Përdorimi i teknologjisë dhe internetit prej fëmijëve dhe të rinjve, përhapja e fenomenit në Shqipëri

Jepini një fëmije një smartphone dhe ai do të kuptojë si ta hapë atë dhe të bëjë veprime përmes aplikacionit brenda pak sekondash…

Teknologjia dixhitale dhe fëmijët, Shqipëria e Brazili ndër vendet e para për lundrimin e fëmijëve në rrjet.

Zhvillimi i shpejtë i teknologjinë dixhitale si dhe rritja e aksesit dhe angazhimit në internet gjatë viteve të fundit ka transformuar hapësirën sociale, edukative dhe terapeutike të zënë nga fëmijët dhe të rinjtë në shoqërinë bashkëkohore në mënyrë të ndjeshme. Së pari, gjithë kjo ka krijuar mundësi të paimagjinueshme më parë për të mësuar, për zhvillim, eksplorim dhe rritje personale e së dyti, duket se të njëjtat cilësi dhe karakteristika të internetit që i bëjnë të mundur këto kontribute pozitive, kanë sjellë për fëmijët dhe të rinjtë një sërë rreziqesh serioze për shëndetin social, intelektual dhe mendor.

Jepini një fëmije të vogël një smartphone ose tablet, shanset janë që ai të kuptojë menjëherë se si ta hapë atë dhe të bëjë disa veprime përmes aplikacionit brenda pak sekondash. Lulëzimi teknologjik do të thotë që fëmijët po bëhen ekspertë kompjuteri në një moshë shumë të re. Fëmijët e shkollave fillore marrin mësime në kompjuter dhe shumë prej tyre kanë përdorur kompjuterët dhe tabletët e tyre në shtëpi shumë përpara se të fillonin shkollën. Në nivel global, është vlerësuar se tashmë një në tre fëmijë është një përdorues i internetit, dhe nga gjithë përdoruesit e internetit një në tre është një fëmijë nën 18 vjeç. Midis fëmijëve që kanë akses në internet, telefonat celularë duket se janë pajisjet e preferuara nga fëmijët për të lundrurar në internet, e këta të fundit përdoren në të njëjtën masë nga vajzat dhe djemtë, ndërsa kompjuterët zakonisht përdoren më shumë nga djemtë. Arsyet e lundrimit në internet duket të përfshijnë një listë të gjatë aktivitetesh. Kështu një studim i Unicef në 11 vende të ndryshme të botës raportonte të parin e videove në youtube si arsyen kryesore të përdorimit të internetit nga fëmijët, ndjekur kjo nga të luajturit e lojërave. Interneti, me mesazhet e tij të çastit dhe rrjetet sociale, është kthyer në një vend takimi vendimtar ku fëmijët mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes duke u lidhur me miqtë apo fëmijë të tjerë nga e gjithë bota të cilët ndajnë interesat e tyre. Nga 11 vendet e studimit të Unicef-it Shqipëria dhe Brazili kishin numrin më të madh të të rinjve që lundronin me qëllim socializimin. Vështirë të thuhet pse ndodh kjo, ndoshta fëmijët në disa vende kanë nevojë për më shumë inkurajim ose mbështetje, për t’u socializuar në internet, ose ndoshta janë kufizimet që lidhen me koston e të dhënave ose normat shoqërore rreth mënyrës sesi fëmijët duhet ose nuk duhet të kalojnë kohën e tyre. Por dhe të mësuarit, të kërkuarit për informacione rreth shkollës apo të kërkuarit për informacione mjekësore renditeshin lart në aktivitetet më të realizuara gjatë qëndrimit në internët.

Po sipas UNICEF fëmijët që marrin pjesë në një gamë të gjerë aktivitetesh në internet janë më të aftë në përdorimin e internetit, ndërsa ata, qasja e të cilëve në internet është më e kufizuar, priren të kenë aftësi dixhitale më të dobëta. Argëtimi në internet, për shembull, si luajtja e lojërave me video dhe shikimi i videoklipeve, mund t’i ndihmojë fëmijët e vegjël të zhvillojnë një interes për përvojat edukative, informuese dhe sociale në internet. Inkurajimi i fëmijëve për të zgjeruar aktivitetet e tyre në internet përtej argëtimit mund t’u mundësojë atyre të zhvillojnë një sërë kapacitetesh teknike dhe kritike. Pra nëse bëhet siç duhet, përdorimi i internetit tek fëmijët mund të rrisë mundësitë e të mësuarit dhe të ndërtojë aftësi dixhitale.

Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (Instat, 2021), nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 79,3 % e popullsisë, nga të cilët 91,7 % e përdorin çdo ditë, e sa më e re të jetë mosha, duket se aq më i lartë është dhe përdorimi i internetit.

