nga Allan H. Ropper, Brian David Burrell,
I përkthyer në shqip nga Ersi Dobi
Redaktuar nga Dr. Drini Dobi
Botim i Institutit MIA – “Të Gjesh ku Fle Lepuri”,
Në këtë libër mjekësia dhe korridoret e një spitali hyjnë në mendjen dhe mendimet e cdo lexuesi me lehtësinë dhe qartësinë e pamjeve të një filmi të bukur dhe me detajet që vetëm fjala e shkruar mund t’i ndricojë. “Të gjesh ku fle lepuri” është një perlë e komunikimit mjekësor për publikun e gjerë duke e mbajtur lexuesin të mbërthyer nga faqja e parë në të fundit. Ai është po aq i vyer për lexuesin e gjerë, sa edhe për studentët dhe punonjësit e të gjitha fushave të mjekësisë.
“Si ta kuptosh që një tru është i sëmurë?”- Pavarësisht gjithë çudive të reja shkencore dhe teknologjike, kur një pacient paraqitet me pamundësi për të folur qartë, është i përhumbur, apo nuk mund të ndiejë emocion, nuk ka analiza dhe imazheri standarde që mund të kryhen. Simptomat duhet të rivlerësohen në kuadrin e funksionimit të trurit nërmjet teknikave të ndryshme e shpesh herë bizarre.
Ndonëse ky libër është për trurin dhe mënyrën e funksionimit të tij, ai është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për të gjithë. Libri shpërfaq problemet neurologjike ashtu siç paraqiten në klinikën e neurologut. Në të ndërthuren histori personale e profesionale të një klinicisti të mirfilltë.
Historitë me bukurinë e vështirësinë e mjekësisë kanë qenë joshëse që kur njerëzit kanë nisur të rrëfejnë a të shkruajnë. Mbeten joshëse edhe në kohët moderne, por ato që lidhen me trurin dhe mendjen janë vecanërisht intriguese për publikun edhe sepse misteret e mendjes mbeten të tilla pavarësisht zhvillimeve në teknologji e në shkencë.
Diagnozat mishërohen nga persona konkretë, historitë janë të vërteta, dialogët kryesisht fjalë për fjalë, përjetimet aq të gjalla sa duket sikur jemi të pranishëm në këtë betejë të mjekut dhe pacientit për ta sjellë trurin që nuk punon më sipas “specifikimeve teknike” në parametrat më të mirë të mundshëm që vlejnë për mendjet normale.
Për të gjetur ku fle lepuri, duhet hetuar kujdesshëm e mjaft mundimshëm pacienti. Çdo gjest, çdo lëvizje, çdo përthyerje e motorikës së të folurës, çdo refleks; të gjitha këto tregojnë vendin e saktë të problemit në sistemin nervor dhe shkakun e tij. Mjeshtëria e mjekut është të sintetizojë simptomat dhe shenjat klinike në një kuadër më të gjerë patologjik.
Ky libër shërben posacërisht si një homazh për gjithë mjekët e përkushtuar, një prej tyre Dr. Drini Dobi, i cili e përzgjodhi dhe redaktoi.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.