Shëndeti seksual dhe riprodhues
Shëndeti seksual dhe riprodhues është tepër i rëndësishëm për individët, çiftet dhe familjet, si dhe për zhvillimin social dhe ekonomik të komuniteteve dhe kombeve. Siç parashikohet në Kushtetutën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), objektivi i organizatës është “arritja nga të gjithë popujt e nivelit më të lartë të mundshëm të shëndetit” dhe për të përmbushur këtë objektiv, funksionet e OBSH-së përfshijnë ofrimin e asistencës teknike për vendet në fushën e shëndetit. Qasja universale në informacionin dhe shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues është thelbësore për shëndetin individual dhe të komunitetit, si dhe për përmbushjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtën për standardin më të lartë të arritshëm të shëndetit seksual dhe atij riprodhues.
Çdo të thotë kujdes cilësor për abortin?
Tepër e rëndësishme është që të sigurohet një kujdes cilësor për abortin. Cilësia e kujdesit përfshin komponentë të shumtë: efektivitetin, efikasitetin, aksesueshmërinë, pranueshmërinë (ku në qendër është pacienti), barazinë dhe sigurinë. Kujdesi efektiv përfshin ofrimin e kujdesit të bazuar në prova që përmirëson shëndetin e individëve dhe komunitit dhe i përgjigjet nevojave të tyre. Kujdesi efikas siguron përdorimin sa më të mirë të mundshëm të burimeve dhe minimizon humbjet. Kujdesi cilësor për abortin duhet të jetë i arritshëm (në kohë, i përballueshëm, i arritshëm gjeografikisht dhe ofrohet në një mjedis ku aftësitë dhe burimet janë të përshtatshme për nevojat mjekësore) dhe i pranueshëm (duke përfshirë preferencat dhe vlerat e përdoruesve individualë të shërbimeve dhe kulturat e komuniteteve të tyre). Është e domosdoshme që kujdesi për abortin të jetë i barabartë dhe që kujdesi shëndetësor të mos ndryshojë në cilësi bazuar në karakteristikat personale të personit që kërkon kujdes, siç janë gjinia, raca, përkatësia etnike, statusi socio-ekonomik, arsimi, nëse ata jetojnë me aftësi të kufizuara, apo bazuar në vendndodhjen e tyre gjeografike brenda një vendi. Dhe së fundi, kujdesi cilësor i abortit nënkupton që ai ofrohet në mënyrë të sigurt dhe minimizon rreziqet dhe dëmet për përdoruesit e shërbimit. Në themel të këtyre komponentëve qëndron parimi se ofrimi i kujdesit cilësor për abortin do të ishte në përputhje me të drejtat e njeriut.
Aborti në botë
Në nivel botëror, aborti është një procedurë e zakonshme, ku 6 nga 10 shtatzëni të padëshiruara, 3 nga 10 nga të gjitha shtatzënitë që përfundojnë me abort të induktuar. Abortet ndahen në dy kategori, spontane dhe të induktuara (ndërprerje). Kur aborti është i sigurt, i cili përkufizohet i tillë kryhet duke përdorur një metodë të rekomanduar nga OBSH-ja, e përshtatshme për moshën e shtatzënisë dhe kryhet nga dikush me aftësitë e nevojshme – rreziqet për komplikacione janë shumë të ulëta. Megjithatë, vlerësimet në të gjithë botën tregojnë se 45% e të gjitha aborteve janë të pasigurta, duke përfshirë 14.4% që konsiderohen si “më pak të sigurta”. Kjo është një çështje kritike e shëndetit publik dhe e të drejtave të njeriut. Aborti i pasigurt po praktikohet gjithnjë e më shumë në vendet në zhvillim. Në vendet ku aborti i induktuar është i ndaluar me ligj ose i padisponueshëm për shkak të pengesave të tjera, aborti i sigurt shpesh është bërë privilegj i të pasurve, ndërsa gratë e varfra nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përdorin shërbimet e ofruesve të pakualifikuar në mjedise të pasigurta ose të nxisin vetë abortin. Shpesh ato përdorin metoda të pasigurta, duke çuar në vdekje dhe sëmundshmëri që bëhen përgjegjësi sociale dhe financiare e sistemit shëndetësor publik dhe mohojnë të drejtat njerëzore të grave. Statusi ligjor i abortit nuk ka asnjë efekt në gjasat e një gruaje për të kërkuar një abort të induktuar, por ndikon në mënyrë dramatike aksesin e saj për një abort të sigurt.
