Përhapja e COVID-19 u shoqërua me ndryshime të ndjeshme në jetën e njerëzve, duke u kthyer shpesh në një faktor të rëndësishëm sfidues sidomos në aspektin emocional. Thuajse të gjitha kategoritë e shoqërisë, moshat e profesionet i përjetuan pasojat e tij. Midis tyre, të gjendur në mesin e krizës, punonjësit e shëndetësisë u përballen me sfida të pashembullta në kujdesin dhe trajtimin e pacientëve me COVID-19. Për këtë arsye barra psikologjike dhe mirëqënia e përgjithshme e punonjësve të kujdesit shëndetësor kanë marrë vëmendje të shtuar, me kërkime që vazhdojnë të tregojnë shkallë të lartë të stresit dhe shqetësimeve emocionale.
Midis faktorëve më të rëndësishëm shkaktarë të këtij stresi duket se kanë qenë shkalla e lartë e infektimit nga virusi për shkak të kontaktit të drejtëpërdrejtë dhe vështirësisë së mbrojtjes, vështirësitë e mëdha financiare, stresi i lidhur me informacionin e pamjaftueshëm dhe frikën e pasigurinë në lidhje me të ardhmen.
Llojet e reagimeve emocionale deri te crregullimet mendore ndaj Covid-19
Studime të shtumta kanë treguar nivele të larta të stresit, burnout-it, abuzimit me substanca, ankthit, depresionit e problematikave të gjumit te stafi mjekësor prej fillimit të pandemisë e në vijim. Burnout-i është një sindromë psikologjike e përshkruar si një gjendje e stresit fizik dhe mendor të lidhur me punën që shkakton rraskapitje emocionale, depersonalizim dhe një ndjenjë të arritjes së reduktuar personale. Ndonëse niveli i burnout-it midis punonjësve të shëndetësisë është raportuar përherë i lartë, edhe përpara pandemisë (duke variuar ndjeshëm midis specialiteteve) gjatë covid-19 gjithnjë e më shumë të dhëna referojnë për nivele tashmë ekstreme të këtiij fenomeni. Shumë mjekë e inferimirë u vunë përballë situatave kërcënuese për jetën, ekspozimit të shtuar ndaj patogjenit dhe mbingarkesës në orët e punës, turneve dhe ndryshime të tjera të mëdha në organizimin e punës (si koha e shkurtër e kaluar me pacientin dhe pakësim i autonomisë në marrjen e vendimieve). Prevalenca e burnout-it ashtu si edhe pritej, u gjet të ishte më e lartë në njësitë dhe pavionet e kujdesit intensiv. Si efekte të drejtëpërdrejta të burnout-it të shtuar gjatë shpërthimit të COVID-19, një prevalencë relativisht e lartë e ankthit (24.94%), depresionit (24.83%) dhe çrregullimeve të gjumit (44.03%) u raportuan në meta-analizat që hetuan shëndetin mendor të punonjësve të shëndetësisë. Punonjësit e kujdesit shëndetësor priren t’i fshehin vështirësitë e tyre për shkak të stigmës së perceptuar të lidhur me sëmundjet mendore, si dhe frikës së një ndikimi në karrierën e tyre. Nga ana tjetër, këto shqetësime shoqërohen me vështirësi të mëtejshme, duke përfshirë një rritje prej 25% të gjasave të abuzimit ose varësisë nga alkooli dhe një rrezik të dyfishuar të ideve suicidale. Ndërsa ndër efektet jo të drejtëpërdrejta të burnout-it do të ishte ulja e cilësisë së sistemeve të kujdesit shëndetësor në aspektin e respektimit të protokolleve, komunikimit të dobët, gabimeve mjekësore dhe rezultateve dhe sigurisë së pacientit.
