Ndërhyrja e hershme në psikozë dhe roli i psikozës në vetëvrasje në eksperiencën shqipëtare
Psikoza dhe modalitetet e saj
Psikoza është një gjëndje në të cilën është dëmtuar mënyra se si individi e percepton mjedisin e jashtëm duke bërë që të humbasë kontaktin me realitetin. Një njeri i cili vuan nga psikoza mund të përjetojë deluzione dhe halucinacione, të cilat e dmëtojnë funksionimin e tij në jetën e përditshme. Çrregullimet psikotike, në klasifikimin e fundit të DSM-5 (Manuali diagnostik dhe statistikor i çrregullimeve mendore) përfshihen në një kategori sëbashku me skizofreninë, në të ashtëquajturën “Spektri i skizofrenisë dhe çrregullimeve të tjera psikotike”. Skizofrenia bën pjesë në 7 sëmundjet kryesore që shkaktojnë paaftësi (invaliditet) te të rriturit në Europë. Thënë kjo, skizofrenia dhe çrregullimet psikotike përbëjnë një barrë të rëndë për individin dhe shoqërinë në tërësi, përfshirë edhe pjesën ekonomike që rëndon në buxhetin e secilit prej nesh.
Koncepti I ndërhyrjes së hershme në psikozë
Ndërhyrja e hershme në psikozë është një qasje e mirë përcaktuar dhe e studiuar, e cila ka si qëllim identifikimin dhe trajtimin e hershëm të çrregullimeve psikotike. Identifikimi dhe trajtimi i hershëm i simptomave psikotike, problemeve të sjelljes dhe dëmtimeve psikosociale në fazat e para të çrregullimit pakëson ndikimin afatgjatë të këtyre çrregullimeve mendore dhe ndikon në parandalimin e relapseve (rishfaqjen e simptomave) dhe përmirësimin e funksionimit. Shërbimet e ndërhyrjes së hershme përfshijnë kryesisht të rinjtë me simptoma psikotike, por gjithashtu iu drejtohen edhe individëve me rrezik shumë të lartë për të zhvilluar një çrregullim psikotik. Shërbimet e ndërhyrjes së hershme mbështeten në konceptin e ndërtimit të klinikave të shëndetit mendor duke ndarë shërbimet sipas stadeve, në të cilin simptomat klinike të lehta e ato të moderuara ndryshojnë nga ato që lidhen me një sëmundje që është e zgjatur, kronike dhe progresive në ecuri.
Nga ndërhyrja e hershme nuk përfitojnë vetëm njerëzit të cilët tashmë kanë shfaqur simptomat e para. Një vëmëndje e madhe iu jepet edhe njerëzve që janë në rrezik të lartë për të zhvilluar psikozë, ku është vënë re përfshirja e tyre në këto programe është shoqëruar me numër më të paktë shtrimesh dhe trajtim të detysueshëm.
Duke patur në mëndje modelin e stadeve klinike, ndërhyrja e hershme në psikozë ndërhyn në tre faza të ndryshme: te individët me rrezik tepër të lartë, në episosdin e parë psikotik dhe në fazën e rekuperimit.
Psikozat zakonisht e kanë fillesën në adoleshencë
Zakonisht çrregullimet e spektrit të skizofrenisë dhe çrregullimet e tjera psikotike shfaqen për herë të parë në adoleshencë ose në në moshën e rritur të hershme dhe pjesa më e madhe e ndryshimeve në funksionimin psikosocial të këtyre pacientëve ndodhin në 3 vitet e para pas shfaqjes së simptomave fillestare, ndonëse rënia e funksionimit më pas arrin një fazë plateau, lineare. Ndërhyrja përgjatë fazën fillestare mund të pakësojë këtë rënie të mëtejshme të funksionimit. Ndaj edhe 3 vitet e para të këtyre çrregullimeve quhen si periudha kritike, përgjatë së cilës përcaktohet edhe ecuria e mëtejshme e sëmundjes dhe prognoza.
