Inteligjenca artificiale është një degë e gjerë e shkencës kompjuterike që merret me ndërtimin e makinave inteligjente të afta për të kryer detyra që zakonisht kërkojnë inteligjencë njerëzore.
Në një këndvështrim shumë të përgjithshëm, sistemet e inteligjencës artificiale (IA) funksionojnë duke gëlltitur sasi të mëdha të të dhënave, duke i analizuar të dhënat në bazë të korrelacioneve dhe modeleve të caktuara dhe duke i përdorur këto modele për të bërë parashikime për gjendjet e ardhshme. Kështu për shembull një chatbot, një program kompiuterik që lejon komunikimin ndërveprues të një njeriu me një pajisje teknologjike, që ushqehet me shembuj të bisedave të shkruara mund të mësojë të prodhojë shkëmbime reale me njerëzit.
Sot, IA është integruar në jetën tonë të përditshme në shumë forma, prej asistentëve personalë (Siri, Alexa, asistenti Google etj.), në transportin publik të automatizuar, aviacion apo lojërat kompjuterike. Dekadat e fundit, IA ka filluar gjithashtu të përfshihet në mjekësi për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientit duke përshpejtuar proceset dhe duke arritur saktësi më të madhe, duke hapur rrugën drejt ofrimit të kujdesit shëndetësor më të mirë në përgjithësi, si dhe duke përmirësuar proçeset administrative brenda ofruesve, paguesve dhe organizatave farmaceutike.
Inteligjenca artificiale kundrejt Njeriut në Mjekësi
Tashmë ka një numër studimesh ndërkombëtare që sugjerojnë se IA mund të performojë po aq mirë ose më mirë se njerëzit në detyra të caktuara të kujdesit shëndetësor. Sot, algoritmet po i tejkalojnë radiologët në zbulimin e tumoreve malinje dhe po i udhëzojnë studiuesit se si të ndërtojnë projekte për prova klinike të kushtueshme.
Inteligjenca artificiale nuk është një teknologji e vetme, por një koleksion teknologjish të ndryshme. Shumica e këtyre teknologjive kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me fushën e kujdesit shëndetësor, por proceset dhe detyrat specifike që ato mbështesin ndryshojnë shumë. Disa nga shembujt më të zakonshëm të llojeve të IA që përdoren më shumë në fushat e mjekësore janë:
Të mësuarit e makinave, rrjetet neuronale dhe mësimi i thellë; Të mësuarit e makinave nënkupton një teknikë statistikore dhe është një nga format më të zakonshme të IA.
Në kujdesin shëndetësor, aplikimi më i zakonshëm i mësimit tradicional të makinerive është mjekësia e preçzionit, duke parashikuar se cilat protokolle trajtimi ka të ngjarë të kenë sukses për një pacient bazuar në atributet e ndryshme të pacientit dhe kontekstin e trajtimit. Në të ardhmen mjekësia e preçizionit premton përmirësim të shëndetit duke llogaritur ndryshueshmërinë individuale gjenetike, mjedisin, dhe stilin e jetesës. Një aplikim i zakonshëm i të mësuarit të thellë në kujdesin shëndetësor është njohja e lezioneve potencialisht kancerogjene në imazhet e radiologjisë. Të mësuarit e thellë po aplikohet gjithnjë e më shumë në radiomikë, ose zbulimin e veçorive klinike të rëndësishme në të dhënat imazherike përtej asaj që mund të perceptohet nga syri i njeriut.
Proçesimi i gjuhës natyrore; Të kuptuarit e gjuhës njerëzore ka qenë një qëllim i studiuesve të IA që nga vitet 1950. Kjo fushë, përfshin aplikacione të tilla si njohja e të folurit, analiza e tekstit, përkthimi dhe qëllime të tjera që lidhen me gjuhën. Ekzistojnë dy qasje themelore për të, statistikore dhe semantike. Proçesimi statistikor bazohet në mësimin e makinerive (në veçanti rrjetet nervore të të mësuarit të thellë) dhe ka kontribuar në një rritje të saktësisë së njohjes.
Në kujdesin shëndetësor, aplikimet dominuese të proçesimit të gjuhës përfshijnë krijimin, kuptimin dhe klasifikimin e dokumentacionit klinik dhe kërkimeve të publikuara. Këto sisteme mund të analizojnë shënime klinike të pastrukturuara për pacientët, të përgatisin raporte (p.sh. në ekzaminimet radiologjike), të transkriptojnë ndërveprimet e pacientëve dhe të realizojnë biseda.
