Pandemia e sëmundjes së koronavirusit 2019 (COVID-19) u kthye në një emergjencë globale me zhvillim të shpejtë që vazhdon të tendosë sistemet e kujdesit shëndetësor. COVID-19 është një sëmundje akute infektive e frymëmarrjes dhe pacientët me COVID-19 mund të përkeqësohen me shpejtësi, duke kaluar në sindromën e detresit akut të frymëmarrjes (ARDS), shokun septik, acidozën metabolike dhe çrregullimin e koagulimit, të cilat janë të vështira për t’u trajtuar. Hulumtime të shumta gjatë kësaj periudhe përshkruan një mori faktorësh influencues të evoluimit të sëmundjes, duke përfshirë faktorë si gjetjet demografike, klinike, imunologjike, hematologjike, biokimike dhe radiografike, faktorë këta që mund të jenë shumë të dobishëm për klinicistët për të parashikuar ashpërsinë dhe vdekshmërinë e COVID-19.
Prej fillimit, u vu re që shkalla e ashpërsisë dhe vdekshmërisë së pacientëve me COVID-19 në të gjithë botën ishte mjaft e lartë. Gjatë kësaj pandemie, menaxhimi efektiv i pacientëve me COVID-19 të rëndë u bë thelbësor për të reduktuar vdekshmërinë në mesin e popullatës së infektuar.
Simptomat e zakonshme klinike të COVID-19 përfshijnë ethet, kollën e thatë, dhimbjet e fytit, vështirësinë e frymëmarrjes dhe lodhjen. Simptomat më pak të zakonshme përfshijnë marramendje, dhimbje barku, nauze dhe të vjella. Pacientët gjithashtu mund të shfaqin anosmi (humbje të nuhatjes), disgjeuzi (shtrembërim ose humbje të shijes), nauze dhe diarre disa ditë përpara temperaturës. Edhe pse ethet dhe temperature janë një e dhënë e rëndësishme, ato shpesh mund të mungojë në paraqitjen simptomatike.
Po cilët janë faktorët parashikues të evidentuar më shpesh nga studimet?
Disa faktorë demografikë janë raportuar të lidhen me një shkallë më të lartë rëndese klinike. Midis tyre, mosha e vjetër duket të jetë parashikuesi kryesor i vdekshmërisë dhe për këtë arsye konsiderohet një faktor kyç në rezultatet e propozuara të rrezikut të ashpërsisë klinike. Të dhënat sugjerojnë gjithashtu se seksi mashkull është një variabël që lidhet në mënyrë të pavarur me ashpërsinë e COVID-19. Meshkujt në krahasim me femrat janë më të prekur dhe kanë një rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundja e koronavirusit. Gjetjet tregojnë se megjithëse të dy gjinitë tregojnë të njëjtën ndjeshmëri, meshkujt kanë një IFR (shkallë fataliteti nga infeksioni) nga COVID-19 më të lartë. Dallimet në shkallës së fatalitetit në këtë rast mund të jenë të lidhura me sëmundjet shoqëruese si hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e mushkërive apo tumoret, prevalenca e të cilave është më e lartë në meshkujt se femrat. Gjithashtu provat klinike dhe epidemiologjike sugjerojnë se shumica e biomarkerave për rrezikun e infeksionit dhe ashpërsinë e COVID-19 ndryshojnë sipas gjinisë. Megjithëse gratë në përgjithësi kanë një përgjigje imune më të forte e të qëndrueshme me kalimin e moshës, burrat kanë më shumë gjasa të zhvillojnë stuhi citokinash ose dëmtime imunopatologjike të shoqëruara me rezultate të pafavorshme klinike. IFR-të dhe rreziku i vdekjes së lidhur me COVID-19 tek meshkujt kundrejt femrave ndryshojnë shumë sipas vendit. Konkretisht në Shqipëri burrat kishin 2-fishin e riskut për të zhvilluar sëmundje serioze apo vdekje në krahasim me femrat.
