Marrëdhënia e trurit me traktin tretës
Të kuptuarit se truri dhe trakti tretës janë pjesë e një komunikimi të vazhdueshëm dhe dydrejtimor u bë i njohur që në në Greqinë e Lashtë, ku filozofë si Hipokrati, Platoni dhe Aristoteli postuluan se truri dhe pjesa tjetër e trupit janë të lidhura ngushtë. Ky nocion çoi në përfundimin se për të studiuar proceset e sëmundjes, personi duhet të konsiderohet si një i tërë në vend që të analizohej një sistem i izoluar organesh. Studimet e ditëve të sotme kanë treguar se ndryshimet në mikrobiomën e traktit tretës mund të ndikojnë në funksionet fiziologjike, të sjelljes dhe njohëse të trurit.
Në vitin 2013, Shtetet e Bashkuara nisën një projekt të veçantë kërkimor mbi boshtin mikrobiomë-zorrë-tru dhe që atëherë, kjo fushë është vendosur gradualisht në vëmendje të neuroshkencës. Ndonëse mekanizmi i saktë i kësaj lidhjeje ende nuk është kuptuar dhe sqaruar plotësisht, provat nga studimet e kafshëve dhe njerëzve kanë treguar se mikrobioma e zorrëve mund të luajë një rol të rëndësishëm në sjelljen e trurit dhe zhvillimin kognitiv duke prodhuar hormone, faktorë imunitarë dhe metabolitë, të cilat gjithashtu kanë treguar se ndryshimi i mikrobiomës së zorrëve mund të përmirësojë apo madje të kurojë sëmundjet e trurit.
Cfarë është Mikrobioma dhe roli I saj në organizëm
Mikrobioma e zorrëve përbëhet nga një komunitet kompleks që ndihmon në ruajtjen e ekuilibrit dinamik metabolik ekologjik. Ka rreth 100 trilion baktere në trupin e një të rrituri, 80% e të cilave ekzistojnë në zorrë, rreth dhjetë herë më shumë se qelizat në trupin e njeriut. Mikrobioma e zorrëve pret më shumë se 100 lloje bakteriale që kodojnë 150 herë më shumë gjene se gjenomi i njeriut. Bakteret, kryesisht bakteret anaerobe mbizotërojnë në këtë mjedis, por ka dhe të tjerë duke përfshirë viruset, protozoarët, arkeat dhe kërpudhat.
Balanca e mikrobiomës ndryshon me zhvillimin e njeriut dhe ndikohet nga faktorë të ndryshëm stresant. Foshnjat e fitojnë mikrobiomën fillestare nga nënat e tyre. Pas moshës 1-vjeçare, foshnjat formojnë një mikrobiomë komplekse të zorrëve, ngjashëm me atë të të rriturve. Ndryshimi i fundit i madh ndodh gjatë shkëputjes nga gjiri, pasi foshnja kalon nga qumështi i gjirit ose formula në një dietë të ngurtë me një model të dallueshëm në të gjithë speciet. Megjithëse ndodhin ndryshime të vazhdueshme edhe në adoleshencën, këto ndryshime janë më graduale dhe të orientuara drejt një profili të ngjashëm me të rriturit. Ndryshimet dinamike janë dukshëm të ndryshme midis individëve të ndryshëm, por efekti i përbashkët është një makrobalancë. Ndryshimet e baktereve të dobishme mund të ndikojnë ndjeshëm në shëndetin e individëve, ndërsa disa faktorë si infeksionet, barnat (sidomos antibiotikët), sëmundjet dhe dieta mund të ndryshojnë mikrobiomën. Studime të ndryshme kanë treguar se stresi në vitet e para të jetës mund të çojë në ndryshimin e mikrobiomës dhe ky ndryshim është një faktor rreziku për çrregullimet e lidhura me stresin në moshën madhore.
