gjatë lindjes dhe ÇS. Në mënyrë të ngjashme, kequshqyerja mund të çojë në dëmtime neurokonjitive përmes humbjes nuronale, ndryshimeve në funksionin e neurotransmetuesve dhe neurotoksicitetit, të cilat mund të rrisin rrezikun për ÇS. Duke ecur me të njëjtën hipotezë, uria e shpeshtë përgjatë fëmijërisë është e lidhur me rritje të impulsiviteti, vetëkontroll të ulët dhe rrijte të dhunës në moshë të rritur, veçanërisht te meshkujt. Ka një dyzim në studime të kryera në lidhje me ndikimin e ekspozimit ndaj metaleve të rënda dhe shfaqjes së çrregullimeve të sjelles, ku disa studime duket se e mbështesin e të tjera nuk arrijnë të gjejnë një lidhje ndërmjet të dyjave.

Ndër faktorët mjedisorë të gjetur mund të përmendim edhe prindërimin jo të duhur, i cili përfshin disipilinimin e ashpër, detyrues (psh përdorimin e ndëshkimit trupor, të bërtiturat, kërcënimet) dhe të paqëndrueshë, si dhe sherret e shpeshta prind-fëmijë janë faktorë të mirëpërcaktuar dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e çrregullimeve të sjelljes.

Keqtrajtimi nga ana e prindërve është një faktor rreziku i rëndësishmë për shfaqjen e çrregullimeve të sjelljes, veçanërisht te fëmijët që kanë edhe faktorë gjenetikë të pranishëm, sikurse janë familjarë të gradës së parë me sjellje antisociale. Rreziku i shfaqjes në të tilla raste duket të jetë i njëjtë si për femrat dhe për meshkujt. Përcaktimi i kësaj lidhjeje është i rëndësishëm sepse strategjitë, që kanë treguar se kanë rezultat në trajtimin dhe parandalimin e çrregullimeve të sjelljes, bazohen më së shumti në faktorët prindëror dhe familjarë.

Faktorë të tjerë mjedisorë përfshijnë bashkëmoshatarët me sjellje kundërshtuese, gjendjen e ulët socio-ekonomike, varfërinë dhe dhunën në komunitet. Të dhënat nga studime të ndryshime kohort, epidemiologjike dhe gjenetike sugjerojnë se lidhja ndërmjet bashkëmoshatarëve me sjellje kundërshtuese, të ngjashme dhe çrregullimeve të sjellljes pasyqron si përzgjedhjen shoqërore ashtu edhe shkakëtarin shoqëror. Ndërkohë lidhja e ÇS me nivelin e ulët socio-ekonomik nuk duket të jetë aq shumë e fortë, ndonëse ka studime që e përkrahin.

Gjenetika në çrregullimin e sjelljes

Përsa i përket faktorit gjenetik duket se dhe ai ka një ndikim përreth 40-50% në shfaqjen e çrregullimeve të sjelljes. Një studim me shumë variacione i kryer në binjakë gjeti dy faktorë të ndryshëm gjenetik që ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të sjelljes, njëri i cili është i lidhur me thyerjen e rregullave dhe tjetri me agresivitetin e shfaqur, duke sugjeruar kështu që çrregullimet e sjelljes nuk përbëhen nga një arkitekturë gjenetike e unifikuar. Trashëgueshmëria e çrregullimeve të sjelljes duket të jetë më e lartë te meshkujt se te femrat, por shpesh duket se faktorët gjenetik të përfshirë në këtë çrregullim shpesh mbivendosen. Kontributi gjenetik në shfaqjen e çrregullimeve të sjelljes rritet nga fëmijëria në adoleshencë, megjithatë kontributi gjenetik nuk ëhstë i qëndrueshëm me kalimin e vitetve, duke sugjeruar kështu se gjene të ndryshme ndikojnë në shfaqjen e çrregullimeve të sjelljes së periudha të caktuara përgjatë jetës.

Referenca

  1. Fairchild, G., Hawes, D. J., Frick, P. J., Copeland, W. E., Odgers, C. L., Franke, B., Freitag, C. M., & De Brito, S. A. (2019). Conduct disorder. Nature reviews. Disease primers5(1), 43. https://doi.org/10.1038/s41572-019-0095-y
  2. Herpertz, S. C., Huebner, T., Marx, I., Vloet, T. D., Fink, G. R., Stoecker, T., Shah, N. J., Konrad, K., & Herpertz-Dahlmann, B. (2008). Emotional processing in male adolescents with childhood-onset conduct disorder. Journal of child psychology and psychiatry, and allied disciplines49(7), 781–791. https://doi.org/10.1111/j.1469-7610.2008.01905.x
  3. Monuteaux, M. C., Faraone, S. V., Michelle Gross, L., & Biederman, J. (2007). Predictors, clinical characteristics, and outcome of conduct disorder in girls with attention-deficit/hyperactivity disorder: a longitudinal study. Psychological medicine37(12), 1731–1741. https://doi.org/10.1017/S0033291707000529
  4. Teeuw, J., Klein, M., Mota, N. R., Brouwer, R. M., van ‘t Ent, D., Al-Hassaan, Z., Franke, B., Boomsma, D. I., & Hulshoff Pol, H. E. (2022). Multivariate Genetic Structure of Externalizing Behavior and Structural Brain Development in a Longitudinal Adolescent Twin Sample. International journal of molecular sciences23(6), 3176. https://doi.org/10.3390/ijms23063176
  5. Cara, Marsel. (2018). Externalizing Disorders in Albanian Adolescents: Age and Gender Differences in a Large Sample of Secondary School Pupils. Journal of Educational and Social Research. 8. 10.2478/jesr-2018-0010.
  6. Beauchaine, T., Hinshaw, S. (eds.) (2013) Child and adolescent psychopathology. 2nd ed. John Wiley & Sons, Inc. New Jersey. Dishion, T.J., McCord, J., & Poulin, K. (199) When interventions harm: Peer groups and problem behaviour. American Psychologist, 54, 755-764.

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.