10 Shtator 2022 – Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve.

10 Shtatori i cdo viti shërben si ditë kujtese, inspirimi e motivimi për vendet, shoqëritë, komunitetet dhe individët të reflektojnë, vetëdijësohen, hedhin hapat e duhur e marrin masat e nevojshme për të parandaluar vetëvrasjet. Organizata Botërore e Shëndetësisë në partneritet me shumë organizata, institucione shtetërore e ndërshtetërore, akademike e të lëvizjeve civile bëjnë thirrje për ta përdorur 10 Shtatorin si një zile thirrjeje në vëmendje të nevojës për ta marrë seriozisht përpjekjen për të parandaluar këtë fenomen gjithnjë e më vrastar në shoqërinë e sotme, vecanërisht në kontekst të pandemisë Covid. Thirrja është për veprime në nivel global e lokal.

Mbi dy të tretat e totalit të vetëvrasjeve ndodhin në vendet e varfra. Numri i tentativave për vetëvrasje është disafish më i lartë. Secila dekadë i ka shifrat mjaft më të larta se ajo paraardhëse. Familjet dhe komunitetet që vuajnë janë gjithnjë e më të shumta në numër. Mosha mesatare e atyre që humbasin jetën zvogëlohet dhe moshat e reja janë shndërruar në mosha me rrezik të lartë.

Vetëvrasjet dhe vështirësitë në shëndetin mendor përbëjnë një lidhje dyfishe të identifikuar prej kohësh, por historia nuk është kaq e thjeshtë: problemet financiare, streset e rëndësishme të jetës së përditshme, konfliktualitetet apo dështimet ndërpersonale, sëmundjet kronike apo përballjet me diskriminimin janë faktorë me peshë të rëndësishme në tablonë e këtij fenomeni shumëplanësh. Sa herë ndodh një tentative vetëvrasjeje alarmi do duhet të jetë i rritur.

Por Vetëvrasja është, në shumë raste, e parandalueshme.

Pesticidet, medikamentet, armët e zjarrit janë të kontrollueshme, prandaj forcimi i kontrollit mbi to është shtylla e parë e cdo strategjie ndërhyrjeje.

Modeli i raportimeve në media është i modifikueshëm nëpërmjet shtimit të dijeve dhe instalimit të politikave etike editoriale duke u bërë një shtyllë tjetër e rëndësishme, por jeta moderne e rrethuar me rrjete sociale ku cdo individ shndërrohet në publikues, hartues dhe shpërndarës lajmi ka transformuar fokusin e përpjekjeve parandaluese.

Identifikimi i hershëm dhe kujdesi për shëndetin mendor të popullatës, përfshirë trajtimin e abuzimit me alkool e substanca, trajtimin e sëmundjeve dhe dhimbjeve kronike përbëjnë një katalog të gjërë masash të nevojshme që duhet ta ketë në fokus cdo shoqëri.

10 Shtatori është një ditë thirrjeje për hapa të vegjël e të mëdhenj.

Në faqen zyrtare të Shoqatës Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve, iniciatores kryesore të aktiviteteve të kësaj dite, si dhe të organizatave të tjera partnere, vecanërisht Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjenden mjaft materiale të përdorshme për t’i shqyrtuar e përdorur për t’u bërë pjesë e lëvisjes botërore dhe aktiviteteve që kulmojnë në këtë ditë.

Për më shumë mund të shihni:

OBSH https://www.who.int/campaigns/world-suicide-prevention-day/2022

IAPS https://www.iasp.info/

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.