Disa studime në vende të ndryshme kanë përshkruar gjumin e punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19. Pappa et al. dhe Salari et al rishikuan disa studime ndër-seksionale nga Azia dhe Lindja e Mesme të kryera midis infermierëve dhe mjekëve përpara 24 qershorit 2020, dhe ata raportuan një prevalencë të shqetësimeve të gjumit prej 34.8% dhe 41.6% respektivisht tek infermierët dhe mjekët. Ndërsa një studim i Steëart et al, në US tregoi se pothuajse të gjithë (96%) e punonjësve të kujdesit shëndetësor të anketuar raportuan gjumë të dobët, mbi 30% raportuan pagjumësi të moderuar deri në të rëndë dhe mbi 50% raportuan burnout. Shumica e të anketuarve raportuan gjithashtu ndërprerje të gjumit për shkak të përdorimit të pajisjeve të teknologjisë (p.sh. celulari, iPad etj.) ose anktheve të paktën një herë në javë. Për më tepër, pjesëmarrësit e anketës raportuan një kohëzgjatje mesatare të gjumit prej 6.1 orë në ditë, që është më pak se 7 orë gjumë (të rekomanduar për të rriturit amerikanë). Shqetësimet e gjumit te punonjësit e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë lidhen jo vetëm me kërkesat e punës dhe shëndetin personal, por edhe me fëmijët dhe familjen, si dhe me vetë pandeminë, duke përfshirë shqetësimin për reagimin ndaj pandemisë COVID-19. Duke pasur parasysh lidhjen e fortë midis gjumit dhe burnout-it midis profesionistëve shëndetësorë, nuk është për t’u habitur që një numër i madh i punonjësve të kujdesit shëndetësor të anketuar e raportuan atë.
Një rishikim ombrellë i literatures, lidhur me çrregullimet e ankthit dhe depresionit midis punonjësve të kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 tregon se prevalenca e tyre ishte përkatësisht 24.94% dhe 24.83%. Në fazat e hershme të pandemisë në Itali, 10% e punonjësve të kujdesit shëndetësor u infektuan me Covid-19, nga të cilët 3% humbën jetën (Mokhtari et al., 2020). Këto nivele të larta të infektimit dhe vdekshmërisë predispozojnë për ankth dhe depresion midis punonjësve të kujdesit shëndetësor në mbarë botën. Për më tepër, faktorë të tillë si vendi i punës me rrezik të lartë, mungesa e përvojës klinike, mosha e re dhe një histori e çrregullimeve psikologjike mund të kontribuojnë në zhvillimin e ankthit dhe depresionit tek këta individë. Në studimin e tyre, Khanal et al. raportuan se masat paraprake joadekuate të izolimit u shoqëruan ndjeshëm me shenja ankthi dhe depresioni midis punonjësve të kujdesit shëndetësor (Khanal et al., 2020). Mungesa e masave parandaluese, si pajistjet mbrojtëse të pamjaftueshme, mund ta bëjnë mjedisin e punës të rrezikshëm, duke çuar në një ndjenjë pasigurie dhe vulnerabiliteti ndaj infeksionit. Studimet në mbarë botën (Du et al., 2020; Chen et al., 2020; Liu et al., 2020) kanë theksuar nevojën për t’u ofruar punonjësve të kujdesit shëndetësor pajisje mbrojtëse adekuate dhe mbështetje psikologjike për të rritur elasticitetin e tyre.
Problematikat emocionale të hasura në personelin mjekësor Shqipëtar
Në një studim të realizuar në Shqipëri në vitin 2020 gati dy e treta e personelit shëndetësor deklaronin se pandemia kishte ndikuar në kushtet e tyre të banimit. Më pak se gjysma (42%) deklaronin se banon në të njëjtën shtëpi me anëtarët e tjerë të familjes, por shmangnin çdo kontakt të mundshëm me ta për t’i mbrojtur nga rreziku i mundshëm i infektimit. Gati një e pesta e personelit deklaronin se kishte pasur zhvendosje të anëtarëve (nëse jo vetë), zakonisht fëmijët ose prindërit e moshuar, në një banesë tjetër. Situata paraqitej më e vështirë për stafin e spitaleve COVID-19, që në masë më të madhe ishin larguar përkohësisht larg familjes (25%) ose shmangin çdo kontakt të mundshëm me ta (44%). Pra, në kushtet e një pune me vështirësi dhe përgjegjësi të lartë, stafi shëndetësor gjendej edhe në situatë izolimi ose largimi nga ngrohtësia familjare.
