Pacientët shpesh tremben kur vjen puna te përdorimi i barnave. E kanë më të lehtë për të marrë mjekime për sëmundje të tjera por kur bëhet fjalë për sëmundje mendore ata refuzojnë të marrin barna
Pacientët shpesh tremben për të pirë ilaçe. Kur shpjegojnë pse, ata shpesh citojnë arsye që janë të bazuara në mite dhe mbizotëron stigma rreth mjekimit, veçanërisht për barnat antidepresive.
Antidepresivët janë barna që përshkruhen për të përmirësuar gjendjen shpirtërore duke ndryshuar nivelet e serotoninës, një hormon që ndihmon në qëndrueshmërinë e humorit dhe norepinefrinës, i cili ndikon mbi energjinë dhe vigjilencën. Barnat më të përdorura janë zakonisht dy lloje: frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës (SSRI), të cilët funksionojnë duke ndryshuar ekuilibrin kimik të trurit të frenuesve të serotoninës dhe frenuesit selektivë të rikapjes së serotoninës dhe norepinefrinës (SNRIs), të cilët bashkëveprojnë me norepinefrinën dhe serotoninën në tru.
Në Shqipëri, përhapja e depresionit në popullatë është shumë më e madhe sesa mund të vlerësohej nga rastet e diagnostikuara në shërbimet shëndetësore. Kështu, Studimi Demografik dhe Shëndetësor në Shqipëri (ADHS) i vitit 2009 nuk identifikonte më shumë se 2% të popullatës 15-49 vjeç, si persona të cilët një mjek i kishte diagnostikuar me depresion. Në të vërtetë, prevalenca e problemit në popullatë është shumë herë më madhe dhe shumica dërrmuese e individëve, të rinj apo të moshuar, vuajnë më gjatë dhe më rëndë nga çdo të ndodhte nëse do të flisnin për të dhe do të merrnin trajtimin apo mbështetjen e duhur.
Ka dy studime të Institutit të Shëndetit Publik, që kanë mundur të matin përmasat e depresionit vitet e fundit në Tiranë, bazuar në metodologji të krahasueshme. Një studim me ndjekje 2012-2016 te një kampion (kohorte) të moshuarish dhe një studim transversal te një kampion të rinjsh të shkollave të mesme i vitit 2013.
Nga kohorti prej rreth 400 të moshuarish, të ndjekur gjatë 5 viteve lidhur me shenjat e depresionit, vërehet se pavarësisht një rënieje në vite, ai ngelet shumë i lartë krahasuar me popullata të tjera në vende të zhvilluara, por në disa raste ngelet më i lartë edhe në vende me zhvillim të ngjashëm ekonomik. Në vitin 2016, 1 në 4 të moshuar kishte probleme me depresionin. Femrat gjithmonë janë në rrezik më të lartë për të vuajtur nga depresioni. Një studim i vitit 2013, që përdorte metodologji të ngjashme tek te rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës (14-18 vjeç), tregonte se rreth 1 në 3 prej tyre paraqisnin shenja të depresionit.
Ka tregues në vendin tonë që dëshmojne se depresioni nuk menaxhohet mirë nga pikëpamja mjekësore në popullatë. Kështu, vërehet një nivel i lartë i përdorimit të anksiolitikëve pa kontrollin e mjekut (pa recetë), ndërkohë që përdorimi i medikamenteve antidepresive është minimal.
Njerëzit e kanë më të lehtë për të marrë mjekime për sëmundje si presioni i lartë i gjakut ose diabeti, por kur bëhet fjalë për sëmundje mendore ata refuzojnë idenë e përshkrimit të barnave. Ashtu si sëmundjet fizike, sëmundjet mendore gjithashtu kërkojnë kujdes nga një mjek i specializuar dhe një regjim me barna. Më poshtë do të paraqesim disa të dhëna që duhet të dini nëse jeni të pasigurt ose dyshues për marrjen e barnave kundër depresionit
Ja pesë gjëra për t’ú mbajtur parasysh në lidhje me antidepresivët:
- Nuk ka lidhje me mendimin “mos po më drogojnë”
Ndodh që një terapist rekomandon klientin e tij për takim me një psikiatër, kjo ndodh për shkak se simptomat e pacientit po ndërhyjnë në funksionimin e tij të përditshëm dhe e pengojnë atë që të jetojë jetën në mënyrën më të mirë të mundshme. Një terapist nuk është mjek, kështu që nëse ai vëren se simptomat nuk po përmirësohen dhe pacienti nuk po bëhet më mirë pas gjashtë muajsh, është normale që të rekomandojë një vlerësim psikiatrik për të marrë një këshillë mjekësore. Shumica e pacientëve mendojnë se mjekimi do t’i bëjë ata të ndihen të plogësht dhe se kjo është ajo që dëshirojnë profesionistët e shëndetit mendor, gjë që nuk është e vërtetë. Nëse një mjekim e bën një pacient të ndjehet “i përhumbur”, rekomandohet që të takoheni menjëherë me psikiatrin, në mënyrë që kjo gjë të rivlerësohet. Psikoterapistët dhe psikiatrit promovojnë mirëqenien e përgjithshme të pacientit. Nëse pacienti nuk është në gjendjen më të mirë të tij, duhet ndihmuar. Për diagnoza të caktuara, kjo përfshin mjekimin me barna.