Shumë funksione fiziologjike janë lidhur me mikrobiomën e traktit tretës. Së pari, ajo përbën barrierën e zorrëve, promovon ekzistencën e vazhdueshme të mikrobiomës, stimulon rigjenerimin e qelizave epiteliale të zorrëve dhe prodhon e ushqen mukozën duke prodhuar acide yndyrore me zinxhir të shkurtër. Mikrobioma e zorrëve është e përfshirë në maturimin e sistemit imunitar duke nxitur sistemin imunitar të lindur në fazën e hershme të jetës, gjë që çon në pjekurinë e indit limfoid të lidhur me zorrët, nxit imunitetin e fituar duke stimuluar përgjigjet imune lokale dhe sistemike duke stimuluar sintezën e disa lëndëve ushqyese, hormoneve dhe vitaminave, dhe luan një rol të rëndësishëm në largimin e barnave dhe helmeve. Në kushte fiziologjike mikrobioma ndihmon sistemin imunitar, duke mbajtur inflamacionin fiziologjik në shkallë të ulët, i cili është një mekanizëm i shpejtë dhe efektiv për mbrojtjen kundër patogjenëve.
Aktualisht, mekanizmi i saktë i komunikimit midis mikrobiomës dhe trurit ende nuk është i qartë plotësisht. Në përgjithësi, mikrobioma e zorrëve ushtron efekte në tru jo vetëm përmes sistemit nervor (rruga neuroanatomike zorrë-tru), por edhe përmes sistemit endokrin, sistemit imunitar dhe sistemit metabolik. Mund të ketë pesë rrugë të mundshme komunikimi midis mikrobiomës së zorrëve dhe trurit, duke përfshirë rrjetin nervor zorrë-tru, boshtin neuroendokrin-HPA (Hipofizë-Hipotalamus-Adrenale), sistemin imunitar të zorrëve, disa neurotransmetues, rregullatorë nervorë të sintetizuar nga bakteret e zorrëve dhe barrierat duke përfshirë barrierën mukozale të zorrëve dhe barrierën gjaku-tru. Në këtë rrjet komunikues, truri ndikon në lëvizjen e zorrëve, funksionin ndijor dhe sekretues, dhe sinjali i organeve të brendshme nga zorrët gjithashtu ndikon në funksionin e trurit.
Boshti zorrë-tru luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e homeostazës. Prandaj, kur ky sistem disbalancohet, sëmundje të caktuara mund të zhvillohen. Kohët e fundit, një numër patologjish janë asociuar me këtë bosht.
Sindromi I Zorrës së Irrituar dhe prevalenca e saj në Shqipëri
Sindromi i Zorrës së Irrituar (SZI) është çrregullimi më i zakonshëm i ndërveprimit tru-zorrë, që shfaqet në deri në 4.8% të popullsisë në mbarë botën. Bazuar në kriteret aktuale të simptomave, SZI karaktrerizohet nga dhimbje barku të përsëritura kronike të shoqëruara me zakone të ndryshuara të zorrëve në mungesë të sëmundjes organike të dallueshme. Ky përkufizim i kufizuar te simptomat e traktit tretës anashkalon gjetjet se deri në 50% e individëve që plotësojnë kriteret diagnostike për një çrregullim ankthi kanë SZI dhe se individët me SZI kanë një rrezik më të madh se trefish për të përmbushur kriteret diagnostike për një çrregullim ankthi. Natyra e dyanshme e përfshirjes tru-zorrë në SZI është ilustruar në një studim prospektiv njëvjeçar të bazuar në popullatë që vlerësonte individët me ankth +/- depresion dhe SZI, si dhe rastet e kontrollit pa asnjë nga të lartë-pëmendurat. Në përfundim të studimit, u zbulua se individët me nivele më të larta fillestare të ankthit dhe depresionit kishin dukshëm më shumë gjasa të zhvillonin SZI dhe, anasjelltas, se ata subjekte me SZI bazë raportuan nivele dukshëm më të larta të ankthit ose depresionit. Interesante është se në 2/3 e këtyre rasteve, një diagnozë e SZI i parapriu çrregullimit të humorit, duke nënkuptuar se në disa pacientë mosfunksionimi primar i zorrëve mund të shërbejë si nxitës për çrregullimet e humorit.