Të ndodhur në një situatë të tillë, natyrshëm stafi shëndetësor në Shqipëri ka përjetuar simptomat e rëndesës psikologjike dhe fizike sikurse homologët e tyre në vende të tjera. Stresi ishte shqetësimi më shumë i referuar, nga 52% e stafit shëndetësor. Lodhja dhe pagjumësia i ka shoqëruar shpesh (41%) ose ndonjëherë (35%) përgjatë kësaj periudhe. Gati dy e treta (63%) e tyre kanë përjetuar ankth, nga të cilët 29% shpesh dhe 34% ndonjëherë. Më shumë se gjysma (56%) kanë raportuar mungesë interesi për aktivitete të tjera në jetën e tyre, nga të cilët 23% më të theksuar (shpesh). Depresioni si gjendje më ekstreme është përjetuar shpesh nga 6% e stafit shëndetësor dhe ndonjëherë nga 12% e tyre. Frekuenca ose intensiteti i përjetimeve negative ndërkohë ndikohej ndjeshëm nga mosha dhe gjinia e të intervistuarve, dhe lehtësisht nga pozicioni i punës: mjekë vs. infermier. Të gjitha përjetimet e lodhjes, stresit, pagjumësisë etj, janë përjetuar me intensivisht nga grupmoshat e reja 21-29 vjeç, dhe gjinia femërore.
Në një tjetër studim në shqipëri, kësaj here një vit më vonë, në 2021 u evidentuan nivele të lehta të ankthit në 26.9% të pjesëmarrësve ndërsa të moderuara në 7.2% të tyre. 23.1% dhe 12.1% e pjesëmarrësve shprehën respektivisht nivele të lehta dhe të moderuara të depresionit.
Në një studim të vitit 2022 te punonjësit e shëndetësisë në QSU “Nënë Tereza” Tiranë që hulumtoi problematikat e gjumit dhe faktorët influencues gjatë periudhës së pranisë së Covid -19 u gjet se rreth 39% e të intervistuarve referonin për problematika të gjumit dhe se përjetimi i të qënit i infektuar, humbjes së një të afërmi nga Covid 19, apo i një përvoje të traumatike të lidhur me pandeminë, shoqërohej me të paturit 2 herë më shumë shanse për probleme me pagjumësinë.
Gjatë një pandemie, kërkesat kundrejt personelit të kujdesit shëndetësor janë të jashtëzakonshme dhe të vazhdueshme. Rezultatet e suksesshme në drejtim të shëndetit publik janë të kushtëzuara dukshëm nga funksionimi efektiv i fuqisë punëtore brenda sistemit shëndetësor, sikurse pa diskutim që nevojitet një përgjigje e shoqërisë në tërësi. Situata ideale do të ishte një sistem shëndetësor me numër të mjaftueshëm stafi, me mungesa minimale të tyre për shkak të infektimit nga virusi, staf që punon me potencialin e tij maksimal dhe që shfaq nivele të ulëta të mbilodhjes e stresit, sikurse edhe staf i pajisur me materialet e duhura të mbrojtjes personale, pajisjet dhe mjekimet e nevojshme për të trajtuar pacientët. Ndaj edhe monitorimi e kujdesi për mirëqenien psikologjike të stafit në këto kushte bëhet akoma më i domosdoshëm. Përpjekjet për të eksploruar faktorët që lidhen me shqetësimin psikologjik, të cilët mund të çojnë në simptoma të ankthit, depresionit ose të provokojnë ide vetëvrasëse duhet të jenë të pranishme dhe të vazhduara dhe të punohet për të kontrolluar faktorët që janë të modifikueshëm.