2. Ju mund të kaloni përmes një proçesi “Provo dhe gabo” deri sa të gjeni mjekimin e duhur
Gjetja e mjekimit të duhur mund të kërkojë pak kohë. Përbërja kimike e trupit dhe trurit të cilitdo pacienti është e ndryshme, kështu që jo çdo mjekim do të jetë gjetja më e mirë. Është e rëndësishme të jeni të durueshëm me psikiatrin tuaj sepse ai do monitorojë gjëndjen tuaj me edhe pa mjekim. Barnat e para që provoni mund të jenë më të përshtatshmet, por edhe nëse nuk është nuk keni pse të shqetësoheni. Kalimi përmes proçesit të provave kur nisni barna të caktuara është normal dhe i nevojshëm.
3. Ndërprerja për ca kohë e mjekimit nuk është e nevojshme
Ndodh që shumë nga prindërit e fëmijëve të cilët kanë Çrregullim Hiperaktivitetit dhe Vëmëndjes së Pamjaftueshme (ADHD) nuk u japin fëmijëve mjekimin gjatë fundjavave ose gjatë verës, sepse ata duan t’u japin atyre një “pushim”. Kujdes simptomat e ADHD-së ndikojnë në aftësitë e tyre shoqërore, nivelet e hiperaktivitetit, përqendrimit, si dhe funksionin njohës (të menduarit para se të veprojnë, të qënit impulsiv, llafazan, etj), dhe kjo nuk ka nevojë për pushim. Kjo vlen edhe për barnat kundër depresionit. Nuk ka asnjë arsye për të bërë pushime të shkurtra nga diçka që po ndihmon e po funksionon. P.sh., nuk ndodh që njerëzit të ndalojnë marrjen e barnave të tyre kundër HIV ose kundër diabetit, në mënyrë që ata të bëjnë një pushim, përse ta bëjnë këtë për barnat kundër depresionit ose ndonjë bar tjetër psikotrop?
4. Antidepresivët nuk shkaktojnë varësi
Barnat që trajtojnë çrregullimin madhor depresiv, çrregullimin bipolar dhe çrregullime të tjera të humorit nuk krijojnë varësi. Nëse një pacient i ka marrë për një kohë të konsiderueshme dhe i ndërpret papritmas pa u këshilluar me psikiatrin e tij, ata do të përjetojnë simptomat e shkëputjes nga mjekimi. Disa pacientë e ngatërrojnë këtë me varësinë. Trupi juaj bëhet i varur fizikisht nga çdo mjekim që merrni e në mënyrë të natyrshme do të ketë një reagim nëse e ndërprisni atë. Kur dikush është i varur, dëshiron drogërat sepse kërkon të njëjtën shkallë euforie që i ka dhënë në fillim dhe është tepër i shqetësuar derisa ta marrë atë. Antidepresivët nuk i kanë këto efekte.
5. Marrja e mjekimit nuk do të zgjidhë gjithçka
Ndonëse marrja e mjekimit është shumë e dobishme, pacienti ende duhet të punojë me menaxhimin e simptomave të tij. Kjo përfshin ndjekjen e seancave psikoterapeutike vazhdimisht dhe përmirësimi i aftësive të përballjes me situatat stresante. Këto gjëra funksionojnë së bashku me barnat dhe nëse ju i zbatoni me përpikmëri, me siguri do të shihni rezultate dhe do të ndjeni një ndryshim në gjendjen shpirtërore dhe pikëpamjen për jetën.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.