Në një studim të realizuar në popullatën e përgjithshme në Shqipëri, në vititn 2021 rezultoi se prevalenca e Sindromit të Zorrës së Irritueshme të ishte 8.6%, me një shpërndarje të barabartë midis meshkujve dhe femrave, ndërkohë që nuk ka studime që të kenë hulumtuar më gjatë praninë e disbalancave të mikrobiotës në këta individë apo problematika të tjera të lidhura me sistemin nervor.
Ka pasur një numër në rritje të studimeve që tregojnë se pacientët me Çrregullim Depresiv Madhor kanë një përbërje të ndryshuar të mikrobiomës së zorrëve në krahasim me kontrollet e shëndetshme, megjithëse natyra e ndryshimeve në secilin studim janë të ndryshme. Ky ndryshim në rezultate ka të ngjarë për shkak të arsyeve të ngjashme si ato të vërejtura për SZI. Vlen të përmendet se studimet kanë treguar gjithashtu se transferimi i mikrobiomës së një individi depresiv në një brejtës të shëndetshëm mund të nxisë sjellje të ngjashme me depresionin tek marrësi, duke sugjeruar mundësinë e një roli shkakësor të mikrobiotës në patofiziologjinë e depresionit.
Hulumtimet tregojnë për disbalancën e mikrobiotës si një faktor kontribues në sëmundjet neurologjike/neurodegjenerative si Alzeimer, Sëmundja e Parkinson apo Skleroza Laterale Amiotrofike, megjithatë roli i saktë, mekanizmat dhe çdo lidhje shkakësore me mikrobiotën ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Roli I ushqyerjes në zhvillimin e Mikrobiomës
Ndër faktorët ambientalë, zakonet dietike luajnë një rol kyç në modulimin e përbërjes së mikrobiomës së zorrëve. Ekzistojnë dallime thelbësore midis mikrobiomës së zorrëve të individëve të ushqyer me dietë perëndimore dhe asaj të individëve që ushqehen me një dietë të pasur me fibra. Një dietë e caktuar mund të nxisë rritjen e shtameve specifike bakteriale, duke i shtyrë bartësit drejt një ndryshimi pasues të metabolizmit fermentues, me një efekt të drejtpërdrejtë në pH të zorrëve, i cili mund të jetë përgjegjës për zhvillimin e një flore patogjene. Për më tepër, një dietë me yndyrë të lartë mund të nxisë zhvillimin e një mikrobiote pro-inflamatore të zorrëve, me një rritje të përshkueshmërisë së zorrëve dhe rrjedhimisht të niveleve qarkulluese të lipopolisaharideve.
Ndërsa ne sot e kuptojmë gjerësisht ndikimin e dietës në mikrobiotën e zorrëve, një pasqyrë e mëtejshme mbi efektin dhe kohëzgjatjen e efektit të komponentëve të veçantë dietik mbetet e paditur ende. Një ndikim i qëndrueshëm në mikrobiotën e zorrëve mund të lejojë arritjen e një gjendjeje të re të homeostazës ekologjike, megjithëse me gjasë kërkohet sigurimi i vazhdueshëm i substrateve ushqyese në mjedisin mikrobik të zorrëve për transplantimin dhe përhapjen e baktereve. Aktualisht, ndërhyrjet akute dietike te njerëzit kanë vërejtur të shkaktojnë vetëm ndryshime mikrobike kalimtare në periudha kohore prej disa ditësh deri në disa javë. Njohuritë e tanishme se si zakonet dietike ndikojnë në mikrobiotën e zorrëve për një kohë të gjatë janë të kufizuara nga mungesa e studimeve dietike afatgjata. Studimet e ardhshme mund të japin një pasqyrim më të qartë. Në kërkimet e ardhshme, analiza ushqimore afatgjatë duhet të integrohet në ndërhyrjet akute të dietës, me nevojën për të dhëna të mëtejshme dietike të mbledhura longitudinale për të përmirësuar rezultatet e kërkimit.