- Gupta, N., Dhamija, S., Patil, J., & Chaudhari, B. (2021). Impact of COVID-19 pandemic on healthcare workers. Industrial psychiatry journal, 30(Suppl 1), S282–S284. https://doi.org/10.4103/0972-6748.328830
- Leo, C. G., Sabina, S., Tumolo, M. R., Bodini, A., Ponzini, G., Sabato, E., & Mincarone, P. (2021). Burnout Among Healthcare workers in the COVID 19 Era: A Review of the Existing Literature. Frontiers in public health, 9, 750529. https://doi.org/10.3389/fpubh.2021.750529
- Pappa S, Ntella V, Giannakas T, Giannakoulis VG, Papoutsi E, Katsaounou P. Prevalence of depression, anxiety, and insomnia among healthcare workers during the COVID-19 pandemic: a systematic review and meta-analysis. Brain Behav Immun. 2020 Aug;88:901–907. doi: 10.1016/j.bbi.2020.05.026. http://europepmc.org/abstract/MED/32437915. [PMC free article] [PubMed] [CrossRef] [Google Scholar]
- Salari N, Khazaie H, Hosseinian-Far A, Ghasemi H, Mohammadi M, Shohaimi S, Daneshkhah A, Khaledi-Paveh B, Hosseinian-Far M. The prevalence of sleep disturbances among physicians and nurses facing the COVID-19 patients: a systematic revieë and meta-analysis. Global Health. 2020 Sep 29;16(1):92. doi: 10.1186/s12992-020-00620-0.
- Stewart, N. H., Koza, A., Dhaon, S., Shoushtari, C., Martinez, M., & Arora, V. M. (2021). Sleep Disturbances in Frontline Health Care workers During the COVID-19 Pandemic: Social Media Survey Study. Journal of medical Internet research, 23(5), e27331. https://doi.org/10.2196/27331
- Sahebi, A., Nejati-Zarnaqi, B., Moayedi, S., Yousefi, K., Torres, M., & Golitaleb, M. (2021). The prevalence of anxiety and depression among healthcare workers during the COVID-19 pandemic: An umbrella review of meta-analyses. Progress in neuro-psychopharmacology & biological psychiatry, 107, 110247. https://doi.org/10.1016/j.pnpbp.2021.110247
- Together for Life- Sistemi shëndetësor gjatë pandemisë COVID-19 dhe pajisja e stafit me materialet e mbrojtjes personale. June 2020 https://www.kas.de/documents/271859/0/Raporti+Sistemi+sh%C3%ABndet%C3%ABsor+gjat%C3%AB+pandemis%C3%AB+COVID-19.pdf/3c2c74d2-5851-4886-e5be-ed1fd07d5b3c?version=1.0&t=1594801042957
- Kamberi, F., Sinaj, E., Jaho, J., Subashi, B., Sinanaj, G., Jaupaj, K., Stramarko, Y., Arapi, P., Dine, L., Gurguri, A., Xhindoli, J., Bucaj, J., Serjanaj, L. A., Marzo, R. R., & Nu Htay, M. N. (2021). Impact of COVID-19 pandemic on mental health, risk perception and coping strategies among health care workers in Albania – evidence that needs attention. Clinical epidemiology and global health, 12, 100824. https://doi.org/10.1016/j.cegh.2021.100824
- Beci J., Çrregullimet e gjumit post Covid-19, tek stafi mjekësor në QSUT. Biblioteka e Universitetit të Mjekësisë, Maj 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Shoqatës MIA, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “SHoqata MIA” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Mendimet dhe opinionet e shprehuara në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.