Iniciativa për bashkimin e mjekëve dhe specializantëve në mjekësi, me qëllim koordinimin e interesave të tyre profesionale, ngritjen e nivelit profesional shkencor të anëtarëve të vet, në përmirësimin e nivelit të edukimit në fushën e shëndetit; përmirësimin e nivelit të kurikulave mësimore; e pati fillesën që në vitin 2009 kur një grup profesionistësh të rinj në shëndetin mendor krijuan Shoqatën e profesionistëve të rinj në shëndetin mendor. Si e tillë shoqata punoi me sukses për disa vite duke realizuar projekte të rëndësishme në bashkëpunim me Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor Nr.1 në Tiranë. U realizuan një sërë aktivitetesh të edukimit në vazhdim me QKSHM si dhe trajnime praktikash me specializantët të cilët kryenin praktikën klinike nën kujdesin e profesionistëve të QKSHM-së. 

Në vitin 2013 si shoqatë të rinjsh u anëtarësua në Federatën Europeane të Psikiatërve të rinj ku pati bashkëpunim në disa projekte “survey” internacionale mbi cështjet e lidhura me migrimin e psikiatërve të rinj, me përdorimin e barnave në psikiatri dhe protokollet etj. Po ashtu në kuadrin e këtij bashkëpunimi u bë e mundur dërgimi i specializantëve në programe shkëmbimi në Europë si dhe pjesëmarrje e tyre në forumin e përvitshëm të EFPT, ku specializantët kishin mundësi të shkëmbenin eksperiencë me kolegët europianë dhe të bëheshin pjesë e projekteve kërkimore europiane. 

Në periudhën 2018-2019 Shoqata e të Rinjve në Shëndetin Mendor vendosi të zgjerojë aktivitetin dhe fokusin e saj duke u shndërruar në Medical Institute of Albania me objektiva shtrirjen e aktivitetit në të gjithë aspektet e mjekësisë si shëndetin fizik edhe në atë mendor. Disa prej objektivave janë   

përmirësim i cilësisë së shërbimit në lidhje me parandalimin, diagnostikimin trajtimin, suportin e trajtimin paliativ dhe ndjekjen e pacientëve me sëmundje malinje, të pacientëve me sëmundje neurologjike; të pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor; si dhe kryerjen e aktiviteteve dhe kërkimeve shkencore në fushën e shëndetit në përgjithësi si edhe të shëndetit mendor në Shqipëri. Me zgjerimin e aktivitetit të saj MIA ka synim të  bashkëpunoje me sektorin publik e privat të shërbimit shëndetësor në vendin tonë dhe të ndihmojë në vendosjen e shkëmbimeve shkencore dhe kontakteve me shoqatat homologe të vendeve të tjera; po ashtu të studiojë dhe t’i japë udhë mënyrave të reja, në nivel kombëtar për të përmirësuar procesin e edukimit për specialistët në fushën e shëndetësisë dhe të promovojë dhe të realizojë projekte e programe kualifikimi në kuadrin e zhvillimit dhe kualifikimit të mëtejshëm të anëtarëve të saj. Në periudhën e fillimit të pandemisë Covid19 dhe në vazhdim MIA ka vazhduar të organizojë seminare dhe forma të tjera trajnimi në fushën e shëndetit në përgjithesi, aspektet neurologjike dhe mendore nën ndikimin e pandemisë, cështje të shëndetit që lidhen me infeksionin covid 19 duke mundësuar bashkëpunim të profesionistëve në nivel kombëtar dhe ndërkombetar.