Aborti në Shqipëri
Në Shqipëri aborti është i lejuar me ligj dhe prej vitit 2007, në Institutin e Shëndetit Publik funksionon regjistri i abortit, i cili mbledh statistika mbi abortet në të gjithë vendin, bazuar në dokumentin zyrtar të raportimit, skedën e abortit. Regjistri i abortit ka të dhëna mbi numrin e aborteve që kryhen në spitalet publike dhe private, shpërndarjen e tyre urban-rural, si dhe të dhëna lidhur me vendbanimin e gruas, gjendjen familjare, shkallën arsimore, sigurimet shëndetësore, punësimin, llojin e abortit apo teknikën kryesore.
Të dhënat e fundit të publikuara nga ISHP i përksain periudhës 2016-2020. Sipas këtij raporti aborti në shkallë vendi ka pësuar ulje, duke shkuar në 162 aborte për 1,000 lindje të gjalla për vitin 2020 krahasuar me rreth 190 që ka qenë në vitin 2016. Për vitin 2020 niveli i abortit ishte 6.7 aborte për 1000 gra 15-49 vjeç nga 7.8 që ishte në vitin 2016, duke paraqitur rënie me 16.4%. Rreth 65% e aborteve në vend kryhen nga gra të grup-moshës 20-34 vjeç, kurse abortet në grup-moshën 15-19 vjeç zënë 2.9% të totalit. Për vitin 2020, abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve me 80.8% kundrejt totalit. Abortet e kryera nga gratë e papuna dhe të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta. Në vitin 2020, abortet e kryera nga gratë e papuna ishin rreth 65% dhe nga gratë e pasiguruara rreth 67%.
Në Shqipëri sipas ligjit 8045 të vitit 1995 “Për ndërprerjen e shtatzënisë” ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë bëhet vetëm nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore shtetërore e private që plotësojnë kushtet e përcaktuara, me aprovimin e gruas brenda javës së 12-të të shtatzënisë, në rastet kur gruaja vlerëson se shtatëzënia i krijon probleme psikosociale. Gjithashtu ndërprerja për arsye mjekësore mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatzënisë, në rast se një komision i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se vazhdimi i shtatzënisë dhe/ose lindja e fëmijës rrezikon jetën ose shëndetin e gruas, apo kur gjykon se shtatzënia është rezultat i përdhunimit ose një krimi tjetër seksual. Kur komisioni gjykon se fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën, apo sëmundje invaliduese me trajtim të pasigurtë, vendos për ndërprerjen e shtatzënisë në çdo kohë.
SDSH në Shqipëri 2018 raporton progres në lidhje me planifikimin familjar dhe shëndetin riprodhues, pasi 97 për qind e të gjitha grave dhe pothuajse 96 për qind e të gjithë burrave të grupmoshës 15-49 vjeç njihnin të paktën një metodë kontracepsioni dhe 100 për qind e burrave dhe grave të pamartuara dhe seksualisht aktive njihnin të paktën një metodë kontracepsioni. Megjithatë, adoleshentët shqiptarë kanë nevojë të paraqiten në qendra e kujdesit parësor për të marrë këshilla mbi shëndetin riprodhues, por iu kërkohet pëlqimi i prindërve për të marrë kontraceptivë. Kjo është shqetësuese, duke pasur parasysh evidencat nga SSHFMSH 2018 që tregojnë për një rritje të lehtë të prevalencës së marrëdhënieve seksuale te të rinjtë e moshës 15-vjeçare që në vitin 2014 (përkatësisht 21% dhe 19%). Një pikëpamje më pozitive përfshin faktin se vetëm 26 për qind e pjesëmarrësve në anketën SSHFMSH 2018 kishin filluar marrëdhëniet seksuale në moshën 14-vjeçare krahasuar me 34 për qind në vitin 2014, por 47 për qind e të rinjve kishin filluar aktivitetin seksual në moshën 15-vjeçare krahasuar me 31.2 për qind në vitin 2014. Më shumë se dy e treta (67%) e 15-vjeçarëve (71% e djemve dhe 36% e vajzave) raportuan se kishin përdorur prezervativ gjatë marrëdhënies së fundit seksuale.
Referenca
General Comment No. 22: The right to sexual and reproductive health (Article 12 of the International Covenant on Economic, Social and Cultural Rights). Geneva: United Nations Committee on Economic, Social and Cultural Rights; 2016
Analizë e indikatorëve të abortit për periudhën 2016-2020, bazuar në të dhënat e regjistrit të abortit, Alba Merdani, Dorina Toçi, Amarilda Hysenshahaj, Anisa Xhaferi, Alban Ylli, Instituti I Shwndetit Publik, Buletini 2022
General Recommendation No. 30: Women in conflict prevention, conflict, and post-conflict situations. United Nations Committee on the Elimination of Discrimination against Women; 2013
Reproductive health strategy to accelerate progress towards the attainment of international development goals and targets: global strategy adopted by the 57th World Health Assembly. Geneva: World Health Organization; 2004
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.