Krahas periudhës së shfaqjes së simptomave fillestare, në çrregullimet psikotike njihet një tjetër periudhë e rëndësishme, e cila në retrospectivë mund të emërtohet edhe si periudha “prodromale”, ose ndryshe si prekursori i fazës psikotike. Por, duke qënë se ne mund ta përdorim termin “prodromale” vetëm në rastet kur ne jemi të sigurt që te individi do të zhvillohet psikoza, atëherë jemi më saktë duke përdorur termat si “individë me rrezik shumë të lartë për të zhvilluar psikozë”. Në këtë mënyrë ne nuk përjashtojmë mundësinë e shfaqjes së psikozës, por as nuk përjashtojmë mundësinë që të ketë qënë një rast fals pozitiv. Pikërisht kjo fazë, faza para psikotike është edhe periudha kur nis të ngjizet edhe plani i ndërhyrjes së hershme.
Ndërhyrja e hershme në çrregullimet psikotike ka dy qëllime kryesore:
- Të parandalojë zhvillimin e çrregullimit psikotik te individët me simptoma prodromale
- Të ofrojë trajtimin e duhur te pacientët në fazat e hershme të shfaqjes së çrregullimit psikotik
Qëllimi përfundimtar i të dy ndërhyrjeve të mësipërme mbetet arritja e rekuperimit maksimal të funksionimit të përditshëm të këtyre individëve dhe pakësimi i rëndesës së sëmundjes.
Pavarësisht përfshirjes së programeve të ndërhyrjes së hershme në psikozë, studimet tregojnë se ende ka një vonesë, e cila mund të jetë në muaj ose edhe në vite, që nga çasti i shfaqjes së simptomave psikotike deri nisjen e trajtimit të duhur. Kjo periudhë quhet “Periudha e psikozës së patrajtuar” dhe përmirësimi i programeve të ndërhyrjes ka si qëllim shkurtimin e kësaj periudhe. Shkurtimi i periudhës së psikozës së patrajtuar është shoqëruar me një përgjigje më të mirë ndaj trajtimit dhe rritje të gjasave për rekuperim më të shpejtë dhe afatgjatë. Zgjatja e periudhës së psikozës së patrajtuar shoqërohet me rezultate të dobëta në përmirësimin e simptomatikës dhe në rifitimin e funksionimit të përditshëm.
Ndikimi i psikozës në vetëvrasje dhe psikozat në urgjencën psikiatrike në popullatën e Tiranës
Në një studim të kryer mbi ndikimin që ka psikoza në vetëvrasjet në Tiranë për periudhën 2001-2006 rezultoi se psikozat kanë ndikim të rëndësishëm ndaj vetvrasjeve, 17% e atyre që kanë kryer vetëvrasje kanë patur psikozë. Nga ky studim I kryer nga mjekët psikiatër në Departamentin e Psikiatrisë në QSUT, dolën edhe rrezultate mjaft interesante lidhur me epidemiologjinë e vetëvrasjeve në qytetin e Tiranës. Kështu në periudhën 2001-2006 në rrethin e Tiranës 159 vetvrasje u regjistruan nga të cilat 1/3 janë femra dhe 2/3 meshkuj, 66-beqarë, 77-të martuar, 8- të divorcuar, 6- të ve dhe për dy persona nuk ka informacion.
Prania e sëmundjeve mendore tek këta përsona rezultoi 80 (50.3%) me depresion, nga të cilët 14 janë më depresion psikotik, 5 raste rezultojne me depresion bipolar, 2 raste me depresion shkaktuar nga përdorimi i substancave dhe 2 raste me depresion të shkaktuar nga sëmundje somatike. Me skizofreni rezultojnë 4 raste ndërsa me çrregullim skizoafektiv 2 raste. Tre raste rezultojnë pas stresit. Një rast rezulton me çrregullim psikotik shkaktuar nga alkooli dhe një rast me çrregullim deluzional. Dy raste rezultojnë me demencë. Për 65 (40.9%) raste nuk jepen të dhëna për ndonjë sëmundje organike ose psikoemocionale. Nga numri i përgjithshëm me psikozë rezultojnë 22 raste (13.8%) dhe 5 ose 3.1% me depresion bipolar (që në përqindje të lartë është i shoqëruar me simptoma psikotike). Pra. Mund të themi se 27 raste (17%) me psikoza, kanë kryer vetvrasje në periudhën 2001-2006. Konfirmohet hipoteza se psikozat kanë ndikim statistikisht të rëndësishëm ndaj vetvrasjeve.
