Shqipëria për të parën herë futet në rrjetin e monitorimit për identifikimin e hershëm të Sars-CoV2

Celet laboratori I parë për identifikimin e hershëm të Sars-Cov2 në ujërat e ndotura, nëpërmjet survejancës mjedisore, me impakt në shëndetin publik. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf dhe ekspertë të fushës, morën pjesë në ceremoninë e organizuar për hapjen e laboratorit të ri, në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, më 20 Shtator.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Shqipëria për të parën herë futet në rrjetin e monitorimit përsa i përket identifikimit të Sars-CoV2 në ujërat e ndotura. Rëndësia e këtij laboratori të ri, qëndron te sinjalizimi më i shpejtë, vlerësimi përsa i përket situatës së ecurisë së post-pandemisë dhe do ta vendosë vendin tonë në të njejtin pozicion si të gjitha ato vende që sot e kanë këtë laborator, duke krijuar mundësinë për të vlerësuar një element të rëndësishëm në të gjithë sistemin e survejancës aktive, që është pikërisht monitorimi i ujërave të ndotur për praninë e Sars-Cov2. Ky laborator do të bëjë të mundur edhe monitorimin e shumë viruesve të tjera. Gjithashtu monitorimi do të shtrihet edhe në fusha të tjera duke bashkëvepruar dhe bashkëpunuar në kuadër të sistemit të alertit për antibiotiko-rezistencën si dhe do të rritë mundësitë që të zgjerohet gama e analizave mikrobike dhe gjenetike, në funksion të përmirësimit të shëndetit të popullatës me qasjen “one health”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë ceremonisë së përurimit, bëri me dije se janë duke u fuqizuar kapacitetet e Institutit të Shëndetit Publik për përgjigjen ndaj emergjencave, për fuqizimin e laboratorit të virologjisë, mikrobiologjisë. Për të parën herë Shqipëria do të ketë edhe një aparaturë të re në lidhje me sekuencimin genomic, pra një tjetër fuqizim i kapaciteteve tona në funksion të rritjes së evidencës shkencore, përsa i përket të gjithë evidencës së viruseve, varianteve, nënvarianteve, e cila do të bëjë të mundur përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe mbi të gjitha edhe zgjerimin e portofilit të kërkimit shkencor në Institutin e Shëndetit Publik por edhe më gjerë”, tha Manastirliu.

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri u shpreh: “Se sa i rëndësishëm është dhe do të jetë në të ardhmen për Shqipërinë ky sistem i paralajmërimit të hershëm, e shohim aktualisht në shpërthimin e poliomielitit në Nju Jork, Izrael dhe Londër, ku virusi u zbulua në ujërat e zeza dhe krijoi alarm për masa kundërvepruese. Tani Shqipëria, me këtë laborator të ri dhe sistemin e paralajmërimit të hershëm mund të jetë pjesë e sistemit global të mbikëqyrjes shëndetësore dhe mund të kontribuojë në monitorimin global të pandemive”, tha Ambasadori Peter Zingraf.

Ky laborator për analizimin e ujërave të ndotura për SARS-CoV-2 në Shqipëri u vu në funksion me fonde të Qeverisë Gjermane, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, së bashku me DVGë-Technologie Zentrum ëasser, Karlsruhe dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Përmes këtij laboratori do të kryhen analizat biologjike molekulare që do të shërbejnë si bazë për “Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm” ndaj SARS-CoV-2 dhe viruseve të tjera.

Shqipëria me këtë laborator të ri të “Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm” mund të jetë pjesë e sistemit global të mbikëqyrjes shëndetësore dhe mund të kontribuojë në monitorimin global të pandemive.

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.