Ndërsa informacione dhe dije të mëdha të boshtit mikrobiotit-zorrë-tru janë akumuluar gjatë dekadës së fundit, pyetjet kryesore që lidhen me patologjinë, patogjenezën dhe trajtimin e boshtit në kontekstin e shëndetit dhe sëmundjes mbeten. Ndërsa studimet janë kufizuar kryesisht te kafshët (veçanërisht brejtësit), nevojiten studime shtesë tek njerëzit duke përdorur modulimin e synuar terapeutik të boshtit mikrobiomë-zorrë-tru me ndërhyrje prebiotike, bimë mjekësore, probiotike dhe sinbiotike. Nevojiten prova klinike të realizuara në kohë dhe në shkallë të gjerë, për të sqaruar më tej si mekanizmin ashtu edhe mundësinë terapeutike në këto patologji.
- ëang, H. X., & ëang, Y. P. (2016). Gut Microbiota-brain Axis. Chinese medical journal, 129(19), 2373–2380. https://doi.org/10.4103/0366-6999.190667
- Galica, A. N., Galica, R., & Dumitrascu, D. L. (2021). Epidemiology of Irritable Boëel Syndrome in Albania. Journal of gastrointestinal and liver diseases : JGLD, 30(3), 334–338. https://doi.org/10.15403/jgld-3828
- Margolis, K. G., Cryan, J. F., & Mayer, E. A. (2021). The Microbiota-Gut-Brain Axis: From Motility to Mood. Gastroenterology, 160(5), 1486–1501. https://doi.org/10.1053/j.gastro.2020.10.066
- Endo Y, Shoji T, Fukudo S. Epidemiology of irritable boëel syndrome. Ann Gastroenterol 2015;28:158–159.
- Drossman DA, Hasler ëL. Rome IV-Functional GI Disorders: Disorders of Gut-Brain Interaction. Gastroenterology 2016;150:1257–61.
- Zamani M, Alizadeh-Tabari S, Zamani V. Systematic revieë ëith meta-analysis: the prevalence of anxiety and depression in patients ëith irritable boëel syndrome. Aliment Pharmacol Ther 2019;50:132–143.
- Long-Smith C, O’Riordan KJ, Clarke G, et al. Microbiota-Gut-Brain Axis: Neë Therapeutic Opportunities. Annu Rev Pharmacol Toxicol 2020;60:477–502.
- Valles-Colomer M, Falony G, Darzi Y, et al. The neuroactive potential of the human gut microbiota in quality of life and depression. Nat Microbiol 2019;4:623–632.
- Peterson C. T. (2020). Dysfunction of the Microbiota-Gut-Brain Axis in Neurodegenerative Disease: The Promise of Therapeutic Modulation ëith Prebiotics, Medicinal Herbs, Probiotics, and Synbiotics. Journal of evidence-based integrative medicine, 25, 2515690X20957225. https://doi.org/10.1177/2515690X20957225
- Bibbò, S., Ianiro, G., Giorgio, V., Scaldaferri, F., Masucci, L., Gasbarrini, A., & Cammarota, G. (2016). The role of diet on gut microbiota composition. European revieë for medical and pharmacological sciences, 20(22), 4742–4749.
- Leeming, E. R., Johnson, A. J., Spector, T. D., & Le Roy, C. I. (2019). Effect of Diet on the Gut Microbiota: Rethinking Intervention Duration. Nutrients, 11(12), 2862. https://doi.org/10.3390/nu11122862
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.