Sistemet eksperte të bazuara në rregulla, sipas modelit “if-when/nëse-atëherë” ishin teknologjia dominuese për IA në vitet 1980. Në kujdesin shëndetësor, ato u përdorën gjerësisht për qëllime të mbështetjes së vendimeve klinike. Sistemet e ekspertëve kërkojnë që ekspertët njerëzorë dhe inxhinierët të ndërtojnë një sërë rregullash në një fushë të caktuar. Ato funksionojnë mirë deri në një pikë dhe janë të lehta për t’u kuptuar. Megjithatë, kur numri i rregullave është i madh (zakonisht mbi disa mijëra) dhe rregullat fillojnë të bien ndesh me njëra-tjetrën, ato priren të prishen. Ato ngadalë po zëvendësohen në kujdesin shëndetësor nga më shumë qasje të bazuara në të dhëna dhe algoritme të mësimit të makinerive.
Robotët në Kirurgji
Robotët kirurgjikalë, të miratuar fillimisht në SHBA në vitin 2000, ofrojnë ‘superfuqi’ për kirurgët, duke përmirësuar aftësinë e tyre për të parë, për të krijuar prerje të sakta dhe minimalisht invazive, për të qepur plagë e kështu me radhë. Megjithatë, vendime të rëndësishme merren ende nga kirurgët njerëzorë. Procedurat e zakonshme kirurgjikale duke përdorur kirurgjinë robotike përfshijnë kirurgjinë gjinekologjike, kirurgjinë e prostatës dhe kirurgjinë e kokës dhe qafës.
Automatizimi robotik i proçeseve; Kjo teknologji kryen detyra të strukturuara dixhitale për qëllime administrative, pra ato që përfshijnë sisteme informacioni, sikur të ishin një përdorues njerëzor që ndjek një skript ose rregulla. Krahasuar me format e tjera të AI, ato janë të lira, të lehta për t’u programuar dhe transparente në veprimet e tyre. Automatizimi i procesit robotic nuk përfshin vërtet robotë, vetëm programe kompjuterike në serverë. Në kujdesin shëndetësor, ato përdoren për detyra të përsëritura si autorizimi paraprak, përditësimi i të dhënave të pacientëve ose faturimi.
Ndonëse këto teknologji janë zbuluar dhe për një kohë të gjatë janë përdorur si individuale, gjithnjë e më shumë ato po kombinohen dhe integrohen me njëra tjetrën në praktikë.
IA duket se pa dyshim ka kapacitetin për të përmirësuar sistemet e kujdesit shëndetësor. Automatizimi i detyrave që kërkojnë kohë mund të çlirojë oraret e klinicistëve në mënyrë që ata të kalojnë më shumë kohë me pacientët. Përmirësimi i aksesueshmërisë së të dhënave ndihmon ofruesit e kujdesit shëndetësor në marrjen e masave të duhura për të shmangur sëmundjet. Të dhënat në kohë reale mund të ndihmojnë që diagnozat të bëhen më saktë dhe më shpejt. Inteligjenca artificiale po përdoret për të eliminuar gabimet administrative dhe për të kursyer para.
Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në kujdesin shëndetësor dhe po përballen dhe zgjidhen kufizime dhe pengesa të reja. AI ende ka nevojë për një mbikëqyrje njerëzore, mund të injorojë aspektet sociale, ka boshllëqe të të dhënave dhe është e ndjeshme ndaj sulmeve kibernetike.
Inteligjenca artificiale po ndryshon gradualisht praktikën mjekësore. Me përparimet e fundit në marrjen e të dhënave të dixhitalizuara, mësimin e makinerive dhe infrastrukturën informatike, aplikacionet e IA po zgjerohen në fusha që më parë mendohej se ishin vetëm zona të ekspertëve njerëzorë. Megjithatë, për një sërë arsyesh të qarta, studiuesit besojnë se do të kalojnë shumë vite para se AI të zëvendësojë njerëzit për fusha të gjera të proceseve mjekësore.
- Davenport, T., & Kalakota, R. (2019). The potential for artificial intelligence in healthcare. Future healthcare journal, 6(2), 94–98. https://doi.org/10.7861/futurehosp.6-2-94
- Yu, K. H., Beam, A. L., & Kohane, I. S. (2018). Artificial intelligence in healthcare. Nature biomedical engineering, 2(10), 719–731. https://doi.org/10.1038/s41551-018-0305-z
- Koski, E., & Murphy, J. (2021). AI in Healthcare. Studies in health technology and informatics, 284, 295–299. https://doi.org/10.3233/SHTI210726
- Chen, M., & Decary, M. (2020). Artificial intelligence in healthcare: An essential guide for health leaders. Healthcare management forum, 33(1), 10–18. https://doi.org/10.1177/0840470419873123
- Denny, J. C., & Collins, F. S. (2021). Precision medicine in 2030-seven ways to transform healthcare. Cell, 184(6), 1415–1419. https://doi.org/10.1016/j.cell.2021.01.015
- Mintz, Y., & Brodie, R. (2019). Introduction to artificial intelligence in medicine. Minimally invasive therapy & allied technologies : MITAT : official journal of the Society for Minimally Invasive Therapy, 28(2), 73–81. https://doi.org/10.1080/13645706.2019.1575882
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.