Në Amerikë, Angli e mjaft vende të tjera të globit Tetori 2022 është Muaji i Ndërgjegjësimit mbi Crregullimin e Pamjaftueshmërisë së Vëmendjes me Hiperaktivitet, apo sic thuhet rëndom tashmë edhe në të folurën e përditshme në komunitetet shqipfolëse – ADHD.
Organizatat që bashkojnë individë e familje të prekur nga ky crregullim, fëmijë e të rritur, përdorin muajin Tetor prej shumë vitesh për të organizuar aktivitete që sjellin në vëmendje të publikut, sistemit arsimor, institucioneve qeverisëse dhe politikbërësve, nevojën për të mbështetur gjithkënd që i duhet të përballet me vështirësitë dhe pasojat e këtij fenomeni kronik.
ADHD rrethohet me keqpërceptime e stigmë. Aktivitetet e Tetorit, kudo që organizohen, synojnë edukim të publikut, medias dhe aktorëve që kanë zë në hartim e implementim politikash të mendojnë në mënyrë të fokusuar për t’u krijuar fëmijëve e familjeve rrjetin e nevojshëm të mbështetjes.
Fëmijët në shkolla kanë nevojë për programe të individualizuara e specifike mbështetjeje apo trajtimi. Adultët kanë nevojë për programe mbështetjeje në vendin e punës. Sistemet arsimore kanë nevojë për dije e kapacitete identifikimi e struktura të qëndrueshme institucionale mbështetjeje. Korporatat dhe institucionet punëdhënëse kanë nevojë të vlerësojnë sistemet e tyre të suportit për të siguruar efektivitet dhe eficencë të dobishme për shëndetin mendor në përgjithësi dhe ADHD si pjesë të tij.
Çrregullimi i Pamjaftueshmërisë së Vëmendjes me Hiperaktivitet (ADHD) tashmë është një gjëndje e dëgjuar dhe e diskutuar në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. ADHD është një nga çrregullimet më të zakonshme në fëmijëri dhe shpesh zgjat përgjatë gjithë adoleshencës dhe në moshë të rritur. Shumë nga simptomat e ADHD-së si mungesa e vëmendjes, impulsiviteti dhe ndjenja e parehatisë, njihen pak a shumë edhe si markues të këtij çrregullimi.
Fëmijët me ADHD shpesh hasin vështirësi për të ruajtur vëmendjen dhe kjo mund t’u shkaktojë bariera për të kontrolluar sjelljen impulsive. Kjo do të thotë që ata mund të veprojnë pa menduar, pra pa marrë parasysh pasojat e veprimeve të tyre. Për më tepër, ADHD-ja mund t’u shkaktojë fëmijëve një gjendje aktiviteti të shtuar, ata mund të shfaqen mjaft aktivë. Simptomat që mund të çojnë drejt vendosjes së diagnozës në moshë të rritur përfshijnë vështirësitë në ndjekjen e hapave të përcaktuara apo udhëzimet dhe të mos qenit në gjendje të mbarojnë detyrat në kohë.
Studime të ndryshme të prevalencës për ADHD-në në popullatën e moshës së fillores tregojnë se ajo është rreth 5%. Pamjaftueshmëria e vëmendjes pa hiperaktivitet ka tërhequr më pak vëmendjen e kërkuesve, por është mjaft shqetësuese dhe prek rreth 1% të popullatës shkollore. ADHD-ja është një çrregullim i zakonshëm por pak i kuptuar, jo vetëm në Shqipëri.
Kjo është arsyeja që tema qendrore dhe Slogani i 2022-shit për Tetorin “ADHD: Understanding A Shared Experience”, tenton të bëjë ftesë për të dëgjuar me empati, mirëkuptim e dashamirësi përjetimet dhe eksperiencat e atyre që përballen me vështirësitë e ADHD.
‘ADHD Europe’ është një nga organizatat më të zëshme e aktive në programet e mbështetjes dhe lobimit për mbështetje, sëbashku me një numër të madh organizatash të tjera duke organizuar Koalicionin e Ndërgjegjësimit mbi ADHD.
Që prej fillimit të vitit ‘ADHD Europe’ përgatitet për një muaj sensibilizimi sa më efektiv me përgatitje materialesh dhe aktivitetesh që kulmojnë përgjatë Tetorit.
Në faqen e internetit të tyre mund të gjenden materiale të shumta informative për prindër, mësues, mjekë, aktorë të shoqërisë civile, terapistë, psikologë, punonjës socialë; apo Udhërrëfyes e Protokolle të identifikimit e trajtimit sa më të hershëm.
Për më shumë mund të shikoni tek ADHD Awareness Coalition www.adhdawarenessmonth.org
Për informacione mbi ADHD mund të lexoni edhe:
Nga ndryshon hiperaktiviteti nga ADHD?
A është ADHD gjenetike? Ja se çfarë thonë ekspertët
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.