Virusi Sars-CoV-2 bën pjesë në familjen e koronavirusëve, të cilët i përkasin familjes më të madhe të ARN viruseve të gjetur në kafshë të ndryshme. Që prej nisjes së pandemisë në vitin 2019 deri më sot janë raportuar rreth 275 milion njerëz në botë të infektuar nga ky virus dhe rreth 5 milion vdekje.
Rëndesa e sëmundjes nga infektimi me SARS-CoV-2 klasifikohet në tre kategori: pacientët me formë të lehtë, të cilët përjetojnë simptoma të lehta, të kontrollueshme dhe mund të trajtohen ambulatorisht, pacientët me format e moderuara, që mund të zhvillojnë dispne dhe kanë nevojë për oksigjenoterapi në shtëpi dhe pacientët me format e rënda, të cilat kanë nevojë urgjente për hospitalizim dhe qëndrim në shërbimin e terapisë intensive.
Në studimet e kryera janë gjetur rreth 40 lloje të ndryshme të manifestimeve neurogjike te pacientët e prekur nga infeksioni nga Covid-19. Prevalenva e problemeve neruologjike në fazën akute dhe atë subakute të sëmundjes duket të jetë rreth 35-85%. Njerëzit më së shumti raportojnë shqetësime konjitive dhe probleme të kujtesës, dhimbje koke, humbje të shijes ose nuhatjes si dhe dhimbje muskulare (mialgji).
Në Shqipëri sipas një studimi “Pasqyrim i të dhënave epidemiologjike dhe manifestimi i shenjave klinike të Covid-19 te pacientët e rritur” të botuar në Qershor 2022, mbi pacientët e hospitalizuar në pavionin e Covid-19 përgjatë periudhës Mars 2020 – Prill 2021 u gjet se pjesa më e madhe e pacientëve shfaqnin si simptoma fillestare këputje (98,6% e pacientëve), dhimbje muskujsh (mialgji- 72,2%) dhe thuajse gjysmat ankonin për dhimbje koke (48,4%) dhe humbje të nuhatje (anosmia – 51,8%).
Diagnozat akute neurologjike përfshijnë encefalopatinë, deliriumin, sëmundjet cerebrovaskulare, konvulsionet, neuropatitë dhe miopatitë. Më rrallë janë raportuar probleme që përfshijnë lëvizjet jo normale, axhitimin psikomotor, sinkopet apo edhe probleme me sfinkterat.
Pacientët shpesh raportojnë se vuajnë nga probleme fizike, konjtive dhe psikologjike për një periudhë të gjatë kohore edhe pas shërimit nga semundja e shkaktuar nga infektimi nga virusi. Në pacientët e shëruar, virusi qëndron për një kohë të gjatë në sistemin nervor qëndror dhe ka aftësinë që të nxisë apo riaktivizojë komplikacione të ndryshme neurologjike.
Termi Sindromi post-COVID iu referohet atyre pacientëve që kanë të pranishme një simptomë ose zhvillojnë një çrregullim të ri pasi janë shëruar nga sëmundja. Simptomat ose çrregullimet janë të ndryshme duke nisur që nga simptoma të lehta, si dhimbja e kokës, e deri në gjëndje më të rënda, si goditjet në tru (stroke), fibrozë pulmonare dhe dëmtim të funksionit të veshkave.
Disa nga simptomat më të zakonshme që përjetojnë njerëzit pas infektimit janë mungesa e nuhatjes, e shijes, ndjesia e shijes së keqe në gojë, dhimbje koke, dhimbje muskulare dhe lodhje e këputje trupore. Dhimbja e kokës dhe këputja duken të jenë edhe simptomat më të hershme me të cilat shfaqet sëmunjda.
Ndonëse mekanizmi i pushtimit të sistemit nervor qendror (SNQ) nga virusi është i paqartë, SARS-CoV-2 mundet të depërtojë në SNQ në sajë të transferimit neuronal retrograde përmes bulbit olfaktor. Katër mekanizma patogjenetik janë të përfshirë në dëmtimin e SNQ-së: në mënyrë të drejtëpërdrejtë përmes encefalitit viral, nëpërmjet inflamacionit sistemik, përmes dëmtimit organor periferik dhe përmes ndryshimeve në sistemin cerebrovaskular. Në disa raste mundet që të ndërveprojnë edhe të katërt mekanizmat sëbashku.
Ndonëse ende nuk është gjetur një lidhje, janë raportuar shumë raste që lidhin SARS-CoV-2 me çrregullime neurologjike kronike, si çrregullimet neurodegjenarative, sklerozën e shumëfishtë, paralizën flakside akute, sindromin Guillain-Barre, mielitin transvers dhe konvulsionet. Në studimet e kryera ulja e nuhatjes dhe mungesa tërësisht e saj duken të jenë simptomat kryesore neurologjike në një ndjekje tre mujore të pacientëve pas shërimit nga sëmundja. Ndërkohë që një studim i fundit i kryer ka gjetur shfaqje të migrenës për herë të parë dhe episode rekurente të migrenës si problemin kryesor neurologjik te pacientët pas shërimit.