Një tjetër studim i rëndësishëm mbi epidemiologjinë e diagnostikimit të çrregullimeve psikotike në Urgjencën Psikiatrike Tiranë në kontekstin e përdorimit të substancave ka gjetur se pacientët të cilët janë aktivë në përdorimin e substancave dhe manifestojnë simptoma psikotike. Por studimi nxorri në pah edhe sfidat në lidhje me psikozat e hershme, apo edhe psikozat primare e sekondare duke nxjerrë si rekomandim rëndësinë e qartësimit të natyrës së çrregullimeve psikotike ndër pacientët përdorues të substancave të cilët shfaqin episodin e parë psikotik, sidomos në implikimin e planit të trajtimit të mëtejshëm të tyre. Ky studim i kryer në periudhën Janar 2010- Tetor 2011 kishte në focus pacientët e paraqitur dhe të shtruar në Urgjencën Psikiatrike meshkuj dhe femra, në moshën mbi 16 vjeç të diagnostikuar me çrregullime psikotike sipas DSM-IV. Rezultoi se përqindja e pacientëve të diagnostikuar me çrregullime psikotike primare është më e lartë se sa e atyre të diagnostikuar me çrregullime psikotike nga substancat, dhe që janë trajtuar me antipsikotikë. Klinicistët në urgjencën psikiatrike duket se kanë një tendencë për tja atribuar simptomat psikotike një çrregullimi primar psikotik sesa një përdorimi konkurent substancash. Kjo është një e dhënë e cila na tregon rëndësinë e diagnostikimit të simptomave psikotike, për faktin se diagnoza implikon në mënyrë sinjifikative menaxhimin psikozës në të ardhmen, ndaj është e rëndësishme të përmirësohen teknikat diagnostikuese në urgjencat psikiatrike.
Përgjatë tre dekadave të fundit, studime të shumta kanë hetuar fazat e hershme të çrregullimeve psikotike. Këto studime kanë dhënë mundësinë e gjetjes së faktorëve të lidhur me parandalimin dhe rezultatet e trajtimit, të cilat tregojnë se si ndërhyrja e hershme në psikozë mund të jetë mënyra më e mirë për të lehtësuar barrën sociale dhe ekonomike që sjellin çrregullimet e spektrit të skizofrenisë.
Megjithatë nevojitet kryerja e kërkimeve të mëtejshme shkencore për të gjetur markues, të cilët mund të parashikojnë zhvillimin e psikozës te individitët me rrezik shumë të lartë, për të hetuar efektshmërinë e ndërhyrjes psikosociale dhe shërbimeve të ndërhyrjes së hershme, si dhe të kuptojmë më mirë dekursin klinik dhe patogjenezën e çrregullimeve psikotike që në fazën e hershme të nisjes së zhvillimit të tyre.
Referenca
- McGorry, P. D., Killackey, E., & Yung, A. (2008). Early intervention in psychosis: concepts, evidence and future directions. World Psychiatry: official journal of the World Psychiatric Association (ËPA), 7(3), 148–156.
- Editorial: Early Intervention in Psychotic Disorders,Kim S.-W., Nelson B., Yang Y.K., Chung Y.-C., (2020) Frontiers in Psychiatry, 11 , art. no. 574532
- Lieberman JA, Alvir JM, Woerner M. Prospective study of psychobiology in first-episode schizophrenia at Hillside Hospital. Schizophr Bull. 1992;18:351–371
- Edwards J, McGorry PD. Implementing early intervention in psychosis: a guide to establishing early psychosis services. London: Dunitz; 2002.
- Yung AR, McGorry PD, McFariane CA, Jackson HJ, Patton GC, Rakkar A. Monitoring and care of young people at incipient risk of psychosis. Schizophr Bull (1996) 22:283–303.
- Marshall M, Rathbone J. Early Intervention for Psychosis. Schizophr Bull (2011) 37:1111–4.
- Lidhja Shqipëtare e Psikiatrisë, Prishtinë 2011
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.