Problemet me gjumin te prindërit e fëmijëve me çrregullim të spektrit të autizmit përgjatë pandemisë nga covid -19, në Shqipëri

Gjumi është thelbësor për shëndetin dhe mirëqënien e njeriut. E megjithatë shumica e njerëzve nuk flenë mjaftueshëm dhe shumë vuajnë nga mungesa e vazhdueshme e gjumit. Sondazhe të kryera në SHBA tregojnë se të paktën 40 milionë amerikanë vuajnë nga 70 lloje të ndryshme të çrregullimeve të gjumit dhe 60% e të rriturve raportojnë të kenë probleme me gjumin të paktën disa herë në javë ose më shumë. Shumica e këtyre problemeve kalojnë pa u diagnostikuar dhe trajtuar, por ndërkohë 40% e të rriturve raportojnë të përjetojnë përgjumje të shumtë gjatë ditës, aq sat ë ndikojë në veprimtaritë e jetës së përditshme të paktën disa herë në muaj dhe të paktën 20% prej tyre raportojnë se këtë gjëndje e përjetojnë disa ditë në javë.

Ajo që studimet tregojnë është se ekziston një lidhje e ngushtë mes gjumit dhe shëndetit të njeriut në tërësi dhe në veçanti shëndetin mendor. Mungesa e gjumit, ose cilësia jo e mirë e tij mund të jetë shkaktarë për një sërë çrregullimesh mendore ose të përkeqësoje simptomat më parë të pranishme, ashtu sikurse të jetuarit me një çrregullim të shëndetit mendor mund të ndikojë cilësinë e gjumit.

E kështu hyjmë në një rreth vicioz, nga i cili është vështirë të dalim nëse nuk vlerësohemi nga profesionistë të fushës dhe të marrim trajtimin e duhur.

Çfarë mund të përjetojnë njerëzit që kanë probleme me gjumin?

Vështirësi për të rënë në gjumë, për të qëndruar në gjumë ose zgjohen herët në mëngjes, kanë problem që iu prishin gjumin, si atake paniku, makthe, e kanë të vështirë në mëngjes që të cohen nga krevati sepse ndihen të pangopur me gjumë, shpesh gjatë ditës ndihen të lodhur, të përgjumur, pa energji, gjithashtu mund të ndodhë që t’i zërë gjumi përgjatë ditës në shkollë, në punë, në takime të rëndësishme. Vështirësia rritet edhe më tepër kur këta individë përballen edhe me vështirësitë që mbart rritja e një fëmije me çrregullim të spektrit të autizmit.

Çfarë mund të shfaqin fëmijët me autizëm?

Çrregullimi i spektrit të autizmit nis në fëmijërinë e hershme dhe më pas shkakton probleme me fuksionimin në tërësi, në shoqëri, në shkollë apo punë në të ardhmen. Shpesh fëmijët i shfaqin simptomat e autizmit brenda vitit të parë të jetës. Një numër i vogël fëmijët duket të kenë një zhvillim normal përgjatë vitit të parë të jetës dhe më pas duket të kalojnë përmes një proçesi regresi në zhvillim, kryesisht përgjatë muajit të 18 dhe 24 të jetës, periudhë në të cilën nisin të shfaqin simptomat e autizmit. Ndërkohë që ende nuk ka një kurë për trajtimin e çrregullimit të spektrit të autizmit, ndërhyrja e hershme duket të përbëjë një ndryshim të rëndësishëm në jetët e shumë fëmijëve. Çdo fëmijë me autizëm ka gjasë të shfaqë një model të veçantë sjelljeje e simptomatike të spektrit, si dhe shkallë të ndryshme të rëndesës së tyre – nga funksionimi i ulët deri në funksionim të lartë.