Një studim i kryer në disa qendra në Itali raportoi 25 raste të encefalitit të lidhur me SARS-CoV2 duke patur si simptomë kryesore fillestare deliriumin, probleme me të folurin dhe konvulsione.
Ndërkohë ka të dhëna të tjera që tregojnë se ka një rrezik të shtuar për aksidente cerebrovaskulare te pacientët post COVID-19, me rritje të incidencës për ishemi cerebrale që llogaritet rreth 1 në 10 pacientë me encefalopati.
Gjithashtu edhe rreziku për të zhvilluar demencë është më i lartë pas infektimit me Covid-19.
Më pak studime raportojnë konvulsionet si simptomën fillestare te pacientët e infektuar nga Covid-19.
Sindromi Guillain- Barre i paraprirë nga infeksioni me SARS-CoV2 është raportuar gjithashtu në shumë studime. Shfaqja klinike dhe ecuria e sëmundjes është e ngjashme me atë të shfaqur te pacientët jo Covid-19, pacientë të cilët i nënshtrohen më pas edhe plazmaferezës për 4 javë. Lodhja dhe këputja trupore është raportuar në të paktën 53% të pacientëve që kanë kaluar forma të rënda të Covid-19 edhe 2 muaj pas shfaqjes së simptomave.
Disa studime raportojnë se pacientët që përjetojnë forma të rënda të sëmundjes kanë rrezik më të lartë për të zhvilluar çrregullime neurologjike deri në 3 muaj pas infektimit me virusin krahasuar me ata që kanë kaluar forma të lehta ose të moderuara. Përfarërsisht 50% e pacientëve që kanë të shtruar në terapinë intensive kanë zhvilluar çrregullime neurologjike dhe psikiatrike brenda 6 muajve nga infektimi. Megjithatë rreziku për të zhvilluar komplikacione neurologjike është disi më i lartë edhe te pacientët që kanë përjetuar vetëm simptoma të lehta të sëmundjes. Krahasuar me gripin e zakonshëm apo infeksionet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes, të mbijetuarit nga Covid-19 janë më të ndjeshëm ndaj zhvillimit të çrregullimeve psikiatrike.
Referenca
Shwan A. Ahmad, Shvan H. Mohammed, Berwn A. Abdulla, Bestoon Kh Salih, Marwan N. Hassan, Abdulwahid M. Salih, Fahmi H. Kakamad, Hiwa O. Abdullah, Hemn Ali Hassan, Snur Othman, Shadi Hamid Sidiq, Post COVID – 19 neurological disorders; a single center experience; a case series, Annals of Medicine and Surgery, Volume 76, 2022, 103508, ISSN 2049-0801
- Sun, N. Tang, M.J. Peluso, N.S. Iyer, L. Torres, J.L. Donatelli, S.E. Munter, C.C. Nixon, R.L. Rutishauser, I. Rodriguez-Barraquer, B. Greenhouse, Characterization and biomarker analyses of post-COVID-19 complications and neurological manifestations
- Nuzzo, S. Vasto, L. Scalisi, S. Cottone, G. Cambula, M. Rizzo, D. Giacomazza, P. Picone Post-acute COVID-19 neurological syndrome: a new medical challenge, J. Clin. Med., 10 (9) (2021 Jan), p. 1947
M.A. Ellul, L. Benjamin, B. Singh, S. Lant, B.D. Michael, A. Easton, R. Kneen, S. Defres, J. Sejvar, T. Solomon Neurological associations of COVID-19, Lancet Neurol. (2020 Jul 2)
- Camargo-Martínez, I. Lozada-Martínez, A. Escobar-Collazos, A. Navarro-Coronado, L. Moscote-Salazar, A. Pacheco-Hernández, T. Janjua, P. Bosque-Varela, Post-COVID 19 neurological syndrome: implications for sequelae’s treatment
- Clin. Neurosci. (2021 Apr 8)
Nolen, L.T., Mukerji, S.S. & Mejia, N.I. Post-acute neurological consequences of COVID-19: an unequal burden. Nat Med 28, 20–23 (2022).
Stefanou MI, Palaiodimou L, Bakola E, Smyrnis N, Papadopoulou M, Paraskevas GP, Rizos E, Boutati E, Grigoriadis N, Krogias C, Giannopoulos S, Tsiodras S, Gaga M, Tsivgoulis G. Neurological manifestations of long-Covid
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.