Narcisizmi!
Narcisizmi është prirja e të menduarit shumë mirë për veten dhe të kesh pak ose aspak konsideratë për të tjerët.
Unë jam i mrekullueshëm! A nuk mendoni dhe ju kështu?
Thënë thjesht, narcisizmi është prirja e të menduarit shumë mirë për veten dhe të kesh pak ose aspak konsideratë për të tjerët. Një narcisist është egoist, i vetëkënaqur dhe i etur për vëmendje. Por këto cilësi kanë një gamë të gjerë shtrirjeje. Vetëm se keni disa tipare narcistike nuk do të thotë që vuani nga një çrregullim mendor.
Karakteristikat e një narcizisti
Narcisizmi ekstrem mund të shndërrohet në një crregullim mendor, i quajtur çrregullimi i personalitetit narcisist. Jeta juaj sillet rreth nevojës tuaj për vëmëndje dhe miratim të asaj që ju thoni ose mendoni. Ju nuk i kuptoni ose nuk interesoheni për ndjenjat e të tjerëve. Jeni i bindur që jeni i veçantë dhe keni nevojë që të tjerët ta pranojnë këtë.
Pasqyrë, o pasqyrë!
Fjala narcisizëm vjen nga një mit grek, në të cilin një i ri u dashurua me pasqyrimin e tij në një liqen të vogël në pyll. Narcisi ishte i bukur. Nga ana tjetër, narcisistët nuk duhet domosdoshmërisht të jenë të bukur për ta besuar ata vetë. Ata janë të bindur se janë superior edhe kur ky nuk është realiteti.
Uri të pashtershme
Lavdërim. Kjo është ajo që një narcisist dëshiron nga të tjerët. Gjatë gjithë kohës. Oreksi i tyre për të është i pakufizuar dhe shkon vetëm në një drejtim, kështu që mos prisni asgjë pas. E nëse ajo rrymë e vazhdueshme lajkash dhe admirimi ndalet qoftë edhe për një sekondë, ata mund të kthehen në armiqësorë ose agresivë shumë shpejt.
Atyre nuk iu intereson asnjë tjetër
Në të vërtetë kështu është. Ndjenjat e njerëzve të tjerë nuk janë në radarin e një narcisisti. Ata zakonisht nuk kanë aspak empati ndaj të tjerëve. Ata i shohin të tjerët si një mjet për të marrë atë që duan, ose një pengesë në rrugën e tyre. Ndonjëherë, ata nuk duan të tregohen të këqij, por thjesht nuk arrijnë të shohin se çfarë ndikimi kanë te të tjerët
Ata janë ngacmues (bullizojnë)
Imazhi i fryrë i një narcisisti shpesh maskon një frikë që ata nuk e kuptojnë. Kur dikush iu ngacmon egon ose i fyen, narcisistët mund të godasin me forcë. Ata poshtërojnë, përçmojnë dhe frikësojnë. Shumë studime e kanë lidhur narcisizmin me nivele më të larta të agresionit dhe dhunës
Romanca me një narcissist
Ju mund të mos i shihni sinjalet e alarmit që në fillim. Narcisistët shpesh janë simpatikë dhe të famshëm. Por me kalimin e kohës, ata mund të bëhen të ftohtë, manipulues dhe mizorë. Ata shpesh janë jo besnikë, gjithmonë në kërkim të një partneri më mbresëlënës ose me pamje më të mirë.J
E ngjashmja tërheq të ngjashmen?
Ju do të mendonit se narcisistët do të parapëlqenin partnerë që ushqejnë egon e tyre ose që durojnë pandjeshmërinë e tyre. Por zakonisht nuk është kështu. Narcisistët lidhen me të gjitha llojet e personaliteteve. Për më tepër ka pak më shumë gjasa që të përfundojnë në një marrëdhënie me një tjetër narcisist.
Narcisistët si bashkëpunëtorë (kolegë)
Ata bëjnë përshtypje të para të mira dhe shkëlqejnë në intervistat për punë. Por ato mund të jenë punësime të këqija. Narcisistët mbivlerësojnë aftësitë e tyre dhe i ulin ato të të tjerëve. Ata do të bëjnë gjithçka që duhet për të rënë në sy. Ata do të futen në biseda private, do të japin këshilla të padëshiruara dhe do të vjedhin paturpësisht ide. Ata vlerësohen gjithashtu keq nga punonjësit që kanë nën menaxhim, përveç atyre që janë vetë narcisistë.
Por jo çdo gjë është e këqe
Një dozë narcisizmi mund të jetë një gjë e mirë. Mund të nidhmojë në rritjen e vetëvlerësimit tuaj dhe t’ju japë gëzim. Ju keni më pak të ngjarë të bini në depresion, të jeni të vetmuar apo të shkurajuar. “Narcisistët normal” shpesh janë folës dhe vizionarë të shkëlqyer. Kjo mund të jetë arsyeja pse ata gjithashtu tentojnë të fitojnë paga më të mëdha në botën e korporatave.
Mendoni se dikush është narcisist?
Thjesht i pyesni ata! Ata çuditërisht janë të gatshëm t’ju tregojnë saktësisht se kush janë. Jo sepse mendojnë që ka ndonjë problem me ta. Ata madje mund të thonë se je i pavlerë që nuk je edhe ti narcisist. Ata me siguri nuk do të kërkojnë falje për sjelljen e tyre apo për mënyrën se si e jetojnë jetën e tyre.
Nëse partneri juaj është narcissist
Ata mund të të vënë në gjumë me ëndrra madhështore kur jeta është e mirë. Por kur fantazia mbaron, ju mund të bëheni rrënja e të gjitha problemeve të tyre. Mos bini pre e këtij realiteti të shtrembëruar. Ndihmon nëse ju:
- Nuk i justifikoni kur ata gënjejnë ose kur dëmtojnë të tjerët
- Kuptoni që do të bëjnë të njëjtën gjë me ju
- Përqëndrohuni në qëllimet dhe ëndrrat vetjake
Si ta përballoni një narcisist?
Vendosni kufij. Përcaktoni cili është kufiri juaj. Qëndrojini besnik këtij kufiri ndërkohë që ata përpiqen t’iu ndëshkojnë, magjepsin apo ngacmojnë (bullizojnë)
Kritikoni me butësi. Ata mund të zemërohen nëse ju kërcënoni imazhin e tyre për veten. Përqendrohuni më tepër në mënyrën se si sjellja e tyre ju bën të ndiheni sesa në qëllimet e tyre.
Largohuni nëse ata inatosen. Provoni përsëri kur të jenë më të qetë.
Mos debatoni. Ata me shumë gjasa nuk do iu dëgjojnë dhe për më tepër mund të vënë në dyshim e të sulmojnë qëllimet tuaja.
Trajtimi
Narcisistët nuk janë të prirur për të kërkuar ndihmë profesionale. Mbi të gjitha, mbrojtja është një nga shenjat dalluese të tyre dhe nuk ka ende asnjë trajtim të miratuar. Disa ekspertë thonë se terapia e të folurit mund t’i ndihmojë narcisistët të kuptojnë më mirë sesi sjellja e tyre ndikon tek të tjerët. Disa terapistë mund të provojnë trajtime më efektive të hartuara për çrregullime me tipare të ngjashme, si çrregullimi i personalitetit kufitar.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.