Gjendjet para-ekzistuese, të tilla si sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kronike të veshkave, sëmundjet kronike të mushkërive, diabeti mellitus, hipertensioni, imunosupresioni apo obeziteti, i predispozojnë pacientët për një ecuri të pafavorshme klinike dhe rritje të rrezikut të intubimit dhe vdekjes. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ka nxjerrë madje një listë të përditësuar të faktorëve të rrezikut për sëmundje të rënda. Indeksi i masës trupore (BMI) > 30, i cili është një tregues për obezitetin, konsiderohet një parashikues i fortë. CDC përfshiu gjithashtu aneminë drepanocitare, astmën e moderuar deri në të rëndë dhe shtatzëninë si faktorë rreziku për sëmundje të rënda. Nivele të ngritura të hemoglobinës së glukoziluar (HbA1c), e cila është një shënues zëvendësues për kontrollin afatgjatë të glukozës në gjak në diabet mellitus, është lidhur me inflamacionin, hiperkoagulimin dhe vdekshmërinë e lartë.
Kolegji Amerikan i Kardiologjisë publikoi një buletin klinik në mars 2020, i cili raportoi rritje të shkallës së vdekshmërisë së rasteve për pacientët me sëmundje të mëparshme. Shkalla e vdekshmërisë ishte më e lartë për sëmundjet kardiovaskulare (10.5%) krahasuar me diabetin (7.3%), astmën (6.3%), hipertensionin (6.0%) dhe tumoret (5.6%). Në të kundërt, pacientët pa sëmundje preekzistuese kishin një shkallë fataliteti prej <1%.
Po ashtu është raportuar një lidhje e fortë midis hipoksemisë dhe rezultateve klinike më të këqija. Një studim i 140 pacientëve me pneumoni të lidhur me COVID-19 zbuloi se saturimi (ngopja) e oksigjenit (SpO2) > 90.5% parashikonte mbijetesë më të lartë, ndërsa vështirësitë në frymëmarje u shoqëruan në mënyrë të pavarur me vdekshmëri më të lartë.
Ekzaminimet imazherike gjatë covid-19 u kthyen në instrumenta shumë të dobishme klinikisht në zbulimin e gjetjeve të lidhura me zhvillimin e sëmundjes së rëndë, duke përfshirë këtu radiografinë e gjoksit dhe tomografisë së kompjuterizuar (CT-scaner), të indikuara për pacientët me funksion të përkeqësuar të frymëmarrjes, ose nëse janë të përcaktuar se janë në rrezik për përparimin e sëmundjes. Prania e lezioneve pulmonare u pa se shoqërohej me shkallë më të lartë të pranimit në njësinë e kujdesit intensiv.
Disa shënues laboratorikë mund të parashikojnë prognozën e COVID-19. Gjetjet që zakonisht lidhen me rezultate më të këqija përfshijnë nivelet e ngritura të D-dimerit, proteinën C-reaktive (CRP), LDH dhe troponinën kardiake me ndjeshmëri të lartë. Megjithatë, mbetet për t’u vërtetuar se këta dhe biomarkues të tjerë janë në shtegun shkaktar të patobiologjisë së lidhur me SARS-CoV-2.
Pacientët pediatrikë përbëjnë një përqindje të vogël të rasteve me COVID-19. Për fëmijët 0 deri në 17 vjeç, të dhënat nga studimet sugjerojnë se kushtet paraekzistuese dhe mosha e re (<1 vit) janë të lidhura me sëmundje më të rënda. Sëmundjet shoqëruese përfshinin sëmundjen kronike të mushkërive dhe astmën, sëmundjet kardiovaskulare, imunosupresionin, sëmundjet malinje, trombocitopeni, anemi të rëndë, encefalopati epileptike, autizëm, sindromën CHARGE dhe Sindromën DiGeorge.
Faktorēt e riskut dhe Vdekshmëria në Shqipëri
Në Shqipëri një studim vëzhgues retrospektiv në 133 pacientë të shtruar radhazi në Spitalin “COVID 1”, QSUT analizoi gjithashtu lidhjet midis faktorëve të mundshëm të rrezikut dhe vdekshmërisë brenda spitalit. Ashtu si edhe në rezultatet e marra nga studimet ndërkombëtare, u evidentua se 65.4% e pacientëve, ishin meshkuj, të moshës 60.46 ± 13.53 vjeç. Shkalla e vdekshmërisë rezultoi në 22.6%. Faktorët e hershëm të rrezikut në lidhje me vdekshmërinë përfshinin: ndryshimet laboratorike gjatë pranimit, të tilla si numri i limfociteve < 1.000/mm3, laktat dehidrogjenaza > 250 U/L dhe D dimer > 2 mg/L; e po ashtu prekja parenkimale e mushkërive > 75% në tomografinë e kompjuterizuar të gjoksit në pranim.