Disa nga simptomat që shfaqin fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit janë mungesa e reagimit kur e thërret në emër, mungesa e kontaktit me sy dhe e shprehjes së emocioneve përmes gjesteve, mimikës dhe pozicionit trupor. Fëmija shpesh nuk shfaq dëshirë, ose hera-herës bezdiset nga kontakti fizik, si në rastin e përqafimeve dhe përkedheljve qoftë edhe nga prindërit. Ai shfaq dëshirën për të luajtur vetëm dhe nuk lejon përfshirjen në lojë të njerëzve të tjerë. Në shumicën e rasteve fëmija shfaq vonesë të zhvillimit gjuhësor, shpesh duke mos thënë asnjë fjalë ose duke ndërprerë fjalët që mund të kishte nisur të thoshte. Në rastet kur gjuha e folur ka nisur të zhvillohet, fëmija nuk arrin që të ndërtojë një bashkëbisedim, nuk nis spontanisht një bisedë, nuk bën pyetje ose nuk arrin të emërtojë saktë objektet. Toni i zërit është i ndryshëm, ashtu sikurse ritmi, duke krijuar shpesh përshtypjen e një zëri robotik. Shpeshherë fëmija përsërit fjalët ose shprehje që i thuhen, ose që i ka dëgjuar më parë. Vështirësi shfaq edhe në të treguarin me gisht, ndaj dhe shpeshherë kur ka nevojë për diçka ose përpiqet ta arrijë vetë, ose merr për dore njërin nga prindërit. Fëmija gjithashtu ka vështirësi në zbatimin e komandave, apo të kuptuarit të pyetjeve të thjeshta. Nuk shfaq interes për të ndarë gjërat, nuk arrin të kuptojë drejt situate të ndryshme shoqërore, shprehitë emocionale të njerëzve të tjerë e në këtë mënyrë duke reaguar në mënyrë të papërshtatshme.

Fëmija gjithashtu mund të shfaqë stereotipi të ndryshme vokale ose motorike, duke shkundur, tundur duart ritmikisht. Ndonjëherë shfaq sjellje impulsive-agresive kundrejt vetes ose të tjerëve, duke goditur kokën për muri, kafshuar, pickuar ose goditur të tjerët, kryesisht familjarët. Fëmija është tepër i ngurtë ndaj rutinës dhe nuk arrin të përshtatet me ndryshimet apo me mjediset e reja. Interesat e tij janë tepër të veçanta dhe fikse si dhe nuk arrin të bëjë lojën simbolike, “me sikur”.

Duke qënë se cilido fëmijë shfaq një përzierje unike të simptomatikës, shkalla e rëndesës mund të jetë ndonjëherë e vështirë për t’u përcaktuar. Zakonisht ajo bazohet në shkallën e dëmtimit dhe se si ajo ndikon në aftësinë e fëmijës për të funskionuar mirë në shoqëri.

Sa vështirë e ka një familje me fëmijë të spektrit të autizmit?

Vështirësitë që shfaq menaxhimi i simptomatikës së një fëmije me autizëm shfaqen fillimisht në familje, duke ndikuar në funksionimin të gjithë pjesëtarëve të familjes.

Problemet me gjumin, sipas studimeve të kryera, janë më të shprehura te prindërit e fëmijëve me crregullime të neurozhvillimit, vecanërisht fëmijët me autizëm. Kjo duket të jetë e lidhur ngushtë me problemet me gjumin që shfaqin këta fëmijë, e cila duket se pasqyrohet më pas edhe në cilësinë e gjumit të prindërve. Ndonëse hamendësohej se këto probleme mund të ishin më të shprehura te nënat e këtyre fëmijëve, nga studimet u gjet se edhe baballarët shfaqnin gjithashtu shumë vështirësi me gjumin, të cilat lidheshin më tepër me cilësinë e tij, e jo aq shumë me kohëzgjatjen.

Ndërkohë që vështirësitë me gjumin shtohen edhe më shumë në periudha shumë stresuese, me ngarkesë të shtuar ankthi, ashtu sikurse është edhe koha e pazakontë që bota përjeton si pasojë e pandemisë nga covid-19. Në studimet e kryera përgjatë periudhe nëpër botë, të cilat kanë marrë në shqyrtim cilësinë e gjumit përgjatë periudhës së pandemisë kanë gjetur se një numër gjithmonë e më I madh njerëzit kanë patur vështirësi me gjumin. Këto probleme u gjetën të ishin më të shprehura te njerëzit që po kalonin përgjatë një periudhe të rënduar vështirësie psikologjike. Pagjumësia ishte nëj nga simptomat te njerëzit e infektuar me covid-19, por këta nuk ishin të vetmit që përjetuan probleme të shumta me gjumin. Sipas studimeve, punonjësit e shërbimit mjekësor ishin popullata e dytë më e prekur nga problemet e gjumit. Por ndërkohë edhe në studimet e kryera në popullatën në përgjithësi, u gjet se kishte shtim të problemeve që lidheshin si me kohëzgjatjen ashtu edhe me cilësinë e gjumit.