Ndikimi I ekraneve në zhvillimin e fëmijës dhe eksperienca Shqipëtare

Megjithatë, me gjithë këtë zhytje të vazhdueshme në botën virtuale, ka disa shqetësime shumë reale se si kjo ndikon në zhvillimin e fëmijërisë. Një numër në rritje i literaturës po e lidh përdorimin e tepërt dhe varësinë nga përdorimi i mjeteve teknologjike dhe internetit me pasoja negative fizike, psikologjike, sociale dhe neurologjike. Për shkak dhe të përdorimit të tyre shumë të gjerë studimet po fokusohen shumë në përdorimin e pajisjeve celulare dhe ato sugjerojnë se kohëzgjatja, përmbajtja, përdorimi pas darke, lloji i medias dhe numri i pajisjeve janë komponentët kryesorë që përcaktojnë efektet e kohës para ekranit.

Përdorimi i tepërt i internetit dhe ekspozimi i zgjatur para ekraneve lidhen me cilësi të dobët të gjumit, kohëzgjatje më të vogël të gjumit, gjasa më të mëdha për mbipeshë/obezitet, funksione ekzekutive më të dobëta, performancë më të dobët akademike, humbje të kohës dedikuar zhvillimit të aftësive sociale apo aktivitetit fizik, zbulimi i shumë informacioneve personale në faqet e mediave sociale dhe rritje të problemeve të internalizuese dhe eksternalizuese. Përmbajtja e paligjshme dhe e papërshtatshme për fëmijët e vegjël por edhe për fëmijët më të rritur nën 18 vjeç, bullizmi kibernetik, përdorimi i tepruar i lojërave, varësia nga internet apo njohjet me njerëz të panjohur përbëjnë disa nga rreziqet kryesore të përdorimit të internetit nga të rinjtë. Problematika këto, nga të cilat duket se nuk shpëtojnë dot as të rinjtë në vendin tonë.

Raporti i UNICEF i vitit 2020 “Një klikim larg” tregon që mosha mesatare kur fëmijët shqiptarë fillojnë të përdorin Internetin është 9.3 vjeç, ndërsa vajzat dhe djemtë e brezave më të rinj kanë gjasa më të larta që të fillojnë më herët, rreth moshës 8 vjeç ose më të përpara. Sipas këtij raporti 14% e fëmijëve kanë kaluar përvoja të pakëndshme në internet; një në katër fëmijë raporton se ka pasur të paktën një kontakt online me dikë të cilin nuk e ka takuar kurrë ballë për ballë, e gjithashtu fëmijët ekspozohen ndaj përmbajtjes seksuale në internet në mënyrë të pavullnetshme, nëpërmjet dritareve kërcyese (pop-ups). Ekspozimi ndaj formave të rreziqeve online duket se rritej me moshën. Në shumicën e rasteve, djemtë kishin më shumë gjasa për ekspozim ndaj rreziqeve online krahasuar me vajzat, megjithëse vajzat raportonin shqetësim më të madh nga përvoja të tilla.

Të dhëna të tilla shërbejën për të kuptuar rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje me kujdes nga të gjitha palët e përfshira.

Në përfundim, mesazhi më i rëndësishëm do të ishtë për prindërit, të cilët në vend që të kufizojnë përdorimin e internetit, mund të përfshihen në jetën e fëmijëve në internet duke i inkurajuar ata të mësojnë nga kjo veprimtari ose duke sugjeruar mënyra për ta përdorur internetin në mënyrë të sigurt. Duke marrë një qëndrim më pozitiv dhe mbështetës, prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të zhvillojnë elasticitet.

1.Hollis, C., Livingstone, S., & Sonuga-Barke, E. (2020). Editorial: The role of digital technology in children and young people’s mental health – a triple-edged sëord? Journal of child psychology and psychiatry, and allied disciplines61(8), 837–841. https://doi.org/10.1111/jcpp.13302

2.United Nations Children’s Fund (UNICEF)-Groëing up in a connected ëorld. November 2019 https://ëëë.unicef-irc.org/publications/pdf/GKO%20Summary%20Report

3.United Nations Children’s Fund (UNICEF), -Një klikim larg: Përvoja e përdorimit të internetit nga fëmijët në Shqipëri, 2020

4.Liu, J., Riesch, S., Tien, J., Lipman, T., Pinto-Martin, J., & O’Sullivan, A. (2022). Screen Media Overuse and Associated Physical, Cognitive, and Emotional/Behavioral Outcomes in Children and Adolescents: An Integrative Revieë. Journal of pediatric health care: official publication of National Association of Pediatric Nurse Associates & Practitioners36(2), 99–109. https://doi.org/10.1016/j.pedhc.2021.06.003

6.American Academy of Child and Adolescent Psychiatry. Internet Use in Children. No. 59; Updated October 2015

7.Lissak G. (2018). Adverse physiological and psychological effects of screen time on children and adolescents: Literature revieë and case study. Environmental research164, 149–157. https://doi.org/10.1016/j………envres.2018.01.015

8.Përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Familje. Instat, 2021 http://www.instat.gov.al/al/temat/kushtet-sociale/teknologjis%c3%ab-s%c3%ab-informacionit-dhe-komunikimit-tik-n%c3%ab-familje-dhe-nga-individ%c3%abt/#tab1

Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.