Aktualisht, nuk ka asnjë trajtim efektiv për COVID-19; prandaj, për të përmirësuar rezultatet shëndetësore, identifikimi dhe vërtetimi i faktorëve që parashikojnë përparimin e sëmundjes COVID-19 është jetik. Ky informacion mund të përdoret për të lehtësuar ndërhyrjen dhe trajtimin e hershëm, duke reduktuar kështu incidencën dhe vdekshmërinë për shkak të COVID-19 të rëndë. Faktorët duke përfshirë moshën, sëmundjet shoqëruese, përgjigjen imune, gjetjet radiografike, shënuesit laboratorikë dhe treguesit e mosfunksionimit të organeve mund të parashikojnë individualisht ose kolektivisht rezultate më të këqija. Identifikimi i faktorëve që parashikojnë komplikimet e COVID-19 është thelbësor për drejtimin e kujdesit klinik, përmirësimin e rezultateve të pacientit dhe shpërndarjen e burimeve të pakta.
- Gallo Marin, B., Aghagoli, G., Lavine, K., Yang, L., Siff, E. J., Chiang, S. S., Salazar-Mather, T. P., Dumenco, L., Savaria, M. C., Aung, S. N., Flanigan, T., & Michelow, I. C. (2021). Predictors of COVID-19 severity: A literature review. Reviews in medical virology, 31(1), 1–10. https://doi.org/10.1002/rmv.2146
- Han, J., Shi, L. X., Xie, Y., Zhang, Y. J., Huang, S. P., Li, J. G., Wang, H. R., & Shao, S. F. (2020). Analysis of factors affecting the prognosis of COVID-19 patients and viral shedding duration. Epidemiology and infection, 148, e125. https://doi.org/10.1017/S0950268820001399
- 24. Palaiodimos L, Kokkinidis DG, Li W, et al. Severe obesity, increasing age and male sex are independently associated with worse in-hospital outcomes, and higher in-hospital mortality, in a cohort of patients with COVID-19 in the Bronx, New York. Metabolism. 2020; 108:154262 10.1016/j.metabol.2020.154262. [PMC free article] [PubMed] [CrossRef] [Google Scholar]
- 25. Li X, Xu S, Yu M, et al. Risk factors for severity and mortality in adult COVID-19 inpatients in Wuhan. J Allergy Clin Immunol. 2020; 146: 110 10.1016/j.jaci.2020.04.006. [PMC free article] [PubMed] [CrossRef] [Google Scholar
- 7. Peckham H, de Gruijter NM, Raine C, et al. Male sex identified by global COVID-19 meta-analysis as a risk factor for death and ITU admission. Nat Commun. 2020; 11(9):6317. [PMC free article] [PubMed] [Google Scholar]
- Ramírez-Soto, M. C., Ortega-Cáceres, G., & Arroyo-Hernández, H. (2021). Sex differences in COVID-19 fatality rate and risk of death: An analysis in 73 countries, 2020-2021. Le infezioni in medicina, 29(3), 402–407. https://doi.org/10.53854/liim-2903-11
- CDC. Coronavirus Disease 2019 (COVID-19). Centers for Disease Control and Prevention. https://www.cdc.gov/coronavirus/2019-ncov/need-extra-precautions/people-with-medical-conditions.html?CDC_AA_refVal=https%3A%2F%2Fwww.cdc.gov%2Fcoronavirus%2F2019-ncov%2Fneed-extra-precautions%2Fgroups-at-higher-risk.html. Published June 25, 2020. Accessed June 27, 2020.
- Mullen B COVID-19 Clinical Guidance for the Cardiovascular Care Team. American College of Cardiology. https://www.acc.org//~/media/Non-Clinical/Files-PDFs-Excel-MS-Word-etc/2020/02/S20028-ACC-Clinical-Bulletin-Coronavirus.pdf. Published June 20, 2003. Accessed May 20, 2004.
- CDC COVID-19 Response Team. Coronavirus disease 2019 in children—United States, February 12–April 2, 2020. Morb Mortal Wkly Rep. 2020; 69:422. [PMC free article] [PubMed] [Google Scholar]
- Ramosaço, E., Kolovani, E., Çomo, N., Gjermeni, N., Shpata, V., & Kraja, D. (2021). Risk factors for poor outcome of patients with Coronavirus disease 2019 (COVID-19) in Albania. Journal of infection in developing countries, 15(9), 1236–1243. https://doi.org/10.3855/jidc.14592
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.