Cilat janë karakteristikat e crregullimeve të gjumit në këtë popullatë në Shqipëri?

Vëshirësi dhe probleme me gjumin janë gjetur edhe në një studim të kryer në vendin tonë. Sipas këtij studimi, i cili kryer në Shqipëri përgjatë kohës së izolimit në Mars-Prill 2020 dhe është botuar në Revistën e Shoqatës Evropiane të Psikiatrisë në 2021 si dhe prezantuar në Konferencën e 5-të të Evropës Lindore për Shëndetin Mendor, prindërit që nuk kishin raportuar probleme me gjumin më parë gjatë mbylljes filluan të shfaqnin këto simptoma. Shumica e tyre raportuan se nuk kishin probleme me gjumin, por kishte disa prindër që raportuan vështirësi të shumta me cilësinë dhe sasinë e gjumit që më pas reflektoheshin edhe me vështirësi në kryerjen e veprimtarive të përditshme e sidomos mungesën e përqëndrimit. Këto simptoma mund të jenë për shkak të të gjithë faktorëve të mësipërm të pandemisë Covid-19, por situata e fëmijëve të tyre gjithashtu mund të ketë kontributin e vet.

Vështirësitë me gjumin, të cilat pasqyrohen më pas edhe me dëmtim të funksionimit të përditshëm duhen patur parassysh dhe të trajtohen sa më shpejt. Ato ndikojnë jo vetëm në cilësinë e jetës së këtyre individëve, por edhe të familjeve të tyre, si dhe te fëmijët e tyre me probleme të zhvillimit. Duket se pasojat të ndikojnë edhe në ecurinë në terapi të këtyre fëmijëve, të cilët në vetëvete mund të shfaqin vështirësi me gjumin.

Identifikimi i individëve me probleme me gjumin, drejtimi i tyre te profesionistë të shëndetit mendor për trajtimin e duhur të këtyre simptomave, do duhet të jetë një përparësi për t’u ardhur sa më shpejt në ndihmë dhe për të ndikuar pozitivisht në jetët e tyre.

Referenca

  1. Institute of Medicine. Sleep Disorders and Sleep Deprivation: An Unmet Public Health Problem. Washington, DC: The National Academies Press; 2006.
  2. Nutt, D., Wilson, S., & Paterson, L. (2008). Sleep disorders as core symptoms of depression. Dialogues in clinical neuroscience, 10(3), 329–336.
  3. Karna B, Gupta V. Sleep Disorder. 2021 Nov 20. In: StatPearls [Internet]. Treasure Island (FL): StatPearls Publishing; 2022 Jan–. PMID: 32809555.
  4. Meltzer LJ. Brief report: sleep in parents of children with autism spectrum disorders. J Pediatr Psychol. 2008 May;33(4):380-6. doi: 10.1093/jpepsy/jsn005. Epub 2008 Feb 4. PMID: 18250091.
  5. Goldman SE, Richdale AL, Clemons T, Malow BA. Parental sleep concerns in autism spectrum disorders: variations from childhood to adolescence. J Autism Dev Disord. 2012 Apr;42(4):531-8. doi: 10.1007/s10803-011-1270-5. PMID: 21538171.
  6. Malow BA, Adkins KW, Reynolds A, Weiss SK, Loh A, Fawkes D, Katz T, Goldman SE, Madduri N, Hundley R, Clemons T. Parent-based sleep education for children with autism spectrum disorders. J Autism Dev Disord. 2014 Jan;44(1):216-28. doi: 10.1007/s10803-013-1866-z. PMID: 23754339; PMCID: PMC3818449.
  7. Bhat S, Chokroverty S. Sleep disorders and COVID-19. Sleep Med. 2022 Mar;91:253-261. doi: 10.1016/j.sleep.2021.07.021. Epub 2021 Jul 18. PMID: 34391672; PMCID: PMC8286239.
  8. Jahrami H, BaHammam AS, Bragazzi NL, Saif Z, Faris M, Vitiello MV. Sleep problems during the COVID-19 pandemic by population: a systematic review and meta-analysis. J Clin Sleep Med. 2021 Feb 1;17(2):299-313. doi: 10.5664/jcsm.8930. PMID: 33108269; PMCID: PMC7853219.

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.